Në reagimin e profesor, doktor, Rexhep Qoses lidhur me vizitën e kryekuvendarit Veseli në Akademën e Shkencave dhe deklaratave publike që dha ai me këtë rast si dhe deklatarave të kryetarit të ASHAK-ut, Hivzi Islami, thuhet: Në medie elektronike dëgjova dy deklarata që u dhanë me rastin e vizitës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
E para ishte deklarata e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës i cili tha, me një gramatikë prej analfabeti, se problemet e Asociacionit të Komunave Serbe dhe të Demarkacionit me Malin e Zi nuk zgjidhen ashtu si po shohim në televizione, domethënë si po kërkon opozita, por zgjidhen me institucione ashtu si po kërkon kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, domethënë ashtu si duan Serbia dhe Mali i Zi! Unë kuptoj pse kryeministri i Kosovës pajtohet të krijohet edhe një shtet serb në Kosovë dhe t’i jepet një pjesë e Kosovës Malit të Zi. Njëkohësisht, unë kuptoj pse me këtë pajtim të kryeministrit të Kosovës pajtohen edhe shërbëtorët e tij të Akademisë, të cilët e kanë bërë akademik pa kurrfarë meritash shkencore dhe pa kurrfarë vlerash intelektuale!
Meqenëse kuptoj se kryetari i Qeverisë së Kosovës dhe kryetari i Akademisë pajtohen me dy marrëveshje që cenojnë rëndë interesat e përtashme dhe historike të Kosovës më duhet ta kuptoj edhe pajtimin e mendjes katërkëmbëshe të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me burgosjet politike të anëtarëve, të deputetëve e të deputeteve, të opozitës!
Deklarata e dytë ishte ajo e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se ligji për Akademinë e Shkencave e të Arteve, i cili është në procedurë, do të miratohet ashtu siç do Akademia! Në këtë mënyrë kryetari i Kuvendit të Kosovës shpërfilli dhe përbuzi opinionin e Kosovës, institucionet e ndryshme shkencore, fakultetet, studiuesit shkencorë dhe krijuesit e arteve, që para miratimit të tij kanë të drejtën ta shfaqin mendimin për këtë ligj. Për të qenë puna edhe më zi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shpërfilli plotësisht edhe vullnetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët do të duhej ta diskutojnë e ta miratojnë atë ligj jo ashtu si do ajo Akademi private, të cilën qe 20 vjet e sundon, e shfrytëzon, e korrupsionin një klan mafioz, por ashtu si e duan interesat e Republikës së Kosovës.
Askund në botë në shtetet demokratike kuvendet nuk miratojnë ligje duke shpërfillur ata që ka zgjedhur populli për vlerësimin dhe miratimin e tyre.
Demokracitë e tilla, ku ligjet aprovohen siç tha sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, në botën moderne quhen demokraci skllavopronare.