leoni

Ilmi Smajl Bahtiari (2.2.1965 – 15.5.1999)

Ilmi Smajl Bahtiari (2.2.1965 – 15.5.1999)

Dita e 15 majit të vitit 1999 është ditë gjithëfrontale e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, si edhe në shumë ditë të tjera kishte luftime anembanë Kosovës. Pothuajse në të gjitha anët e fronteve kishte luftime të ashpëra me intensitet të shtuar që u zhvilluan ndërmjet luftëtarëve të lirisë dhe forcave policore, ushtrake dhe paramilitare çetnike serbe, të cilët me çdo kusht përpiqeshin për ta çuar në vend planin e Çubriloviqit dhe ëndrrën e Sllobodan Milosheviqit për serbizimin e Kosovës dhe pushtimin definitiv të saj. Kështu, në Zonën Operative të Drenicës gjatë këtyre luftimeve u përjetësuan luftëtarët e lirisë: Faik Ymer Goxhuli i Makërmalit ndërsa në luftime afër Qëndresës së Drenasit u përjetësuan në altarin e lirisë edhe Shefqet Jashar Bazaj, Adem Shaban Mulaj dhe Nuhi Rrustem Berisha.
Luftime të po këtij intensiteti kishte edhe në Zonën Operative të Llapit dhe në altarin e lirisë u përjetësuan luftëtarët Nexhmi Ibrahim Llumnica e Behram Sadik Behrami, ndërsa në Mollapolc të Shtimes u përjetësua edhe Elhami Shaban Hasani. Por, në vijën e frontit Kralan-Maznik të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, në luftimet edhe më të ashpëra u përjetësua dëshmori Sadri Rrustem Shala i Cërmjanit, ndërsa në Frontin e Koshares, të po kësaj zone gjatë luftimeve pothuajse “fyt për fyti” u përjetësuan Izet Ali Beqiri i Baballoqit të Deçanit, Muharrem Fadil Mehmeti, i Pakashticës së Besianës dhe Ilmi Smajl Bahtiari i Blaçit të Opojës së Sharrit, i njuhur si “Oçalani”.

Dëshmori i kombit Ilmi Bahtiari u lind më 2 shkurt të vitit 1965 në fshatin Blaç të Opojës, komuna e Sharrit. U lind dhe u rrit në një familje të varfër blegtore fshatare, por që ishte një vatër e njohur patriotike gjatë rrjedhave historike të mbrojtjes kombëtare të Kosovës dhe bashkimit të trojeve etnike. Kjo familje përherë ishte e përndjekur, e dënuar dhe e persekutuar nga regjimi pushtues serb. Smajl Bahtiari, babai i dëshmorit dhe nëna, Bahria, e fisit Lekaj të fshatit Pllavë, kishin gjashtë djem: Nuriun, Fadilin, Samiun, Hylkiun, Shpëtimin dhe Ilmiun.
Dëshmori i kombit Ilmi Bahtiari, shkollën fillore e kreu në shkollën “Ganimete Tërbeshi” të Bresanës, ndërsa të mesmen e filloi në gjimnazin e Sharrit, por pushteti serb e largoi nga shkolla duke e shpallur irredentist. Pra ai u përjashtua, i akuzuar për “nacionalizëm dhe irredentizëm” shqiptar. Pas shqiptimit të kësaj mase Ilmiu kaloi në Prizren, ku u regjistrua në shkollën e mesme, ndërsa studimet i filloi në Universitetin e Prishtinës, në Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, dega e Matematikës, por ato nuk i përfundoi.
Ilmiu dhe të gjithë vëllezërit e motrat e tij kishin vullnet të flaktë për vazhdimin e shkollimit në universitet, por veprimtaria patriotike ua mori anën, prandaj edhe Ilmiu u detyrua për ta shuar këtë ëndërr dhe dëshirë, me çmimin e ndërprerjes së shkollimit, sepse më shumë donte lirinë e Kosovës e pastaj thithjen e dijes, prandaj pjesëmarrja në Demonstratat e Pranverës së vitit 1981 dhe shumë aktivitete të tjera të Ilmiut, ndiqeshin prej organeve të sigurimit serb, e kjo i ra në sy policisë serbe dhe studenti i ri nga Opoja, në Prizren e Prishtinë, për shkak të pjesëmarrjes në organizimin e demonstratave, u burgos disa herë në Sharr, në Prizren dhe në Prishtinë.
Më 1986, për t’iu shmangur ndjekjeve niset në rrugën e mërgimit dhe vendoset në Rumani, e më vonë kalon në Austri dhe Itali. Në fund vendoset në Zvicër, pa harruar asnjëherë se këtej kishte lënë Kosovën, kishte lënë bashkëshorten, Suadën me dy vogëlushët; Fluturën dhe Elbasanin, sot të dyt të rritur e të burrëruar në frymën e të et. Pra, në Zvicër, vuri kontaktet me veprimtarët e çështjes kombëtare dhe me fondin “Atdheu në rrezik, vendlindja thërret!”. Bëri përpjekje maksimale për të grumbulluar armatim, por për këtë veprimtari u burgos në Austri dhe u dënua me ndalesë hyrjeje në këtë shtet për pesë vjet.
Gjatë tërë vitit 1998, Ilmiu solli armatim deri në Shqipëri dhe më 2 prill të vitit 1999, së bashku me shumë mërgimtarë të gatshëm për të depërtuar në Kosovë, arriti në Durrës dhe prej andej kaloi në stërvitoren e UÇK-së në Kolsh, ku bëri stërvitjet e duhura deri më 23 prill. Përveç stërvitores së Kolshit, ky luftëtar i lirisë kaloi edhe kurset në stërvitoren e Burrelit, ku si luftëtar i dalluar u caktua komandant kompanie për stërvitje, tashmë i popullarizuar me nofkën “Oçalan”. Ai u shqua për kontributin e madh në ngritjen e moralit luftarak. Pas përfundimit të shumë stërvitjeve, si luftëtar i dalluar u caktua për në Frontin e Koshares, nën komandën e eprorit Rrustem Berisha, ku u zhvilluan luftimet e ashpra ndërmjet Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, dhe forcave ushtarake, policore e paramilitare çetnike serbe.
Më 8 maj të vitit 1999, Ilmiu ishte në Koshare, ku mori pjesë në të gjitha luftimet që u zhvilluan në këtë areale luftarake. Ai ishte i përgatitur mirë fizikisht dhe moralisht. Kishte fizikun e një sportisti dhe njohuri të gjera në fushën e artit luftarak, “pehlivan më”, siç thonë opojarët.
Ilmi Bahtiari shquhej për vendosmërinë dhe shkathtësinë e një ushtari të devotshëm. Por në ndërrimin e natës me ditën, më 14-15 maj 1999, ai ishte në krye të detyrës kur pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gabimisht u granatuan nga aeroplanët e NATO-s. Në këtë rast, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u dëmtua, por asnjëherë nuk kaloi në amulli, u përgatit për sulme të reja mbi formacionet serboçetnike, të cilave dita më ditë u afrohej fundi famëkeq. Por pikërisht në këto sulme, Ilmiu mori plagë vdekjeprurëse, të cilave nuk arriti t’u përballoi, prandaj edhe bashkëluftëtarët e përcollën për në amshim në “Kopshtin e Dëshmorëve” në qytetin Bajram Curr. Më 23 gusht të vitit 1999, trupi i dëshmorit Ilmi Bahtiari u rivarros në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Koshare, ndërsa me dëshirën e familjes, trupi i tij u tërhoq për t’u rivarrosur në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Sharr. Ky solemnitet u zhvillua më 7 shtator të vitit 1999, ku pushon edhe sot.
Familja e kryefamiljarit Smajl Bahtiari, në murin ballor të odës mban mirënjohjen e dhënë nga Brigada 138 “Agim Ramadani” dhe një të këtillë për kontribut të përgjithshëm të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ilmiu kishte mbajtur ditar për secilën ditë të luftimeve, mirëpo sot asgjë nuk dihet për këto shënime të aktorit të dikurshëm.
Për luftën e luftëtarëve të trevës së Opojës në Sharr, sot flet lapidari në “Kopshtin e Dëshmorëve” të komunës së Sharrit, që shkëlqen në të djathtë të rrugës Sharr-Prizren dhe madhështia e këtij lapidari flet për heroizmin dhe vendosmërinë e “Djemve të Sharrit”, kurse xhaxha Smajli, e nënë Bahria, u rrëfejnë mbesës së tyre, Fluturës dhe nipit, Elbasanit, për trimërinë e Dëshmorit të Kombit Ilmi Bahtjari. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …