Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci përmes një postimi në rrjetin social ka thënë nxënësit me nevoja të veçanta arsimore shumë shpejtë do ta gëzojnë mbështetjen e merituar e deri tash të munguar. Ajo ka theksuar së pas presionit të madh nga shumë qytetarë dhe nga media, për mospërkrahjen e amandamentit që parashihte punësimin e asistentëve, psikologëve e pedagogëve në Institucionet Edukativo Arsimore, ka filluar dhe një vetëdijësim dhe reflektim në këtë drejtim.
“Nxënësit me nevoja të veçanta shumë shpejtë do të kenë mbështetjen e merituar në çerdhet dhe shkollat publike. Mbështetja e grupeve të cënueshme për gjithëpërfshirje në arsim, është obligim i institucioneve tona, por kjo përkrahje ka munguar deri tani. Pas presionit të madh që pasojë nga shumë qytetarë, nga mediat e përfaqësues të Shoqërisë Civile, mospërkrahja e amandamentit që parashihte punësimin e asistentëve, psikologëve e pedagogëve në Institucionet Edukativo Arsimore, ka filluar dhe një vetëdijësim e reflektim kritik në këtë drejtim. Tashmë kjo kategori është paraparë në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, në kuadër të politikave të reja janë paraparë njëqind asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta si dhe është kërkuar kodi i veçantë për punësimin e asistentëve në klasat e integruara. Iniciativat zhvillimore që marrin përkrahjen e profesionistëve dhe njerëzve vullnet mirë si dhe presioni mbi politikbërësit gjithsesi se përfundojnë me sukses! Por, duhet angazhim, vëmendje dhe vazhdim i insistimit të gjithë neve që kjo të realizohet sa më parë, që në fillim të vitit të ri shkollor”, ka shkruar ajo.