Sot, në Sofje të Bullgarisë nis punimet Samiti i BE-së dhe i Ballkanit Perëndimor. Pjesëmarrës në këtë samit do të jenë krerët më të lartë shtetërorë të të gjitha vendeve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përveç krerëve të institucioneve të BE-së, pjesë e samitit janë edhe politikanët më të fuqishëm të tri kryeqendrave të deritashme evropiane, përkatësisht Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May. Kosova në këtë samit po përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi. Analistët evropianë po e cilësojnë Samitin e Sofjes si historik, derisa pritjet nga punimet e tij janë të mëdha edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat synojnë të bëhen pjesë e familjes evropiane.