Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka marrë pjesë në ceremoninë festive të 70 vjetorit të themelimit të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Hasan Prishtina” në Tërpezë të Malishevës. Fillimisht, ministri Bytyqi është pritur nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe udhëheqës tjerë të qeverisjes lokale , me të cilët bisedoi për arsimin në këtë komunë, të arriturat dhe vështirësitë. Ndërsa, në ceremoninë e 70 vjetorit të shkollës “Hasan Prishtina”, ministri Bytyqi, me këtë rast, ua uroi nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe gjithë komunitetit këtë ditë dhe theksoi se kjo shkollë me kaq shumë vite punë dhe me një emër të madh, vazhdimisht ka qenë një vatër e edukimit të të rinjve, një vatër që ka nxjerrë kuadro që më vonë kanë kontribuar në shumë aspekte të zhvillimit. Ministri theksoi se ajo sakrificë e mësimdhënësve tanë, pa e përjashtuar edhe angazhimin e prindërve dhe nxënësve, ka bërë që sot të jemi në një formë të re të edukimit të brezave të rinj për një të ardhme të re. Bytyqi tha se vendi ynë ka nevojë për energji të reja, për dije të re, pra ka nevojë për një rini të edukuar mirë dhe të shëndetshme. Prandaj kërkoi nga nxënësit që ta bëjnë maksimumin, që të marrin dije në këtë shkollë dhe ta shfrytëzojnë këtë dije edhe për zhvillimin e vendit tonë. Ndërsa, mësimdhënësit i porositi që të vazhdojnë t’i edukojnë sa më mirë të rinjtë. Ministri Bytyqi siguroi udhëheqësit e shkollës dhe të Komunës, se MAShT do të jetë vazhdimisht afër tyre që të sigurojë kushte sa më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Kontrolloni gjithashtu
Limaj: Vlerat më sublime të lirisë së vendit po përbuzen, duhen sa më shumë ish-luftëtarë në Parlament
Nisma Socialdemokratike ka paraqitur sot programit dhe kandidatët e saj për deputetë, për zgjedhjet e …