leoni

Ndërpriten gërmimet në Rudnicë

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka bërë me dije se janë ndërprerë gërmimet në Rudnicë të Rashkës. Arsyeje e ndërprerjes së gërmimeve në këtë lokalitet, sipas tij, janë reshjet e shiut. Por, Gërxhaliu ka paralajmëruar se gërmimet në Kizhevak-Rudnicë do të vazhdojnë të hënën. “Gjatë këtyre 10 ditëve janë larguar me mijëra kubik gurë me dy ekskavatorë, si dhe është në përfundim e sipër edhe etazha e dytë e planifikuar. Reshjet e pandërprera dhe terreni i vështirë malor rrëzë Kopaonikut e bënë të veten”, ka bërë të ditur Gërxhaliu në një njoftim në Facebook.


 


26. 11   2015   ora  10 00


 


ashkimi Evropian i ka dhënë mbështetje nismës së kryeministrit Isa Mustafa për t’i bërë ekspertizë caktimit të vijës kufitare midis Kosovës e Malit të Zi para një përbërjeje ekspertësh ndërkombëtarë. Por, të njëjtën kohë Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka kërkuar që kjo iniciativë të shërbejë si mundësi për kthimin e debatit politik, në veçanti kthimin e normalitetit në Kuvendin e Kosovës. Zëdhënësja e BE-së, Dinka Zivalj, ka thënë për “Kohën Ditore” se mirëpresin çdo përpjekje që çon në zgjidhjen e situatës aktuale. “Ne mirëpresim çdo nismë që synon zgjidhjen e problemeve aktuale përmes dialogut politik, duke përfshirë edhe nismën e Kryeministrit për demarkacionin e kufirit Kosovë-Mal i Zi”, ka thënë Zivalj. “Ne shpresojmë se kjo do të çojë në rikthimin e dialogut politik në përgjithësi dhe në punën e Kuvendit në veçanti”. Kryeministri një ditë më parë ka thënë t’ia ketë përcjellë një shkresë BE-së, dhe një tjetër do t’ia adresojë SHBA-së nëpërmjet të cilave kërkon ekspertizë të caktimit të vijës kufitare midis Kosovës e Malit të Zi, ku do të përballeshin argumentet e ekspertëve ndërkombëtarë me ato të komisionit qeveritar.


 


Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, i takon që të merret me analizën e tërë materialit dhe metodologjinë  e  punës së Komisionit Qeveritar për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, u tha sot në mbledhjen e këtij komisioni, të kryesuar nga Fikrim Damka, kryetar.


Iniciativës për të diskutuar rreth kësaj çështjeje edhe në këtë komision, i ka prirë deputeti, Shaip Muja, anëtar i tij. Deputeti, Muja, po ashtu ka kërkuar që të formohet edhe një nënkomision, i cili do të vlerësonte nëse marrëveshja e nënshkruar në mes të Qeverisë së Kosovës me atë të Malit të Zi, është në përputhje me interesat e vendit. “Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit dhe qëndrimin e opinionit publik  rreth kësaj çështjeje, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, duhet kërkuar nga Kryesia e Kuvendit, që këtë temë ta kthejë në riprocedim dhe të shqyrtohet edhe në këtë komision”, tha Muja. Komisioni, ndërkaq, ndonëse nuk mori vendim lidhur me iniciativën e deputetit, Muja, kjo pritet që të ndodhë në një nga mbledhjet e ardhshme të tij. Në këtë mbledhje, komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar edhe amendamentet e Projektligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit. Në kuadër të amendamenteve, komisioni përkrahu edhe ato të propozuara nga Komisioni për  Buxhet dhe Financa dhe të Komisionit për Legjislacion.


Pas kësaj, ky projektligj do të procedohet tutje për shqyrtim edhe në mbledhje plenare të Kuvendit.


 


Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka deklaruar se mosreflektimi i Qeverisë karshi marrëveshjeve po e thellon krizën dhe jo veprimet e opozitës. Limaj ka shtuar gjithashtu se kërkesa për dorëheqjen e Qeverisë po shtohet çdoherë e më shumë. Ndërkaq ka theksuar se veprimet e Qeverisë nuk i përkrahin as votuesit e tyre, andaj ata, sipas tij, edhe duhet të reflektojnë për ndryshim. Limaj ka thënë se koalicioni PDK-LDK do të mbetet në histori si një koalicion që i arreston deputetët që kryejnë detyrën e tyre në mbrojtje të shtetit dhe Kushtetutës. Ata  mund t’i burgosin të gjithë por opozita nuk do të zmbrapset nga mbrojtje e shtetit dhe Republikës së Kosovës.


 


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ka thënë se ata që ushtrojnë dhunë ndaj grave nuk janë burra. “Ata burra që ushtrojnë dhunë nuk janë burra, ata janë qyqarë që nuk kanë forcë të ballafaqohen me realitetin”, ka thënë Veseli. “Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Gruas në Kosovë, është para së gjithash ditë e homazhit për nënat dhe vajzat e shoqërisë sonë, që janë viktima të dhunës në familje. Njëkohësisht, është ditë e turpit, për të gjithë ata bashkëshortë e familjarë që ushtrojnë dhunë në emër të zakoneve të mykura të së kaluarës”, ka deklaruar Veseli, duke shtuar se vetëm në pesë vitet e fundit, janë afër gjashtë mijë raste të raportuara të dhunës në familje, është shprehur Veseli.


 


Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, zotëri Haki Demolli ka pritur në një takim pune, Ambasadoren e Finlandës në Prishtinë, znj. Anne Huhtamaki.  Ministri Demolli, me këtë rast ka falënderuar shtetin e Finlandës për bashkëpunimin dhe ndihmën që po jep për Kosovën edhe FSK-në, e gjithashtu një vlerësim të veçantë ministri i ka përcjellë Ambasadores për votën pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO që Finlanda e kishte ofruar ditë më parë në Paris.  Gjithashtu, Ministri Demolli e ka falënderuar shtetin e Finlandës për angazhimin e kontingjenteve ushtarake  në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë si dhe në kuadër të Ekipit këshillues të NATO-s për Ministrinë e FSK-së.  Ai e ka njoftuar Ambasadoren e Finlandës me zhvillimet në MFSK, duke nënvizuar procesin e transformimit të FSK-së, në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK). Po ashtu ministri Demolli, foli edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe ministrive të mbrojtjes, me theks të veçantë për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit si dhe arritjen e një marrëveshje bashkëpunimi me institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë së Finlandës. Ambasadorja e Finlandës në Prishtinë, znj. Anne Huhtamake pasi falënderoi ministrin Demolli për pritjen, shprehi kënaqësinë për bashkëpunimin e deritashëm në mes dy shteteve, duke vlerësuar arritjet e FSK-së në të gjitha fushat.


 Zonja Huhtamake në fund u shpreh për thellimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.


 


Qeveria e Serbisë ka ushtruar kërkesë zyrtare në Bashkimin Evropian që të marrë përsipër mbikëqyrjen dhe menaxhimin e shërbimeve të kontrollit ajror mbi territorin e Republikës së Kosovës, pas skadimit të mandatit të Hungarisë. Kjo kërkesë është bërë nga shefi i Zyrës për Kosovën në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, në një takim që ai ka pasur në shtator të këtij viti në Bruksel me zyrtarë të Këshillit të Bashkimit Evropian.


 


Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka bërë me dije se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke u parapërgatitur për misionin e ardhshëm. Ai në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se deri më tani FSK-ja ka shënuar arritje të mëdha dhe është në pritje të vendimit të Kuvendit për transformimin e saj në Forca të Armatosura të Kosovës. Rama ka treguar se FSK-ja do të jetë e gatshme në çdo rast për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve. Duke folur 27 Nëntorin, Ditën e FSK-së, ai ka thënë se nesër të gjitha kazermat në Kosovë do të jenë të hapura për qytetarët, kurse manifestimi kryesor i Ditës së FSK-së do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.


 


Sot në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, duke filluar në orën 15.00 do të mbahet akdemi përkujtimore kushtuar dëshmorit, Enver Aliaj. Me këtë rast do të përurohet filmi dokumentar: “Liria e Atdheut ishte jeta e tij  e autorit dr. Nusret Pllana. Po ashtu do të prezantohet edhe një këngë për dëshmorin, Enver Aliaj kënduar nga këngëtari i mirënjohur, Ilir Shaqiri.


 

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …