FILLOI PUNIMET KONFERENCA VJETORE “JAVA E SHKENCËS 2018″

Ka filluar punimet Konferenca jubilare „Java e shkencës 2018“, e cila pasqyron të arriturat e Kosovës dhe rajonit në fushën e shkencës për periudhën njëvjeçare. Punimet e kësaj Konference do të zhvillohen në seanca të ndara në të cilat do të prezantohen punimet hulumtuese-shkencore edhe në tri ditët e ardhshme 16, 17 dhe 18 maj 2018. Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në fjalën e tij të hapjes uroi pjesëmarrësit të cilët me veprimtarinë e tyre hulumtuese-shkencore do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Ministri Bytyqi tha se „Java e shkencës“ paraqet rrjetëzim të shkencëtarëve të rinj nga Kosova dhe rajoni, të cilët po na bëjnë krenarë me paraqitjen e tyre çdo herë e më cilësore. „Është shënuar rritje e vazhdueshme e pjesëmarrjes. Në vitin 2017 kishte rreth 320 autorë dhe bashkautorë nga shtatë vende të rajonit dhe Evropës. Masivizimi i tillë ka realizuar qëllimin e parë, ndërsa këtë vit dhe vitet në vijim fokusi do të përqendrohet në rritjen e cilësisë së punimeve shkencore të paraqitura dhe në ndërkombëtarizimin e kësaj ngjarje me vlerat e prezantimit“, ka thënë ministri Bytyqi. Ministri Bytyqi ka thënë se, paraqitja dhe prezantimi i punimeve shkencore në të ardhmen do të bazohet në standardet ndërkombëtare, duke shtuar se, kontributi shkencor i kësaj Konference po shënon një ngritje të vazhdueshme vit pas vit, e  cila është arritur me anë të ngritjes së mekanizmave të recensentëve dhe vlerësimeve të Konferencës, si dhe mekanizmave për recensimin e kumtesave të cilat janë pjesë e këtyre prezantimeve. Ministri Bytyqi po ashtu ka thënë se MAShT-i do të krijojë rrethana mbështetëse për veprimtarinë kërkimore-shkencore, duke përmirësuar bazën ligjore dhe nënligjore dhe ngritur nivelin e financimit të kësaj veprimtarie. Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se „Java e shkencës“ ka filluar të organizohet në një rrethanë të re, ndërkaq uroi që puna kërkimore- shkencore e cila prezantohet në këtë Konferencë të jetë në funksion të avancimit të dijes. „Puna kërkimore dhe shkencore vlerësohet si mjeti më i fuqishëm i avancimit të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Prandaj potenciali i juaj njerëzor, shkencor dhe kulturor si studiues, përbën një mbështetje të fuqishme për të gjitha proceset në të cilat po kalon shteti dhe shoqëria“, ka thënë presidenti Thaçi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …