Barrën dhe përgjegjësinë për ngjarjet e rëndësishme dhe për kthesa të mëdha, e marrin vetëm të mëdhenjtë; burrat që kanë një ideal të lartë i cili edhe i bën të madhërishëm. Të madhërishmit iu gjetën Shqipërisë, iu gjetën Kosovës, iu gjetën Rrafshit të Dukagjinit, ju gjetën Gllogjanit të qëndresës. I këtillë ishte Agim Selmanaj, uragan i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i lindur e i rritur në gjirin familjar të Selmanajve të ndjekur, të persekutuar e të dënuar shumë herë deri në ditën kur “Në Gllogjan ra kushtrimi” i lirisë.
Dëshmori” Agim Selmanaj është i lindur më 26 tetor të vitit 1978 në Gllogjan të Deçanit. Doli prej një vatre patriotike shumë të njohur në vazhdën e përpjekjeve të rezistencës kombëtare, vatër patriotike e njohur jo vetëm në Rekë e Malësi, por edhe anembanë trojeve etnike, prandaj edhe si familje ndiqej prej çdo pushtuesi. Aliu, babë i dëshmorit qe dënuar me 7 vjet burg, ndërsa mixhallarët, po ashtu nuk u shpëtuan ndjekjeve dhe burgosjeve nga regjimi serb, që bërlykej e lëvronte nëpër fshatrat e Rrafshit të Dukagjinit e në tërë Kosovën deri në ditën kur “Në Prekaz jehoi Drenica” e kur, “Në Gllogjan u dha kushtrimi”. Me burgje ishin dënuar edhe shumë Selmanaj; Fahriu, Besimi e Rasimi, prandaj Agim Selmanaj luftën e shihte si të vetmen rrugëdalje dhe zgjidhjen e Çështjes së Madhe e shihte vetëm me formimin e instrumentit të forcës – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ali Selmanaj, me bashkëshorten Fanën, kishte gjashtë fëmijë; tre djem e tri vajza, e Agimin e kishin fëmijë të tretë. Aliu kishte dëshirë të flaktë për t’i shkolluar të gjithë fëmijët veçanërisht Agimin, pasi që kishte një zgjuarësi të veçantë; shumë i gjallë, me talent që i vionte, mendjemprehtë dhe shumë këmëngulës. Këto tipare të një karakteri të fortë i vrenin edhe mësimdhënësit e Shkollës Fillore në Irzniq e pastaj edhe të shkollës së Mesme “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, por nuk e vazhdoi shkollimin universitar sepse “Agim Alija u lidh me punë tjera”, thonë gllogjanasit. Dhe me të vërtetë qe lidhur mirë me format e para të organizimit të rezistencës. Agimi u bë veprimtar i ilegales dhe me çdo veprim synonte për të bërë kthesa në rrjedhën e ngjarjeve të rëndësishme. Një kohë ushtroi veprimtarinë zejtare të TV-mekanikut dhe prefeksionon mekanikën precize për të cilën ishte më se i interesuar sepse i vlente për “shtigjet nëpër të cilat do të ngjitej e do të zbriste” deri më 1 maj të vitit 1999, ashtu siç e kronikoi edhe rapsodia popullore, kur “u hap lajmi deri në Tiranë”. Nëpër shtigjet e rrëpishme, Agimi ngjitej e zbriste që në moshën shumë të re, prandaj edhe fitoi një përvojë të madhe gjatë veprimtarisë ilegale dhe kështu 24 marsi i vitit 1998 e gjen si “djalë të fortë”, “mashkull të mirë” dhe shumë të përgatitur moralisht e fizikisht. Menjëherë u sisternua në Shtabin e Gllogjanit. Si luftëtar i orëve të para shquhet me vetëdisiplinë e me vendosmëri, prandaj me formimin e brigadave në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit emërohet me detyrë në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla”, është zëvendëskomandant i Policisë Ushtarake, krah i djathtë i komandantit Daut Haradinaj e i Xhelal Hajdës- Tonit, dëshmor i kombit. Që në hapat e parë të veprimtarisë operative hyri në elitën më emblematike që njihej si “Djemtë e Gllogjanit”; Ramush, Shkëlzen, Daut, Bujar e Himë Haradinaj, Idriz Balaj, Luan Nimanaj, Fatmir Nimanaj, Luan Qerimaj, Xhelal Hajda, Maliq Ndreca, Burim Mustafa, Lahi Ibrahimaj, Nazmi Ibrahimaj, Alush Agushi e shumë të tjerë.
