FILLOI MBARË DITA E PARË E TESTIT TË MATURËS SHTETËRORE 2018 NË RAJONIN E FERIZAJT DHE GJILANIT

Testi i Maturës Shtetërore 2018 është mbajtur në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit, komuna këto që janë përzgjedhur për të filluar këtë proces të rëndësishëm me short publik, ndërsa Matura Shtetërore do të vazhdojë edhe për tri ditë në rajonet tjera të Kosovës. Për të parë nga afër mbarëvajtjen e testit në këto dy komuna, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, vizitoi shkollat “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj dhe shkollën “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ku u shoqërua nga kryetarët e komunave, Agim Aliu dhe Lutfi Haziri. Ministri Bytyqi gjatë vizitës në Ferizaj theksoi se, rezultatet të cilat do të dalin nga ky test janë kontribut i mësimdhënësve dhe menaxherëve të shkollave, padyshim duke pasur edhe përkrahjen nga kryetarët e komunave dhe Ministria e Arsimit. Ministri Bytyqi tha se vizita në Ferizaj është bërë me qëllim për të parë nga afër procesin e testimit dhe për të marrë informata nga drejtori i DKA-së për rrjedhën e mbajtjes së testit, ndërkaq uroi që ashtu siç ka filluar testi, të vazhdojë edhe ditëve të tjera. “Ne presim rezultatet më të mira, sepse konsiderojmë që këtë vit ka qenë një angazhim i përgjithshëm. Kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me nivelin lokal dhe kjo ka ndikuar që përgatitjet në përgjithësi për këtë vit të jenë më të mira dhe presim rezultate më të mira” tha ministri Bytyqi. Ndërsa, gjatë vizitës në Gjilan ministri Bytyqi tha se procesi i testimit po shkon ashtu siç është planifikuar dhe shprehu besimin se rezultatet e testit të maturës këtë vit  do të jenë më të mira. “Vërtetë presim rezultate të mira, siç na tha kryetari, Gjilani është dalluar me rezultate të mira në test, shpresojmë që në gjithë Kosovën te kemi rezultate të mira, shpresojmë që këto rezultate të jenë reale”. Ndryshe, 7700 nxënës po marrin pjesë në test për rajonet e Ferizajt dhe Gjilanit. Ndërsa, në gjithë Kosovën janë 27 mijë e 700 nxënës të kësaj gjenerate. Rezultatet priten të dalin deri më 1 qershor.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …