Kryeministri, Ramush Haradinaj ka bërë me dije se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri do të ndodhë. Haradinaj ka thënë se Kosova për këtë proces nuk mund të pres pakufi. “Transformimi i FSK-së në ushtri nuk nënkupton marrjen e detyrave të KFOR-it. Ne e respektojmë KFOR-in dhe e vetmja gjë që ushtria e Kosovës bën është që t’ia lehtëson punën KFOR-it dhe të kalojmë në kontribuues të sigurisë. Ne duhet të veprojmë një ditë. Nuk mund të presim pa kufi”, është shprehur Haradinaj pas takimit që me ambasadorët e akredituar në Kosovë.
Kryeministri ka thënë se transformimi i FSK-së në ushtri mund të bëhet edhe përmes ligjeve të Kosovës, duke mos treguar një datë se kur një gjë e tillë do të ndodhë. “Jam thellë i bindur se nëse jo përmes ndryshimit kushtetues, atëherë përmes ligjeve do të ndodhë. 11 për qind e pjesëtarëve të FSK-së janë nga komunitetet etnike, ndër ta edhe serbë të veriut. Nuk e precizojmë sa ditë muaj, por do të ndodhë. Qëndrimi im final ishte se me transformimin e FSK-së në ushtri askush nuk humb”, ka thënë kryeministri Haradinaj.