Emin Musliu u lind me 8 shtator të vitit 1974 në Shtime. Familja e tij është me prejardhje nga fshati Topillë. Babai Murati dhe nënë Nazifja rrjedhin nga një familje bujare me ndjenja patriotike. Kjo familje ishte gjithnjë në shënjestër të policisë serbe, me pretekst për armëmbajtje pa leje, por me qëllim që të ushtronin presion, meqë policët serbë kishin identifikuar se kjo familje kishte ideal çlirimin e Kosovës nga robëria.
Shkollën fillore dhe të mesme Emini i kishte kryer në Shtime. Qysh i ri, ishte pajisur me ide përparimtare e çlirimtare.
Në kohën e krijimit të pikave të para të UÇK-së në Zonën Operative të Neredimes, Emin Musliu kontakton me luftëtarët e lirisë, të cilët kishin vendosur të luftonin për çlirimin e vendit nga okupimi serb.
Ai e dinte se xhaxhallarët që punonin në Zvicër i kishin sjellur babait të tij një armë automatike. Një ditë pranvere, Emini i drejtohet babait me lutjen që ta lejonte të inkuadrohej në radhët e UÇK-së dhe t’ia jepte edhe automatikun, meqë dihej se radhëve të çlirimtarëve u mungonin në masë të madhe armët e municioni.
Babai, Murati, duke parë vendosmërinë e të birit, pa hezituar ia jep bekimin për luftë, por edhe armën, të cilën edhe e kishte siguruar po për atë qëllim.
Emin Musliu fillimisht sistemohet në pikën e Reçakut, por ndërkohë caktohet në pikën ushtarake të UÇK-së në vendlindjen e tij, në fshatin Topillë.
Më vonë me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, në tetor të vitit 1998, Emin Musliu caktohet në pikën e luftës në fshatin Budakovë, në Zonën Operative të Pashtrikut. Fillimisht me disa bashkëluftëtarë ishte caktuar në pikën e vëzhgimit të terrenit nga ku pritej sulmi i forcave okupatore serbe. Ndërkohë duke parë angazhimin e tij si luftëtar i përkushtuar, Emin Musliu caktohet në frontet e para të luftës, në istikamet e Budakovës dhe në fshatrat e tjera të kësaj ane të cilat e kontrollonin terrenin deri në Qafë Duhël. Asokohe në këto anë vepronin komandantët, Sadik Halitjaha, Idriz Hyseni, Jetullah Çarri e të tjerë.
Më 15 janar të vitit 1999, kur forcat okupatore ushtarake dhe policore serbe kishin sulmuar fshatin Reçak, Emin Musliu me disa bashkëluftëtarë i shkon në ndihmë komandant Gurit – Jetullah Qarrit.
Gjatë atyre ditëve Emin Musliu ka marrë pjesë edhe në luftimet që ka zhvilluar komandanti i Brigadës 161 të Zonës Operative të Neredimes, Ahmet Kaçiku me luftëtarët e tij, me qëllim për të mos lejuar forcat serbe për të marrë kufomat e popullatës civile, që vrasëtarët serbë i kishin masakruar në Reçak. Me komandant Ahmet Kaçikun, Emin Musliu ishte njohur edhe më herët, në kohën kur të dy kishin goditur me armë zjarri një helikopter të ushtrisë serbe.
Luftëtari i përkushtuar i pozicioneve të luftës në Budakovë, Emin Musliu me tërë qenien ishte përkushtuar për çlirimin e trojeve të robëruara të Atdheut. Ai asnjëherë nuk i lëshoi pozicionet e luftës, por vazhdimisht qëndroi i patundur në pikat më të rëndësishme ku luftohej ballë për ballë kundër forcave ushtarake e policore serbe.
Pika më strategjike e forcave serbe ishte në vendin e quajtur “Te Antena” në Bukogllavë të Jezercit, nga ku serbët granatonin tërë zonën e Budakovës, Jezercit dhe fshatrave të tjera. Në kohën kur tashmë NATO-ja kishte filluar sulmin kundër makinerisë së kriminelëve serbë, luftëtarët e Zonës Operative të Pashtrikut, kishin bërë plane për ta sulmuar dhe për ta marrë pikën strategjike “Te Antena”. Me rastin e luftimeve në këtë pikë të frontit, me 1 maj 1999 luftëtarët e UÇK-së, në mesin e tyre edhe Emin Musliu, depërtojnë në pozicionet e armikut dhe marrin armë e municion që ishte aq i nevojshëm për luftëtarët e lirisë. Në këtë aksion Emin Musliu fillimisht plagoset rëndë, ndërkohë që thith për herë të fundit ajrin e bërë shkrumb nga tymi i luftës.
Bashkëluftëtarët arrijnë ta tërheqin trupin e dëshmorit, të cilin fillimisht e varrosin te Vorret e Hoxhajve në fshatin Budakovë.
Pas luftës fitimtare, bashkëluftëtarët e dëshmorit, trupin e Emin Musliut e rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Therandë, ku sot pushon në mesin e 90 dëshmorëve të tjerë të kësaj treve.
Emin Musliu ka lënë babain, Muratin, nënën, Nazifen, vëllain, Avniun, motrat: Elhemen, Shkurtën dhe Veziren. Ai po ashtu ka lënë djalin Leonardin i cili po rritet së bashku me lirinë e Kosovës. Në nderim të këtij dëshmori, një rrugë në Shtime është emërtuar me emrin e tij.
Familja e dëshmorit Emin Musliu ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Pashtrikut, nga Kuvendi Komunal i Shtimes dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …