Ministri i Jashtëm, Behxhet Pacolli, ka mirëpritur zgjerimin e përfaqësimit diplomatik të Republikës së Kosovës në kontinentin afrikan, me akreditimin jo-rezident të Ambasadorit të Republikës së Kosovës nga Senegali në këto dy shtete. “Kosova sot është prezente dhe aktive me përfaqësim diplomatik në kontinentin afrikan si asnjëherë më parë. Me propozimin tonë javën e kaluar është aprovuar themelimi i Ambasadës së dytë në Afrikë, e cila do të jetë në lindje të këtij kontinenti – Tanzani”, ka thënë Pacolli, thuhet ne komunikatën e MPJ-së.
“Shtrirja jonë e përfaqësimit diplomatik u zgjerua edhe në Afrikën Qendrore dhe atë Perëndimore me akreditimin e Ambasadorit tonë jo-rezident në Republikën e Çadit dhe Republikën e Liberisë”, ka thënë kryediplomati kosovar. Zgjerimi i përfaqësimit dhe prezencës diplomatike të Republikës së Kosovës ka qenë njëri nga prioritetet kryesore të Ministrit të Jashtëm, Pacolli, që nga fillimi i mandatit të tij”, thuhet në kumtesën e MPJ. Republika e Kosovës, përndryshe ka të vendosura marrëdhënie diplomatike me shumicën dërmuese të shteteve që e kanë njohur si shtet i pavarur dhe sovran.