Skënder S. Kapiti

Skënder S.Kapiti: Kur do të shpëtojnë shqiptarët nga tmerri i padrejtësive?

Po nëse në Shqipëri dështon edhe VETTING-u …?!

Pse gjithmonë që me krijimin e shtetit shqiptar të Shqipërisë gjthmonë punët në Shqipëri shkuan rrëmujë e tollovi. Këtë e ka perifrazuar mjaft saktë që  në vitin 1914 edhe sekretari i Legatës romune në Durrës, princi Sturdza, mik i Shqipërisë i cili luftoi bashkë me shqiptarët për mbrojtjen e Durrësit se:

“Sot, në Shqipëri çdo nismë e mirë, konstruktive është e destinuar të dështojë. Çfarëdo rruge që të ndjekësh, fqinjët e afërm dhe të largët do të ta bëjnë të pamundur për të dalë në krye. Mjete ,armë e të holla hyjnë nga çdo anë e kufijve për t’iu shërbyer qëllimeve shkatërronjëse të të huajve.Vetëm po të duash të luftosh  për çështjen kombëtare si atdhetar i ndershëm nuk të vjen kush prapa”.

Sot nisma më e mirë në shërbim të Shqipërisë dhe të shqiptarëve është VETTING-u. Po, a nuk është aktual si në vitin  1914 fakti se pikërisht VETTING-u u sulmua më së shumti se çdo gjë tjetër nga politika, politikanët dhe nga drejtësia në Shqipëri, dhe po kështu edhe shoqëria civile nuk qe se bëri ndonjë mbështetje apo reagim  të organizuar në favor të VETTING-ut. Dhe a nuk e dëshirojnë dështimin e VETTING-ut po të huajt; qëllimet shkatërronjëse  dhe antishqiptare të tyre. Pra, a nuk është aktuale edhe sot ajo te cilën e ka thënë para 100 vitesh Sturdza.

Kurrë nuk do të ishte miratuar VETTING –u në Shqipëri nga vetë shqiptarët, ashtu sikurse as nuk do të miratohet në Kosovë , nga jo vetëm politika dhe drejtësia por as nga shoqëria po të mos kishin këmbëngulur SHBA, dhe falë po SHBA-ve  dhe vetëm prej tyre, dhe vetëm ato  nuk do ta lejojnë dështimin e VETTING-ut në Shqipëri.

Shqiptarët kanë përjetuar  dhe kanë vuajtur edhe gjatë edhe këtij tranzicioni 1990-2018  tmerret e padrejtësive të politikës dhe të drejtësisë shqiptare; kanë vuajtuar dhe vuajnë prej paligjshmërisë, prej krimit, prej hajdutërisë, prej vjedhjeve e grabitjeve të pronave; prej pasigurisë për jetën, për punën, për pronën dhe prej depresionit; dhe prej tyre shqiptarët po boshatisin Shqipërinë dhe kanë marrë rrugët pa kthim nëpër  botë.

Kjo sepse në 27 vite tranzicion politika dhe politikanët shqiptarë e bllokuan dhe e falimentuan demokracinë; politika dhe politikanët shqiptarë e bllokuan dhe e penguan për 27 vite ndërtimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës në Shqipëri. Ata, pra, politika dhe politikanët shqiptarë, janë autorët e mosintegrimit të Shqipërisë dhe autorët  e  të gjitha të këqijave sociale, politike, ekonomike, për varfërinë; për krimin politik, elektoral, ordiner dhe të trafikimit të drogës e qënieve njerëzore ; të pastrimit të parasë së krimit; për  papunësinë dhe për eksodin.

 

Kësaj politike dhe këtyre politikanëve dhe kesaj drejtesie , VETTING-u do të duhet t’ua bëjë  bëjë gjyqin poqese nuk do të dështojë ai.

 E vërteta dhe e drejta janë të vështira për t’u gjetur pasi ato janë shumë të shtrenjta.

