Në një reagim të porsuat nga profesor Rexhep Qosja thuhet: Ish kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u dërgua në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz afër Podujevës dhe u dërgua aty si të ishte kriminel me rrezikshmëri të lartë e jo deputet i Republikës së Kosovës! Në burgun e sigurisë së lartë janë vënë edhe zyrat e Vetëvendosjes: rreth tyre edhe në mëngjesin e sotëm janë forcat policore! Të rinjtë shqiptarë të konsideruar armiq të pushtimit serb, regjimi i Millosheviqit i çonte në burgun e sigurisë së lartë në Beograd, në Centralni Zatvor, dhe në burgjet e sigurisë së lartë në Sremska Mitrovicë e në Nish. Regjimi i ish shërbëtorit të Millosheviqit, Isa Mustafës, dhe bashkëpunëtorit të tij të sotëm, Hashim Thaçit, kundërshtarët e vet politikë, të trajtuar armiq, s’mund t’i çojë aq larg, por po i çon afër, në Burgun e Sigurisë së Lartë te Podujeva. Mund të ndodhë që, në qoftë se këta dy dhunëtarë pushtetorë do të mbahen edhe ndonjë muaj në pushtet, Albin Kurtat e ardhshëm t’i çojnë në burgun e sigurisë së lartë në Bashkësinë e Komunave Serbe, në shtetin serb në Kosovë!
Ata që e urdhëruan dërgimin e Albin Kurtit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz – në Bastijën e Kosovës: Isa Mustafa e Hashim Thaçi, nuk e kanë mësuar historinë: ata s’dinë se Bastija e Francës është rrënuar prej atyre që rrëzuan tiraninë mbretërore dhe krijuan Republikën e Francës. Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz – Bastija e Kosovës është krijuar për më të rrezikshmit e sotëm të Kosovës: për të korruptuarit pushtetlartë, për pronarët e rançeve e pasurive të tjera të ndryshme të krijuara duke zhvatur Kosovën! Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz – Bastija e Kosovës është krijuar edhe për kriminelët e krimit të organizar e jo për mbrojtësit e Republikës, jo për mbrojtësit e tërësisë politike, kombëtare e territoriale të Kosovës. Ata që e urdhëruan dërgimin e Albin Kurtit në Burgun e Sigurisë së Lartë – në Bastijën e Kosovës, harruan se para rrënimit të Bastijës pashmangshmërisht, me logjikë historike, rrënohet regjimi që në Bastijë i çon atdhetarët e Kosovës.
Ashtu u bëftë!
Ashtu e do e mira e Kosovës!
Ashtu e do e ardhmja demokratike e Kosovës!