Bastri Beqir Hyseni (5.1.1970 - 2.5.1999)

Bastri Beqir Hyseni (5.1.1970 – 2.5.1999)

Me instalimin e pushtetit të dhunshëm serb, përcjellur me terror e maltretime e forma të ndryshme të dhunshme, shtohen edhe format e ndryshme kundërvënëse deri në shkallën e shpërthimit të luftës së armatosur për liri, jetë a vdekje, madje deri në çlirim përfundimtar.

U lind në Skromë, më 5 maj 1970. Prindërit Beqir dhe Azize Hyseni lindën shtatë fëmijë, gjashtë djem e një vajzë. Bastriu ishte fëmija i dytë me radhë.

Familja e Bastriut kishte pasur pasoja gjatë pushtimit serb. Pos tjerësh, axha i babait, i vrarë në Tivar më 1945, as sot e kësaj dite nuk iu ka gjetur gjëkundi shenjë, por pasojat tragjike familjare, jo vetëm të Skromës e regjionit të Shalës së Bajgorës, sidomos të shekullit njëzetë, ndikuan te Bastriu në vazhdimin e luftës për liri, deri në çlirimin e Kosovës. Në këtë pikëpamje ndikoi edhe edukata familjare, përmes së cilës është rrëfyer kujtesa e historia e hidhur e mësuar në shkollë, si dhe pasuria folklorike e rrëfimtare për luftërat heroike të brezave ndër shekuj. Ndikoi edhe gjendja e mjerë e jetës në Kosovë e shkaktuar nga shtypja e shfrytëzimi ekonomik, papunësia, si dhe të drejtat e kufizuara kombëtare e njerëzore, si shenjë e pushtimit të Kosovës. Shkollën fillore Bastriu e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Vushtrri. Pas shkollimit të mesëm u mor me ndërtimtari. Ishte me shtat mesatar, i unë, i vendosur dhe i afërt me shokë e farefis.

Mori pjesë në manifestimet antijugosllave në Vushtrri e më gjerë që nga fundi i viteve tetëdhjeta të shekullit të shkuar. Edhe ato i dhanë nxitje për vazhdimin e luftës kundër armikut me forma të ndryshme sistematike. Si i tillë ishte i përndjekur nga pushteti shtypës serb.

Kontaktet e frymëzimet me disa pjesëtarë të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i mori përmes vëllait Fadilit, mikut Osman Musliut e bashkëluftëtarit Dibran Përçukut, prej të cilëve mori frymëzimet e mjaftueshme për kyçjen në luftën vendimtare të armatosur për liri.

U rreshtua në Brigadën 141 të Zonës Operative të Shalës “Mehë Uka”, batalioni i IV “Rexhep Musa” me angazhimin kryesisht furnizues dhe punoi në logjistikë, së bashku me pjesëtarë të tjerë të batalionit. Si i tillë, u angazhua edhe me detyra të ndryshme ushtarake çlirimtare në Skromë, Bajgorë, Studime, Ceceli, Vushtrri, bashkë me vëllain më të ri, Aliun, po ashtu dëshmor, Fadilin, kushëririn, Qamilin (vëllai i gjyshit, i vrarë dy muaj përpara), Hamzë Hysenin, pastaj Dibran Përçukun (udhëheqës logjistike), Nazmi Popovën etj.

Sipas nevojës, Bastriu u angazhua edhe në punë logjistike, sidomos në bartjen e mjeteve luftarake, gjërave ushqimore e veshëmbathjeve nga qyteti, me plot vullnet, guxim e zhdërvjelltësi, por edhe me rreziqe, pa iu trembur syri, duke kaluar shkuarjeardhje, madje shpesh edhe nëpër punkte ushtarako-policore serbe.

Bie dëshmor pikërisht më 2 maj 1999 në Martiraj, pak minuta pas ndarjes nga vëllai, Fadili.

Varroset në Martiraj (ish-Studime), ndërsa pas luftës, rivarroset me nderime ushtarake në Kompleksin memorial, në varrezat e dëshmorëve në Bletajë të komunës së Vushtrrisë.

Ishte i martuar dhe pas vetes la të shoqen me dy fëmijë: Kushtrimin e Beqirin, të cilët po rriten me kujtimet krenare për babain e tyre të rënë dëshmor e të përjetësuar në historinë e lavdishme të Kosovës.

Për meritat luftarke të Bastriut, familja e tij ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Zonës Operative të Shalës, qeveria e parë e Komunës së Vushtrrisë (fillë pas luftës), nga Drejtoria komunale e Arsimit të Vushtrrisë, si dhe nga Shtabi i Përgjithshëm në Prishtinë.

Emri i tij është i skalitur në lapidarët e dëdhmorëve të Zonës Operative të Shalës, në oborrin e shkollës fillore në Ceceli, në Bare dhe në Marinë të Skënderajt, midis mijëra dëshmorësh të tjerë të luftës çlirimtare të UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …