Jakup Krasniqi: Çështjet vitale të një kombi nuk shtrohen as në Referendum!

Pas një analize më të thellë, të gjithanshme të problemeve tona politike, duke e parë në një prizëm tjetër interesin nacional dhe pastaj krahasuar edhe me traditën demokratike të Referendumeve, erdha ke përfundimi se:  Marrëveshjet e dëmshme për Kosovën të nënshkruar në Bruksel dhe Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi kanë polarizuar skenën politike dhe shoqërore të Kosovës si asnjë herë më parë. Nëse të gjithë pajtohen se Kosovën e ka kapluar një krizë e rëndë institucionale, divergjencat e palëve në konflikt politik (Qeveri-Opozitë) dalin në shesh atëherë kur duhet të tregohen rrugët se si të dilet nga kjo situatë. Në këtë shkrim po ndalem vetëm në çështjen e referendumit, që përmendet si zgjidhje e mundshme për problemet e krijuara.

 

Po ndalem në këtë çështje sepse përmendja e referendumit pa e precizuar se në cilin rast mund të ofrojë zgjidhje mund të keqkuptohet si instrument për të zgjidhur të gjitha çështjet e ngritura. Mendoj se këtu është e domosdoshme të precizohen gjërat.

Referendumi si instrument demokratik për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet e Kushtetutës përdoret nga shumica e shteteve demokratike të demokracive perëndimore. Por ka çështje të cilat konsiderohen çështje vitale për një komb, sidomos ato që lidhen me sovranitetin dhe integritetin territorial të një vendi dhe për të cilat as që mund të bëhen marrëveshje dhe as që mund të shtrohen në referendum.  Edhe Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë përmes nenit 2 alinea 2 se “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.” Këto dy çështje janë vitale për popullin e Kosovës dhe si çështje vitale nuk mund të nënshtrohen referendumit (Neni 81, alinea 7).

 

Në kontekstin aktual të Kosovës, të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel në mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës mund të gjejë zgjidhje edhe përmes referendumit. Kjo zgjidhje vjen në shprehje në rastin kur Qeveria e Kosovës nuk tërhiqet nga marrëveshjet. Por, Marrëveshja për “Zajednicën” e cila e cenojnë rëndë sovranitetin e Kosovës dhe Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, që cenon rëndë integritetin territorial të Kosovës DUHET TË ANULOHEN!

 

Nuk është vendi për ta trajtuar në këtë shkrim çështjen e humbjes së territoreve tona gjatë periudhës së krijimeve të shteteve në Ballkan. Këtë çështje e kam trajtuar në disa libra të botuara më parë. Në këtë shkrim po ndalem vetëm në territorin e Kosovës. Të gjithë që merren aktivisht me politikë e dinë fare mirë se sa mund e sakrifica janë bërë për të ardhur deri te shteti i pavarur i Kosovës. Të gjithë e dinë se sa gjak është derdhur në çdo pëllëmbë të tokës sonë. Kush mund të marr guximin që të nxjerr në ankand këtë tokë të përgjakur? Askush nuk ka të drejtë ta bëj një gjë të tillë. Çështja e integritetit territorial nuk është çështje që na takon vetëm gjeneratave që jetojmë aktualisht. Por, kjo çështje u takon edhe atyre që vijnë pas nesh! Mu për këtë arsye askush nuk ka të drejtë të veprojë siç vepron Qeveria e Kosovës! Jo vetëm Qeveria e Kosovës që nuk ka të drejtë të sillet me integritetin territorial si të ishte pronë e vetja private por të gjitha gjeneratat që jetojnë aktualisht në Kosovë nuk mund të vendosin që t’i japin edhe një pjesë të territorit të Kosovës Malit të Zi. Çështja e tokës nuk është çështje votash! Edhe sikur të gjithë të çmendeshin dhe të donin t’ia falnin territorin dikujt këtë gjë nuk kanë të drejtë ta bëjnë! Për këtë arsye AS REFERENDUM NUK MUND TË ORGANIZOHET PËR TOKËN E PËRGJAKUR TË KOSOVËS! 

 

Duke parë arrogancën e Qeverisë së Kosovës e cila nuk dëshiron të tërhiqet nga këto marrëveshje i mbetet Gjykatës Kushtetuese që t’i anulojë marrëveshjet si antikushtetuese. Përndryshe, vetëm populli i bashkuar rreth opozitës mund të ndal rrezikun që na kanoset nga matrapazët e interesave vitale të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kur Kina të zgjohet … bota do të dridhet II

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se SHBA-të po luajnë me zjarrin

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë me …