Vështirësia tjetër dhe kryesore për t’u gjetur dhe për t’u realizuar e drejta dhe drejtësia te shqiptarët vjen prej faktit se e drejta, ndershmëria, virtyti, e vërteta dhe patriotizmi sulmohet shumë nga të gjitha anët e drejtimet; sulmohet prej mashtrimeve ,prej gënjeshtrave, prej tradhëtive, prej krimit, prej korrupsionit, prej hipokrizive, prej xhelozive, prej egoizmave, prej injorancës , prej fanatizmave dhe  prej ligësive, etjes dhe lakmive për pushtet, për pasuri dhe për para.

Pra,VETTING-u duhet jo vetëm për politikën, per pushtetarët dhe për gjyqtarët por duhet një VETTING, një pastrim moral e shpirtëror individual, masiv dhe social, pasi kështu bëhet e mundur që  pisllëku, maskarallëku, poshtërsitë dhe amoralitetet e  politikës, të pushtetit dhe të  gjyqtarëve e prokurorëve të izolohen, të ndëshkohen  dhe të futen në karantinë,  pasi vetëm kështu  shërohet  epidemia virusale e krimit, e hajdutërisë, e tradhëtisë dhe e korrupsionit e përhapur prej tyre dhe që ka infektuar shtetin,drejtësinë dhe shoqërinë.

VETTING-u mund të dështojë edhe poqese gjyqtaret e prokuroret qe vijne , pra zevendesuesit e atyre të  cilët largohen, nese ata vijne thjesht vetem sa per te mbushur vendet e lira te punes , pra nese ata vijne vetem sa per zevendësim të atyre që i largon VETTING-u dhe jo per të luftuar padrejtesinë , korrupsioni, drogën dhe krimin e organizuar dhe të gjithë krimet e tjera . Ajo e cila do t’i “frikësojë” gjyqtarët dhe prokurorët të cilët do të vijnë në gjykata dhe prokuriori eshte ajo se gjyqtaret dhe prokurorët të cilët i largon VETTING-u ose vetëlargohen, ata duhet të ndiqen edhe penalisht për shkeljet dhe për poshtësitë kriminale që kanë bërë.

Pra, nuk ka VETTING pa ndëshkim.

Një shoqëri e infektuar rëndë nga padrejtësia dhe nga korrupsioni por edhe nga kultura e kultivimit, perdorimit dhe e trafikimit t droges është shumë vështirë për t’u kuruar dhe shëruar prej tyre dhe në këtë gjëndje është po shumë e vështirë për të dalë ndonjë gjë e mirë prej saj.

Në të kundërt, pa një VETTING real edhe të shoqërisë nuk do të ketë VETTING as  për politikën dhe as për drejtësinë por edhe si koncept fjala VETTING  do të shndërrohet në thashethemnajë, ashtu sikurse edhe dështimi  deri më tani i demokracisë  dhe i  integrimit qe ka bërë të mundur që si terminologji ato po qarkullojnë  si thashetheme politike,publike e mediatike, kurse si të vërteta dhe reale qarkullojnë, janë dhe sundojnë krimi gjithfarësh, korrupsioni, droga, vjedhja, pabesia dhe tradhëtia.

VETTING-u është shansi dhe mundësia e fundit që u jepet shqiptarëve për të ngritur dhe për të funksionuar shteti demokratiko-ligjor, shteti i së drejtës, konsolidimi i demokracisë së vërtetë dhe hapja e perspektivës zhvillimore dhe integruese për në BE.

Për nga rëndësia, VETTING-u  është Reforma më e madhe  në Shqipëri pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912.

Kjo sepse ka 100 vite që shqiptarët e pësojnë dhe vuajnë prej padrejtësive të parive, prej pushtetarëve, prej politikanëve dhe prej partive politike të politikanëve të tyre.

Prej padrejtësive dhe prej injorantëve politikë që e kanë keqqeverisur Shqipërinë, Shqipëria është karakterizuar nga lëkundje, konflikte, trazira, paqëndrueshmëri dhe deri në trauma e tragjedi të cilat kanë kërcënuar dhe kanë rrezikuar edhe sovranitetin kombëtar.

Prej padrejtesisë në Shqipëri, prej saj  është krijua një imazh negativ duke shkaktuar mosbesim dhe çudira edhe te ndërkombëtarët euro-atlantik.

Prej padrejtësive shqiptarët kanë vuajtur nga varfëria, pasiguria, papunësia e që janë detyruar vazhdimisht që të marrin rrugën e largimit nga atdheu , pra eksodin, ku dhe këto vitet e fundit madje,janë larguar afro 250 mijë shqiptarë.

Prej kësaj dhe këtij realiteti duhet të kishte nxjerrë mësime edhe politika e Kosovës, ku edhe atje antiligji, padrejtësia dhe krimi e korrupsioni kanë kapur shtetin dhe drejtësinë. Politika në Kosovë në këtë mënyrë tradhëtoi sakrificat dhe ëndrrat e shqiptarëve për lirinë, pavarësinë dhe për shtetin shqiptar.

Kjo sepse lufta për liri dhe për pavarësi kombëtare është edhe luftë dhe sakrificë për drejtësi.

Por kur drejtësia bie nën varësinë e padrejtësisë dhe të korrupsionit ku aktualisht Kosova është në 10 vëndet më të korruptuara në Botë,atëhere edhe sovraniteti shtetëror është i kërcënuar, kjo sepse shteti identifikohet me drejtësinë, dhe se pa shtet nuk ka drejtësi dhe se pa drejtësi nuk ka as shtet të mirëfilltë dhe funksional dhe as efikasitet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

Deri më sot politika në Shqipëri ka dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor me standarte moderne shtetformimi, dhe kjo është arsyeja kryesore e mosintegrimit europian të saj. Këtë e konstatuan aleati ynë i madh SHBA-të , dhe prandaj dhe kryesisht pë ta ndihmuar dhe për t’ia hapur rrugën e integrimit të Shqipërsë për në BE, SHBA e detyruan politikën shqiptare për miratimin e ligjit të VETTING-ut, ligj i cili u kundërshtua ashpër hapur por edhe me hipokrizi si nga politika dhe politikanët ashtu edhe nga prokurorët e gjyqtarët shqiptarë. Në këto kushte VETTING-u së pari duhet ta pastrojë drejtësinë dhe politiken nga prokurorët, gjyqtarët dhe politikanët e kriminalizuar dhe të korruptuar ku mundësisht të dëbohen nga politika kjo elitë e keqe politike dhe të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët aktualë, pasi dhe përderisa këta ishin dhe armiqtë dhe kundershtarët kryesorë kundër VETTING-ut.

Me këta politikanë, dhe me këtë elitë politike aktuale si dhe me këta gjyqtarë e prokurorë është shumë e vështirë që të bëhet e të realizohet VETTING-u, pasi jo vetëm se nuk kanë vullnet dhe dëshirë por si të tillë të korruptuar dhe të kriminalizuar ata nuk janë dakord që të largohen dhe do përdorin lloj-lloj intrigash , hipokrizish, spekulimesh dhe marifetesh për të dështuar VETTING-u . Nëse arrihet që VETTING-u të dështojë atëhere alternative e vetme mbetet ajo që SHBA dhe BE të vendosin një drejtësi jo monitoruese e vëzhguese për të parë e konstatuar se çfarë bëjnë gjyqtarët dhe prokurorët vendor, por duhet të vendosin në Shqipëri një Drejtësi Protektorative  me gjyqtarë e prokurorë karriere nga SHBA dhe nga Gjermania, dhe mundësisht edhe punojësit  e tjerë si p.sh. as këshilltarët, as sekretarët,  as përkthyesit dhe as avokatët  e deri as pastruesit e zyrave të mos jenë vendorë. Kjo do të duhej pasi edhe sondazhi më i fundit i këtyre ditëve ka rezultuar se shumica e shqiptarëve shpresojnë dhe kanë besim te institucionet euroatlantike dhe jo te politikanët  dhe as te gjyqtarët vendorë.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …