Komunikatë nga tryeza e sotme për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara mbajtur në Prishtinë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në bashkëpunim me One to One Children’s Fund, sot më 3 dhjetor 2015 në Prishtinë, mbajti tryezën në kuadër  të ditës ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuara.

Qëllimi i tryezës ishte të sjellë së bashku të gjitha institucionet relevante, shoqërinë civile, median dhe publikun e gjerë për të përqendruar vëmendjen në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Në tryezë u diskutua për situatën aktuale e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë, përmes prezantimit të arritjeve, sfidave, përcaktimit të prioriteteve dhe rekomandimeve.

Konferencën e hapi presidentja e KOMF, znj. Blerta Perolli Shehu. “Në Kosovë, shumica e fëmijëve me aftësi të kufizuara jetojnë në kushte të vështira dhe nuk i gëzojnë plotësisht të drejtat e fëmijëve” deklaroi znj. Shehu. Ajo kërkoi që të ndërmerren hapa konkret për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe shtoi se KOMF do të monitorojë zbatimin e tyre në praktikë. Znj. Liridona Zogaj, drejtoreshë e One to One Children’s Fund, organizatë kjo e cila ofron shërbime përmes qendrave ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara, foli për vështirësitë financiare të këtyre shërbimeve për fëmijët, ku ajo bëri thirrje që komunat të përkujdesen për financimin e këtyre shërbimeve.

 

 

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, znj. Lirie Kajtazi, shprehu gatishmërinë e saj si Deputete e Kuvendit të Kosovës dhe Kryetare e Komisionit për të kontribuar në përmirësimin e rregullativës ligjore për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kjo pasi që ky komision do ta ketë në shqyrtim Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Avokat i Popullit z. Hilmi Jashari më shumë u fokusua në problemin e zbatimit adekuat të ligjeve, me ç’rast theksoi se nevojitet hulumtim dhe analizë e situatës për të ardhur në përfundime se ku qëndrojnë ngecjet e zbatimit të ligjeve dhe respektimit të të drejtave të fëmijëve.

Ndërsa, z. Sazan Ibrahimi – drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave  të Kosovës, u deklarua për problemin e financimit të shërbimeve sociale në komuna. “Zakonisht bartja e kompetencave nga niveli qendror në atë komunal duhet të shoqërohet edhe me bartjen e financave.. Në vend se të investohet në komoditet në nivelin qendror, është mirë që ky investim të vihet për nevojat e qytetarëve në nivel komunal”, tha z. Ibrahimi.

Sekretari i Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara z. Aziz Nishori tha se periudha 2000 – 2015 ka pasur përmirësime, mirëpo e cila nuk mjafton “Nevojitet bashkëpunim i ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Financave, të cilat janë kyçe për të çuar përpara çështjet që ndërlidhen me fëmijët me aftësi të kufizuara”.

Në tryezë u diskutuan vështirësitë të cilat hasin fëmijët me aftësi të kufizuara, në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale etj, ku ndër kryesoret u përmenden:

 

       Përfshirja jo e plotë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin e arsimit si pasojë e mungesës së vullnetit institucional në planifikimin buxhetor për zbatimin e ligjeve për organizimin e arsimit gjithëpërfshirës të fëmijëve me nevoja të veçanta, numrit të vogël të  kuadrit organizativ, mos zbatimit të duhur të programeve individuale të arsimit për fëmijët me aftësi të kufizuara; mungesës së asistentëve të fëmijëve me aftësi te kufizuara dhe numrin tejet të vogël të mësimdhënësve udhëtues;

 

 

       Mungesa e shërbimeve cilësore shëndetësore për fëmijët me aftësi të kufizuara;

 

       Pamjaftueshmëria e shërbimeve sociale të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara;

 

       Mosgarantimi i mbrojtjes gjithëpërfshirëse të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Ligjin për Përkrahje Materiale Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Përhershme;

 

       Infrastruktura rrugore për lëvizje të lirë mbetet problematike;

 

       Mungesa e numrit të saktë të fëmijëve me aftësi të kufizuara;

 

KOMF thekson që situata e tanishme e fëmijëve me aftësi të kufizuara do intervenim të menjëhershëm, përmes veprimeve të mëposhtme:  

 

       Qeveria e Kosovës duhet të investojë duke e bërë prioritet mbrojtjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara përmes ndarjes së buxhetit të nevojshëm për zbatimin e politikave, ligjeve dhe strategjive në sektorin e shëndetësisë, të mirëqenies sociale dhe atë arsimor;

 

       Ministria e Shëndetësisë duhet të sigurojë shërbimet cilësore shëndetësore dhe pajisjet ndihmëse që do të ofrohen për fëmijët me aftësi të kufizuara;

 

 

       Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet të fillojë plotësim ndryshimin e ligjit për përkrahje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara. Ligji duhet të realizojë mbrojtje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë dhe fëmijët me aftësi të pjesshme të kufizuara;

 

       Komunat sipas mandatit të tyre ligjor duhet të zhvillojnë shërbimet sociale të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ngritja e qendrave për qëndrim ditor është një nevojë themelore për trajtimin, rehabilitimin dhe ri integrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara;

 

       MASHT dhe Komunat duhet të fokusohen në përfshirjen e të gjithë fëmijëve me aftësi të kufizuara në sistemin arsimor. Duhet të investojnë në rritjen e cilësisë në arsimimin gjithëpërfshirës, përmes rritjes së kuadrit organizativ dhe profesional në arsimin gjithëpërfshirës, rritjes së numrit të mësimdhënësve  mësimdhënësve udhëtues;

 

       Ministria e Infrastrukturës dhe Komunat duhet të largojnë barrierat në qasje publike, transport, komunikim, informacion në mënyrë që fëmijët me aftësi te kufizuar të kenë qasje në edukim dhe jetë sociale të mirëfilltë duke ulur kështu izolimin dhe varësinë.

 

       Deputetët e Kuvendit të Kosovës në kuadër të komisioneve përkatëse të punojnë në monitorim të zbatimit të ligjeve që prekin fëmijët me aftësi të kufizuara dhe të kërkojnë llogaridhënie karshi Qeverisë dhe Komunave duke përfaqësuar dhe mbrojtur interesin më të mirë të fëmijëve me aftësi të kufizuara;

 

       Agjencia e Statistikave të Kosovës duhet të dal me statistikë të saktë të fëmijëve me aftësi të kufizuara sipas komunave, në mënyrë që të ketë planifikime konkrete të programeve mbështetëse për ndërhyrje.

KOMF bën thirrje që rekomandimet e lartpërmendura të adresohen përmes hapave konkret nga institucionet me qëllim mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

 

Klevis Vaqari

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …