MINISTRI LEKAJ ME BASHKËPUNËTORË VIZITOI VENDIN KU PO NDODHIN RRËSHQITJET E DHEUT NË SEGMENTIN KAÇANIK- HANI I ELEZIT

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, ka vizituar segmentin e rrugës nacionale N 2, Kaçanik-Hani i Elezit, ku edhe po ndodhin rrëshqitjet e gurëve dhe dheut, për pasojë të të cilave Ministria e Infrastrukturës e ka mbyllur tashmë këtë rrugë deri në sanimin të plotë të gjendjes. Ministri Lekaj, duke iu adresuar mediave tha: “Ne jemi në vendin ku po ka rrëshqitje e që kemi marrë vendim për ndalim të qarkullimit rrugor edhe pse ka qenë e pa pranueshme, meqë e atakon transportin dhe lëvizjen e lirë, mirëpo jemi shtyrë të marrin një vendim të tillë për shkak të sigurisë së qytetarëve. E falënderoi drejtorin e projektit të “Bexhtel & Enka”, zotin Riyadh, për ofrimin e të gjitha shërbimeve që nga dita e parë si dhe zëvendësministrin Rexhep Kadriu, për ndihmën në vendimin që ta parandalojmë para se të ndodhë diçka e keqe. Kjo është një praktikë e mirë në Kosovë, ne do të vazhdojmë dhe do t’i shikojmë të gjitha pikat tjera që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe do të intervenojmë paraprakisht dhe jo pasi që të ndodhë ngjarja. Prandaj këtu jemi që të sanojmë gjendjen sa më parë, mbi bazën e vlerësimeve  që do t’i kemi brenda një jave dhe në bazë të fjalës së ekspertëve do të vendosim se si t’i qasemi sanimit të rrugës, sepse ka vështirësuar qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave. Ne dje kemi rënë në kontakt me Qeverinë e Maqedonisë dhe me homologun tim kam biseduar tri herë nëpërmjet telefonit dhe jemi çfarëdo vendimi që të merret për zhvendosjen e doganave në Glloboçicë, janë dakord si Qeveri e Maqedonisë në mënyrë që të mos kemi vështirësi në komunikim dhe dogana, gjë që varet edhe nga ta”, tha ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj. Ndërkaq, Drejtori i Projektit Riyadh Alkhazraji ka thënë se ata po japin kontributin e tyre në ndihmë për analizuar dhe sanuar gjendjen në mënyrë që pas sanimit të këtij segmenti, kjo rrugë të jetë e sigurt në plan afatgjatë për të gjithë qytetarët e vendit. Më pas ministri Lekaj, ka vizituar urën që po ndërtohet në Autoudhën “Arbën Xhaferi”, e cila është një ndër urat më të mëdha në vend dhe rajon dhe ka parë nga afër punimet që po kryhen në këtë projekt madhor dhe tejet me rëndësi për vendin dhe qytetarët. Ministri Lekaj është shprehur i kënaqur me punimet në këtë urë të Autoudhës “Arbën Xhaferi”, e cila do të jetë edhe pjesa më e veçantë e kësaj autoudhe, sepse kjo urë do të jetë më e gjata në rajon dhe pjesë të saj do të jenë të larta deri në 80 metra mbi nivelin e tokës. “Jemi duke inspektuar punimet në Autoudhën “Arbën Xhaferi” dhe me të vërtetë po habitem me progresin e punimeve, sidomos të kësaj ure që është më e gjata në rajon, me gjatësi prej 5.7 kilometra dhe e tërë kjo urë do të përfundojë me 25 shtator të këtij viti. E falënderoi zotin Riyadh që po tregojnë përkushtim që i tërë projekti të përfundojë deri në fund të këtij viti, por edhe ne si ministri do t’u përmbahemi detyrimeve tona që të mos ketë stërzgjatje të punimeve dhe të vijmë në situata çfarë kemi qenë më herët. Është për t’u vlerësuar tërë kjo punë profesionale dhe saktësia e implementimit të këtij projekti. Ndihem mirë kur në Kosovë ndërtohen rrugë të tilla kualitative dhe me standarde evropiane”, tha në fund të fjalës ministri Lekaj. Kurse, Alkhazraji i ka njoftuar mediat me ecurinë e punimeve dhe me sfidat që kanë hasur si kompani, por që falë profesionalizmit të ekspertëve dhe punonjësve të tyre janë tejkaluar. Ndërkaq ai ka thënë se varësisht prej dinamikës së punimeve ata kanë të angazhuar nga 2600 deri 2700 punonjës në ditë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …