Dje me rastin e ndalimit të një aktoreje shqiptare, në Merdare, nga policia serbe, të cilës iu konfiskuan dy tri fotografi, krerët më të lartë të Shtetit reaguan me tone të ashpra kundër këtij ndalimi, sepse “artistja” po shkonte në Beograd për të marrë pjesë në një festival që ngjall nostalgjinë e bashkim vëllazërimit, me emërtimin serbisht shqip dhe që titullohet “Dobar dan, Mirë dita”. Nga reagimet e tilla, pa sens, në mbrojtje të një festivali që ka për qëllim kthimin në të kaluarën e Kosovës nën Serbi, kohën e regjimit të Titos, i cili favorizonte klasën kolaboracioniste shqiptare, që ishte vënë në shërbim të Beogradit, por mbante në burg, Adem Demaçin të gjithë ata që kërkonin Kosovën Republikë, del sheshit se në çfarë mënyre e perceptojnë dhe i kumtojnë qëndrimin e tyre kurdoherë servilë këta politikanë, të cilët më shumë reagojnë për dy foto të Elizës sesa për trupat e 1600 shqiptarëve, të kidnapuar nga serbët gjatë luftës në Kosovë, trupat e të cilëve mund të pushojnë edhe nën ndërtesën ku po mbahet ai festival.
Përpjekjet e disa bijve dhe bijave të ish pushtetarëve të kohës së Titos për rikthimin e nostalgjisë së bashkim vëllazërimit, janë përpjekje të neveritshme dhe idiotike, përderisa Serbia e Viqiqit, Sheshelit e Daçiqit, është po ajo Serbia e Milosheviqit, e cila kërcënon, shatazhon dhe jo vetëm që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, por e lufton atë ditë e natë me të gjitha mjetet. Madje këta politikanët tanë hipokritë duhet ta pranojnë hapur se jo pak shtete, të cilat e kishin pranuar pavarësinë e Kosovës, tani kanë tërhequr dhe po tërheqin njohjen e pavarësisë.
Nuk mbulohet padituria dhe paaftësia politike duke akuzuar Serbinë pse e paska kontrolluar një “artiste” nga Kosova, përderisa 100 ministra dhe zëvendësministra të Qeverisë nuk janë në gjendje të angazhohen, të paktën në ruajtjen e njohjes së vendit nga shtetet e ndryshme, sepse njohje të reja nuk do të ketë, derisa Kosova bisedon me Serbinë për statusin e vendit dhe paralajmëron kompromise, madje më shumë se ato që i kërkon Vuçiqi i Sheshelit. (A.Q.)