Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka organizuar konferencën me temën “Promovimi i paqes nëpërmjet edukimit”. Ministri Bytyqi, duke ua uruar fëmijët këtë ditë i siguroi ata se MAShT-i dhe institucionet e tjera arsimore janë të angazhuara në ofrimin e paqes dhe sigurimin e një arsimimi dhe edukimi cilësor për ta. Ai rikujtoi se përkushtimi i kësaj ministrie në respektimin e të drejtave të fëmijëve është i vazhdueshëm. Ministri i Arsimit foli edhe për përfshirjen e të drejtave të fëmijëve në Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017/2020, Strategjinë për komunitetet RAE, Strategjinë për zhvillimin e të drejtave dhe krijimin e mundësive të barabarta për fëmijët me nevoja të veçanta, atë për parandalimin e braktisjes së hershme të shkollës dhe dokumente të tjera të rëndësishme me qëllimin e vetëm që të krijohen kushte të barabarta për fëmijët tanë.
Ndër të tjera, Bytyqi tha se, MAShT është e përkushtuar në zbatimin e dokumenteve nacionale në fushën e të drejtave të njeriut, në veçanti të drejtat e fëmijëve, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Në këtë konferencë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që merren me të drejtat e fëmijëve në Kosovë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët theksuan rëndësinë e investimit në fëmijërinë e hershme dhe sigurimin e një edukimi cilësor për fëmijët. Në këtë konferencë u prezantua edhe spoti vetëdijesues i përgatitur nga MAShT për rëndësinë e zhvillimit në fëmijërisë së hershme, me ç’ rast ministri shprehu përkushtimin e tij dhe të Ministrisë së Arsimit për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët. Në fund, ministri Bytyqi mori pjesë në punëtorinë e nxënësve, të cilët përmes krijimtarisë së tyre artistike përcillnin mesazhe për paqe në botë.