“Nëse nuk jemi me ju, ne lundrojmë nëpër
pavdekësi. Lirisë së Kosovës ia dhuroj
të gjtha pranverat e mia dhe nuk
pendohem nëse ma çoni amanetin në vend.
Ju, vazhdoni së andejmi ku mbeta unë!”
(Mensur Zyberaj, Brigada 124 “Gani
Paçarizi”, Zona Operative e Pashtrikut,
fragment nga ditar i)
Dita e 26 prillit të vitit 1998 mbetet tejet e rëndësishme për kronikën e zhvillimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë ditë bashkëluftëtarët e Komandantit Legjendar Adem Jashari dalin publikisht në fshatin Drenaj (ish – Drenoc i Zatriqit) të Anadrinit, sulmojnë me një aksion – stuhie mbi forcat serbe në aksin e magjistrales Prishtinë – Pejë te Gjergjica e Balinca, por edhe në aksin e magjistrales Prizren – Gjakovë, te Krusha e Vogël e Pirana.
Sulmin te Balinca e kishin kryer në orët e pasdrekës njësitet “Lumi” dhe “Pëllumbat” dhe shkëlqyen luftëtarët e lirisë: Mehedin Morina, Imer Krasniqi, Fatos Krasniqi e Besim Halilaj, sot dëshmorë të kombit, ndërsa, po atë ditë, por në orët e vonshme të mbrëmjes, nga Drenica, neper Malishevë e Drenaj rrugëtojnë: Sulejman Selimi, Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Hoxha i Jashanicës, Isuf Gashi, Osman Zyberaj, Feim Gashi, Vehbi Muharremi dhe Xhevdet Mekani. Në Balincë luftëtarët e lirisë kaluan “pa therrë në këmbë”, por në aksin e Anadrinit, te Pirana plagosen: Sami Lushtaku dhe Hoxha i Jashanicës. Dhe kështu krisën pushkët e para dhe shkatërrohet njësiti policor patrullues të cilit i prinin edhe argatët shqipfolës që e njihnin mirë Hasin edhe fshatrat: Qëndresë (ish – Randubravë), Piranë, Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Celinë e Xërxë. Të specializuar për kolaboracionizëm, ata ndiqnin veprimtarinë e Nait Hasanit, të Ukshin Hotit, të Dervish Çadrakut, të Halil Çadrakut, të Rifat Dinës e të Smajl Latifit, por me fokusim të veçantë mbi Grupin e Drenajt: Isuf, Islam, Flurim, Bedrush, Avdi e Feim Gashi, të Osman, Mensur, Tafil e Bedri Zyberaj, të Vehbi Muharremit, të Hemë e Isuf Berishës, të Hamid Makshanës, Sakip Bellaqës, Përparim Thaçit, Xhemë Gashit, Selajdin Mullabazit, Gani Paçarizit, Milaim Krasniqit, Selim Krasniqit, Xhelal Hajdës, Idriz Vehapit, Ilir e Afrim Popajt, Arben Fetoshit e Durmish Gashit, por veçanërisht mbi Mensur Zyberajn i cili që nga fillimi i organizimit njihej si “Komandant Pesqinshi”.
Dëshmori i kombit, Mensur Sefer Zyberaj, është i lindur më 7 korrik të vitit 1965 në fshatin Drenaj të Anadrinit. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje ndërsa të mesmen në Rahavec. Duke udhëtuar, në rininë e hershme i ra që të ballafaqohet me “ruajtësit e rendit” në frymën e Ligjeve serbe kur dhuna, maltretimi dhe terrori ishin përditshmëri e hidhur mbi shpinën e shqiptarit, kur edhe Mensuri, i lindur dhe i rritur në një familje kombëtare me traditë shekullore, zuri t’i bëjë hapat e parë nëpër shtigjet e lirisë së bashku me të vëllanë Osmanin e me shokët: Fehimin, Bedrushin, Islamin, Flurimin e Bedriun.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, i ndjekur “për veprimtari armiqësore” Mendur Zyberaj regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë studimeve, duke kali ruar shtigjeve kah dituria dhe liria, zgjeron veprimtarinë dhe rrethin e shokëve. Fakulteti, studimet dhe veprimtaria patriotike i bashkojnë të cilët i lidhte ideali i bashkimit kombëtar. Kështu Mensuri lidhet edhe me: Lahi Ibrahimajn, Rexhep Selimin, Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Nuri Behxhetin, Nait Hasanin, prof. Muhamet Malësorin dhe prof. Ukshin Hotin dhe në Prishtinë faktorizohet, së bashku me Feim Gashin e Muhamet Malësorin në organizimin e rezistencës së armatosur për çka e frymëzonte veçanërisht prof. Ukshin Hoti, “Promethe i Shtetësisë së Kosovës”.
Në frymën e parimeve përgatitore të kalimit nga veprimtaria ilegale në veprimtari më të konsoliduar operative, merr pjesë në aksionet sulmuese mbi stacionet dhe postblloqet e policisë serbe dhe zbrazet Stacioni Policor i Drinasit (ish – Ratkocit) të cilin e shkatërrojnë; Mensur Zyberaj, Feim e Bedrush Gashi me shokë, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Pas këtij aksioni të suksesshëm për Grupin e Anadrinit, Mensuri vazhdon veprimtarinë me Vehbi Muharremin, Bedri Zyberajn, Tafil Zyberajn e Muharrem Berishën dhe përshpejtojnë dinamikën për organizimin e rezistencës së armatosur në fshatrat e Anadrinit.
Për ta realizuar këtë detyrë, Mensuri bashkëvepron me luftëtarët e lirisë nga Drenica e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Në Likoc e Açarevë gjendet së bashku me Rexhep Selimin, Kadri Veselin, Sabit Gecin, Sami Lushtakun e Xheladin Gashin – Plakun.
Rënia e dëshmorit Luan Haradinaj më 6 maj të vitit 1997 në “Qafën E Mullarit”, Mensurin e gjeti në Shqiponjë, ndërsa rënia e mësuesit Halit Geci në Llaushë, në Skënderaj. Së bashku me Bedrush Gashin, Feim Gashin, Haxhi Hotin dhe Sakip Bellaqën. Në Likoc marrin detyra për të vepruar në sektorin e logjistikës i cili kalonte nëpër Has. Kishte mbështetje nga i vëllaj Osman Zyberaj i njohur si “Baca i Vogël” e nga fqiu Isuf Sherif Gashi, “Baca i Madh” – dy shtylla në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 26 prill të vitit 1998, në fshatin Drenaj del publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe fshati shndërrohet në kazermë ndërsa me urdhërin e Shtabit të Përgjithshëm themelohet Shtabi Operativ Lokal i cili shumë shpejt avancon në nivelin rajonal të Anadrinit me stafin komplet dhe planin operativ për shtrirje. Punën e shtabit e drejtonte Mensur Zyberaj me ndihmën e vëllezërve Gashi; Bedrushit dhe Feimit. Me konstituimin e shtabit Operativ Rajonal, në ballë del Xhemë Gashi me: Gani Paçarizin, Selajdin Mullabazin, Selim Krasniqin, Isuf Gashin, Bedrush Gashin dhe Mensur Zyberajn. Pas aksionit të 26 prillit 1998, ndërmjet Krushës së Vogël e Piranës, më 12 maj shpërthejnë luftimet e para frontale ndërmjet forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave policore serbe në kodrinat pranë fshatrave: Franjakë, Bardhatin, Drenaj e Drinas.
Këto luftime shënojnë Betejën e Bardhatinit në të cilën thehen forcat policore – ushtarake serbe, ndërsa në radhët e luftëtarëve të lirisë përjetësohen: Milaim Krasniqi e Elmi Morina, e Mensurit i plagoset rëndë i vëllaj Osmani. Por atyre ditëve, pas betejës së Balincës e Grykës së Llapushnikut, luftimet shtrihen në Rrafshin e Anadrinit. Më 14 maj forcat serbe konsolidohen dhe sërish përpiqen për t’u ndërsyer kah Drenaj dhe fshatrat e Nënzatriqit me qëllim që të shpartallohet bërthama e formacionit të parë të Anadrinit në Drenaj. Forcat e Adem Jasharit barikadohen rrëzë Gardhishtit, pranë “Urës së Fshajt”. Edhe këtu serbët e thyen qafën bash në “Qafën e Gardhishtit” ku përjetësohet dëshmori i kombit Mehedin Morina i Gllarevës.
Pas thyerjes së forcave serbe në Gardhisht, policia kurthon “Pritën e Përudhës”, ndërmjet fshatrave: Fortesë e Xërxë në të cilën Mensurit i përjetësohen: Përparim Thaçi i Landavicës, Sakip Bellaqa i Burimit të Epërm dhe Feim Gashi i Drenajt e i plagoset rëndë Islam Gashi, por Mensuri qëndron i pathyshëm dhe vazhdon luftën e cila qe shtrirë nëpër fshatrat e Anadrinit. Më 6 qershor gjendet në luftimet e Drinasit kurse më 18 – 19 qershor në Bokat e Kromnikut.
Më 17 korrik 1998 “Komandant Pesqinshi” është në Luftimet për Rahavecin, kurse më 18 korrik në Betejën e Fortesës mbetet pa Gani Paçarizin, pa Agim Kelmendin, pa Tafil Zyberajn e pa Skënder Jahë Kastratin.
Por, menjëherë pas luftimeve të korrikut hetohet zbehja logjistike prandaj Mensur Zyberaj angazhohet sërish në korridorin logjistik: Drenaj – Celinë – Rogovë – Kushnin – Cahan në të cilin vepron deri më 27 tetor 1998 kur u prin shokëve për t’u riarmatosur. Më 6 nëntor mbetet pa Xhelal Hajdën e Selajdin Mullabazin, kurse më 3 dhjetor në Gurrazhub i përjetësohet bashkëluftëtari dhe shoku i idealit, profesor Muhamet Malësori.
Më 12 dhjetor rreshtohet në “Eshalonin e Mujë Krasniqit” dhe me luftime nëpër dëborë e stuhi arrin edhe një herë në Kosovë, por tash pa dyzetë shokë e pa dhëndrin Isaj Muharrem Morina nga Franjaka e Anadrinit. Më 21 janar i përjetësohet shoku i çasteve të para, komandant Skënder Rexhepi. Në luftimet e Rogovës Mensuri zbret deri në fshatin Celinë e Krushë të Madhe. Mobilizon një skuadër me në krye Shefki Thaçin për ta marrë hakun.
Marsi i vitit 1998, dëshmorin e kombit, Mensur Zyberaj e gjen nëpër luftimet përreth “Qafës së Pagarushës”, prilli nëpër “Malet e Berishës” prej nga zbret në Rrafshin e Anadrinit; këtu gjendet së bashku me komandant Tahir Sinanin dhe koordinojnë taktikën për t’u inkorporuar në operacionin “Shigjeta” në drejtim të magjistrales Prizren – Gjakovë e së andejmi deri në fshatrat përreth Drinit të Bardhë.
Më 26,27 e 28 maj të vitit 1999, Anadrini rrethohet përsëri pasi që forcat e mëdha serbe ndërmarrin “krehjen me këmbësori” prej “Rrihjeve” të Rahavecit në drejtim të “Hamoceve”, “Pisjakut”, “Bërnajakës”, “Rrapishteve”, “Izbishtit” e kah “Lugu i Qëndresës”, ndërmjet fshatrave: Nagac, Hoçë e Vogël, Brestos, Zaçisht, Apterrush, Reti, Reti e Ulët dhe Qëndresë (ish – Randubravë) dhe kështu më 28 maj kah ora ll, 30, ballafaqohen forcat serbe me luftëtarët e lirisë dhe luftimet zgjasin deri në shkatërrimin total të forcave të Milintijeviqit. Në fushën e nderit të altarit të lirisë në kodrat dhe lugjet e Mileskës ranë: Habib Gashi, Kurtish e Nazmi Hasani, Ismajl Gashi, Bedri Berisha i Valljakës, Manush Berisha, Agron Bytyçi dhe komandant “Pesqinshi” – Mensur Zyberaj i Drenajt të Rahavecit. Por në këtë betejë duke bërë rezistencë e sulme të parreshtura mbi forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe bri “Lugjeve të Mileskës” plagosen rëndë edhe Rexhep Krasniqi, Selim Gashi e Isa Gashi.
Forcat serbe, pjesa e mbetur, dëbohet në drejtim të magjistrales Prizren – Gjakovë kurse luftëtarët e Adem Jasharit pozicionohen në aksin e përmendur rrugor, te “Ura e Piranës”, ku edhe pati filluar lufta në fshatrat e Anadrinit më 26 prill të vitit 1998.
Serbët nuk arritën t’i marrin trupat e dëshmorëve Habib Gashi, Bedri Berisha e Kurtish Hasani por e morën Mensur Zyberajn dhe Ismajl Gashin. Pas përfundimit të aktiviteteve luftarake të Zonës Operative të Pashtrikut, trupat e pajetë të Mensur Zyberajt, Bekim Gashit, Dalip Behrës e të Ismajl Gashit, zbulohen në varrezat e Prizrenit. Rivarrimi i dëshmorit Mensur Zyberaj u bë më 30 qershor të vitit 1999 në fshatin Drenaj të Rahavecit pranë dëshmorëve: Bedrush e Feim Gashi, Tafil Zyberaj e viktimave të luftës, të cilëve u bashkohet edhe Isuf Berisha, i ekzekutuar në Burgun e Dubravës.
Dhe sot bijtë e Mensurit, Flaka dhe Zgjimi së bashku me gjyshen dhe nënën Shpresë vizitojnë “Mileskën”, “Lapidarin e Qëndresës” dhe “Kopshtin e Dëshmorëve” të fshatit Drenaj duke recituar vargje për të anë. Ditën e vizitës e përfundojnë në Qendrën Kulturore “Mensur Zyberaj” në Rahavec duke recituar vargjet me amanetet e t’et, ndërsa rapsodët e Anadrinit i këndojnë këngë e rapsodi Mensurit, e poetët i thurin vargje. (S. c.)