Agimi kishte një gatishmëri të jashtëzakonshme për t’i prerë akset rrugore “për ta zënë xhaden e për ta ‘këputur telin, siç thuhet në Rekë e Malësi. Vepronte në magjistralen Gjakovë – Pejë e Gjakovë-Prishtinë por edhe në thellësi të arealeve që i mbanin nën kontroll forcat serbe; ngadhënjente në çdo aksion sepse printe në vija frontale. Ishte tmerr e trishtim për forcat paramilitare serboçetnike dhe u bë vullkan e stuhi, uragan i vërtetë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Dukagjinit. Edhe për thyerjen e kufirit kishte një strategji të veçantë, përvojë të gjatë dhe njohuri të shkëlqyeshme për konfiguracionin e Alpeve Veriore, njohës i mirë i Malësisë dhe i Dukagjinit. Kufirin e kishte thyer me dhjetëra herë.
Gjatë luftimeve nëpër fushëbetejat e Rosishtës (ish- Rostavicë) të Shaptejt, të Dashinocit e të Dujakës, Agim Selmanaj plagoset katër herë, por çdoherë gjen forcë për të qëndruar duke mos u larguar prej shokëve, sepse në çdo veprim ofansive defansiv mungesa e Agimit mund t’i dobësonte shokët. Me vrullin e stuhishëm që kishte, shkëlqente kudo, por veçanërisht në aksionin e Dujakës ku u thërmuan forcat policore serbe. I këtillë mbeti në kujtimet për betejat më të lëvdishme të Rrafshit të Dukagjinit; në Bitesh, në Hereç, në Baballoq, në Rosisht, në Prejlep, në Carrabreg, në Isniq, në Strellc, në Logjë, në Vranoc, në Baran, në Çeskovë, në Këpuz dhe në Betejat e Shqiponjës. Frymë e forcë i jepte maksima se “Vetëm të bashkuar do të forcohemi!” sepse krahas me operacionet frontale Agimi zhvillonte dhe luftën speciale për t’iu kundërvënë formave të luftës që bënin defetistët dhe dështakët, frikaçët dhe sahanlëpirësit të njohur si “argatët e shkjaut”. Gjatë operacioneve në Prejlep ku armiku pësoi humbje të mëdha, deri në shkatërrim, A.gim Selmanaj depërton me mjeshtëri të pashoqë si për të sulmuar, ashtu edhe për t’u tërhequr; për t’i marrë shokët e rënë apo të plagosur. Nuk kishte armatirn të cilin nuk mund ta përdorte Agimi, prandaj edhe nuk hezitonte për t’u futur në zjarre më të mëdha luftarake. I këtillë, madje edhe më konsekuent doli në betejën e Logjës, kur forcat serbe e kuptuan se kanë të bëjnë me një kundërshtar shumë serioz. Këtë seriozitet e kultivonte vetë Agimi duke insistuar gjithmonë që mbi të tjerët të ndikojë me shembullin e vet, me vetësakrificë dhe me vullnetin e çeliktë që e kishte. Gëzonte respektin e të gjithë bashkëluftëtarëve; me virtyte të larta që kishte, sakrifikonte për të arritur te çdo luftëtar, t’i bashkohej në vijën e parë dhe t’i qëndronte karshi “zjarrit dhe shkavit”. I këtillë mbeti deri më 1 Maj të vitit 1999, kur ra në Qëndresë (ish-Ratish i Epërm) për të shkëlqyer në lapidar e për të lundruar nëpër Përjetësi.
Dhe sot:
“Fol Agim Selmani,
Shqipe n’lapidar!
Nënëlokja gjinin,
Po ta ban hallall”.
Portreti i dëshmorit Agim Selmanaj është gëdhendur para një dere shqiptare përherë mikpritëse e bujare, e hapur për të gjithë siç ishte e hapur gjatë luftës në fshatin Ratish i Epërm. Ky portret është skalitur në vargjet e vocërrakëve të shkollave fillore të Rrafshit të Dukagjinit, në këngët e në rapsoditë e Rifat Berishës e të Mustafë Ramajt, ndërsa përveç rrugëve edhe Shoqata e Gjuetarëve në Deçan, me krenari mban emrin e dëshmorit të kombit Agim Selmanaj. (S. C.)