Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: Heronjtë e Heshtur përjetësohen në kujtesën e popullit

Shkrim përkujtues në 8 vjetorin e vdekjes fizike të veprimtarit dhe veteranit të luftës së UÇK, Rrahman Bahtirit-Shpendit

 Rrahman Bahtiri (6 mars 1954 – 30 prill 2010)

Dashuria për mëmëdheun është topi që rrënon  kalatë më të forta edhe ato, për të cilat mendohet, se mund t’u qëndrojnë topave më të fortë.   (Sami Frashëri)

Sot, me 30 prill 2018, mbushen tetë vite, që kur pushoi së rrahuri zemra e Rrahman Hajrush Bahtiri-Shpendi, veprimtarit të devotshëm në shërbim të zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare.

Sot u mbushën tetë vite prej ditës kur Rrahmani u nda fizikisht nga ne, nga gjiri familjar, shokët dhe miqtë e shumtë, brenda dhe jashtë Atëmëmëdheut. Me dhembje të thellë në shpirt, përkujtojmë të gjithë ata të cilët dhanë krejt çka u lypë prej tyre në shërbim të lirisë së shumëpritur, që edhe ne shqiptarët të vetëvendosim lirshëm për të sotmen dhe të ardhmen tonë njerëzore dhe kombëtare. Rrahmani, ashtu si të gjithë pishtarët e lirisë duke ikur në pavdekësi na e lanë për obligim neve të vdekshmëve, që Amanetin e tyre ta përmbushim

Por, duhet të konstatojmë me keqardhje se ne të vdekshmit nuk po arrijmë apo nuk po duam të arrijmë ta kuptojnë, se ky Amanet nuk mund të përmbushet, po nuk e kuptuam drejt, mirë dhe përfundimisht, se “Shqipëria u përket shqiptarëve dhe jo ndërkombëtarëve!” Vepra madhore e këtyre pishtarëve të lirisë na mëson, se sa herë do ta lypin interesat e Atëmëmëdheut, populli liridashës shqiptar do të nxjerr nga gjiri i tij, bijë dhe bija besnike, me virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, të gatshëm për t’i djegur me barot e përshkuar me hekur zemrën dhe mushkëritë e cilit do cenues të tërësisë territoriale dhe të lirisë!

Rrahmani u lind me 6 mars 1954, në vatrën e familjes së Bacë Hajrush Bahtirit, në fshatin Brainë, të Gallabit heroik. Në shtratin e kësaj vatre fisnike të mekur ekonomikisht, siç ishin shumica e familjeve shqiptare, u rrit Shpendi, në frymën e ndjenjave të qarta , dhuratë nga ninullat e nënës Naile dhe të lokes Mihane.

Duhet theksuar! Edhe pse pa fajin e saj, kjo vatër në aspektin ekonomik ishte skamnore, ajo njihej si një oxhak i besës, shqiptarizmës, trimërisë dhe krenarisë, të trashëguar brez pas brezi. Kjo vatër mikpritëse, mirëpriste e përcillte, kryesisht, njerëz të besës e të nderit.

Ndikimi i rrethanave politike, ekonomike dhe shoqërore të cilat mbretëronin në Kosovë dhe në Trojet shqiptare nën kolonializmin serbo-sllav, ndikuan që edhe te Rrahmani të brumosej domosdoja e punës vetëmohuese për ndryshimin e kësaj gjendjeje. Kjo bëri që të radhitet përkrah shokëve të përcaktuar për çlirimin e trojeve dhe ribashkimin e tyre në një shtet të vetëm shqiptar – Shqipërinë.

Vepra e Rrahmanit ishte shembull i përkushtimit të një atëmemëdhetari të devotshëm, i cili me vetë dëshirë hoqi dorë nga të gjitha gëzimet e moshës, për t’iu rrekur një pune shumë të vështirë dhe me plotë rreziqe, siç ishte veprimtaria e fshehtë patriotike në terren, qëndresa stoike para thundrakëve shqipfolës të sigurimit të pushtuesit , qëndresa stoike gjatë mbajtjes së burgut nëpër kazammatet serbo-çetnike, faza përgatitore e luftës çlirimtare dhe më vonë kontributi i tij aktiv gjatë zhvillimit të saj.

Rrahmani fliste pak, por, thoshte shumë. Me shikimin karakteristik të tij, fjalën që e thoshte e bënte shumë më të zjarrtë, shumë më të qartë, shumë më të kapshme dhe bindëse për bashkëbiseduesit. Vepra vetëmohuese e Rrahmanit, virtytet e tij të larta njerëzore , kombëtare dhe vetëdisiplina shembullore, mbeten shembull i pa anash-kalueshëm për edukimin patriotik të gjeneratave!

Veprën madhore të Rrahmanit do ta kujtojnë familja, shokët e shumtë; do ta kujtojnë të gjithë ata që dinë ta duanë pa hile, të sotmen dhe të ardhmen e lumtur të popullit dhe të vendit të vet!

Ishin këto, fjalët që më diktoi mendja ime e përmalluar, të cilave u përpoqa t’u gjejë vend në këtë shkrim përkujtues, në këtë përvjetor të vdekjes fizike të shokut të idealit dhe bashkëveprimtarit, me të cilin u përpoqëm me përkushtim për dekada, bashkë me shumë shokë të tjerë, aq sa ditëm dhe sa patëm mundësi, për të dhënë hisen tonë të kontributit për çlirimin dhe ribashkimin përfundimtar të Shqipërisë!

Lavdi jetës dhe veprës madhore të Rrahman Bahtirit-Shpendit!

Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që prehen në altarin e lirisë!

Lavdi e përjetshme Ushtrive Çlirimtare të trojeve tona!

 

 

Prishtinë,

30 prill 2018

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …