Raporti i Progresit për vitin 2017 ka zbuluar se Kosova nuk ka shënuar aspak progres në fushën e arsimit, pasi që është vlerësuar se asnjë përparim nuk është bërë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe adresimin e boshllëqeve të aftësive në tregun e punës, njohësit e kësaj fushe fajin ia hedhin Ministrisë së Arsimit dhe organeve tjera relevante. Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, me rastin e prezantimit të Raportit të Progresit pati thënë se gjendja e arsimit në Kosovë nuk është aspak në një situatë të mirë, përderisa ka shtuar se nevoja për të përmirësuar këtë situatë është emergjente.
Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, në një prononcim për KosovaPress, ka thënë se të gjeturat e Raportit të Progresit kanë qenë të pritura, pasi Qeveria ka sjellë plane të cilave nuk iu është përmbajtur. Ai thotë se të gjeturat e këtij raporti janë më se reale. Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ismajl Kurteshi, ka thënë se faji kryesor rëndën mbi institucionet e vendit, derisa ka shtuar se arsimi që nga paslufta jo që ka përparuar por vetëm sa ka ngecur dhe ka degraduar.
Këshilltari i ministrit të Arsimit, Valmir Gashi, ka bërë të ditur se janë duke punuar që të nxjerrin arsimin nga gjendja në të cilën e kanë gjetur. “Raporti i Progresit 2018, e që në fakt ka të bëjë me punën e bërë gjatë vitit të kaluar, tregon që në vendin tonë nuk ka progres në fushën e edukimit. Gjithsesi, raporti kritikon qartë një numër të madh të punëve që nuk janë bërë, e që për ne janë të trashëguara. E mira është që çështjet kryesore për të cilat flitet në raport janë ato me të cilat ne jemi duke punuar shumë që kur ministri Bytyqi e ka marrë për të drejtuar MAShT-in”, tha ai. Si punët më të mira të cilat janë bërë deri më tash nën drejtimin e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ai ka përmendur Ligjin për Arsimin e Lartë, përgatitjet e nxënësve për testin PISA, si dhe zgjedhjen fer të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Për këtë të fundit tha se kanë lënë shembull të mirë edhe për institucionet tjera në vend.(Kosovapress)