Turpi dhe dyfytyrësia e liderëve politik të Kosovës nuk kanë të ndalur. Dje me rastin e 70 vjetorit të pavarësisë së shtetit të Izraelit, u mbajt një manifestim në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Në këtë manifestim morën pjesë Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministra, kryetarë Komunash dhe personalitete të tjera. Pikërisht dje regjimi i Izraelit zhvilloi një ndër masakrat më të mëdha ndaj popullit palestinez që nga viti 2014.
Dje regjimi i Izraelit vrau mbi 50 dhe plagosi mbi 1000 palestinez të cilët po protestonin kundër zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.
Liderët politikë të Kosovës në vend që të dënojnë masakrën e regjimit të Izraelit ndaj popullit palestinez, këta festojnë dhe fëmijëve tanë iu japim veshje izraelite me rastin e 70 vjetorit të pavarësisë së Izraelit. Edhe pse ky shtet sionist nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.
Historikisht shqiptarët gjithmonë kanë ndihmuar popullin hebre. Edhe në kohën kur shqiptarët kanë qenë pjesë e Perandorisë Osmane kanë ndihmuar popullin hebre nga inkuizicioni në Spanjë, edhe në kohën e luftës së dytë botërore, shqiptarët kanë mbrojtur hebrenjtë nga nazistët. Por regjimi i Izraelit vazhdon të mos e njoh shtetin e Kosovës.
Liderët politik të Kosovës duhet ditur një gjë, duhet gjithmonë ta mbështesin drejtësinë dhe jo të fortin. Ngase drejtësia gjithmonë në fund ka fituar, ndërsa i forti e veçanërisht nëse pushteti i tij është arritur duke shtypur popuj të pafajshëm do të humbë ashtu si kanë pësuar humbje gjitha pushtetet zullumqare dhe të padrejta.