Faik Jahë Ukëhaxhaj (15.5.1963 - 2.6.1998)

Faik Jahë Ukëhaxhaj (15.5.1963 – 2.6.1998)

Faik Jahë Ukëhaxhaj lindi në Carrabreg, më 15.5.1963 në një familje tradicionalisht patriotike qindvjeçare. Pas pushtimit sllav të Kosovës më 1912, Hasani i parë i kësaj familjeje, kthehet nga Stambolli, ku kishte kryer studimet e larta, prej nga solli edhe tekste të rëndësishme shkencore, të cilat koha i përbiu shumë shpejt. Fitoi autoritet në Dukagjin. Si i tillë ra në sy të pushtuesit dhe u helmua.

Më vonë edhe vëllai i gjyshit të Faikut, Isuf Shaban Ukëhaxhaj, si kundërshtar i pushtetit serb, u detyrua të mbetet në ilegalitet, kryesisht në Zonën Neutrale të Junikut. Gjatë rrugëtimit, bie në një pritë të kurdisur nga patrulla ushtarake serbe, për trupin e të cilit nuk dihet atë ditë e sot.

Emrin e Hasanit të parë e trashëgoi nipi, i cili la gjurmë të mira patriotike në rajon e më gjerë, si profesor, aktivist i shquar politik, përhapës i ideve patriotike, politike e liridashëse në procesin e mësimit, në shoqëri, në funksionin e përgjegjësit të bibliotekës së Gjimnazit, përmes përhapjes së teksteve legale e përmes saj, të literaturës së ashtuquajtur atëherë “ilegale”, pastaj ndër udhëheqësit e organizatës politike “LNÇKVSHJ”, të drejtuar nga Jusuf Gërvalla e të themeluar si “Komitet i Deçanit”, nën udhëheqjen e patriotit Smail Haradinaj, e anëtarë të shquar të asaj organizate: Shkurte/Drita – Kuqi, Xhavit Hoxha, Jashar Salihu, Dinë Ahmetaj, Avdullah Hasanmetaj, Muhamet Haklaj etj., të gjithë intelektualë e profesorë të Gjimnazit “V. Frashëri” në Deçan; Nimon Mustafaj, arsimtar në Gramaqel, si dhe studentët: Nazmi Selmanaj e Ali Dervishaj, e të tjerë nxënës e veprimtarë që morën dënime drakonike, si i thoshin atëherë, si dhe të një organizate të ngjashme rinore, kryesisht nxënës të atij Gjimnazi, në mes tjerësh edhe dy djemtë e Smail Haradinajt – Nasimi e Naimi, të cilët u dënuan me vite, duke iu nënshtuar torturave të rënda gjatë gjithë vuajtjes së dënimit. Ndërkaq, Hasani dënohet me 11 vite burg politik. Dënimin e vuajti në Nish, deri më 1990-të.

Ndërkaq, emrin e Isufit të parë, e trashëgoi Isuf Jahë Ukëhaxhaj, i cili ndjek rrugët patriotike të gjyshërve e të axhës, Hasanit, prej të cilit mori mësime atdhedashurie, u edukua dhe u bind se rinia e ka hisen e vet në luftë për liri. Arrestohet në maj të vitit 1981, por prej tij nuk arrijnë të nxjerrin prova për ta dënuar, megjithëse mbeti në përndjekje gjatë shërbimit ushtarak e gjatë studimeve, deri në ndërprerje për shkak të gjendjes së dobët ekonomike, por pa e ndërprerë veprimtarinë e lëvizjes. Me vëllain, Faikun, më 1989, merr pjesë në demonstratën e organizuar në Deçan, ndër më të përgjakshmet e atij viti në Kosovë. Në vitet ’90-të, Isufi me Rexhë Qorrajn ishin ndër organizatorët kryesorë të proceseve politike në vendlindje.

Mirëpo, që të dy tërhiqen, të bindur se vetëm tyta e pushkës mund ta sigurojë lirinë. Në këtë taban familjar formohet edhe Faiku. Shtat atleti, dhuruar nga natyra, i dashur e i sjellshëm, i pajisur me edukatë familjare, përgjithësisht atdhetare, e fituar nga tradita e koha në të cilën kaloi që në rini të hershme, urrejtja ndaj armikut e dëshira për liri, bëri të mos e pushojë veprimtarinë aktive atdhetare që nga pranvera e përgjakshme por krenare e Kosovës, më 1981, për ,të cilën u arrestua për shkak të përpjekjes së organizimit të përvjetorit të parë të demonstratave të kësaj pranvere. Për veprimtari kombëtare, Faiku u maltretua fizikisht e psiqikisht dhe u dënua dy muaj burg. Pas lirimit nga burgu, përjashtohet nga shkolla e mesme, pa të drejtë regjistrimi ndokund tjetër. Megjithëkëtë, pas dy vitesh e kryen shkollën e mesme ekonomike në Pejë.

Shërbimin ushtarak e kreu në Slloveni. Për fat atjearriti r’i shpëtojë dënimit, në saje të shkathtësive e qëndrimit të vendosur në hetuesi, gjatë përgjigjeye të matura e t’i shpëtojë grackave të kurdisura hetimore ushtarake, falë edhe të një eprori slloven, që ia përshpejtoi përgatitjet e procedurës për dalje nga kazerma, para se ta merrnin të tjerët në “konsultime”.

Që në ditët e para të luftës, Faiku, bashkë me vëllain, Isufin e kushëririn, Besimin e bashkëluftëtarë të tjerë të vendlindjes e më gjerë, i bashkangjitet lëvizjes çlirimtare. Ushtar i rregullt i UÇK-së, pranohet në fillim të prillit 1998. Mbajti kryesisht pushkë automatike. Dha kontribut të çmueshëm në front e në përgatitje të kushteve për luftë. Në ofensivën e Carrabregut, që shtrihej në Deçan, Beleg e më gjerë, e cila zgjati rreth pesë muaj (prill-shtator), kanë marrë pjesë luftëtarë të të gjitha zonave të afërta. Vetë fshati ishte pjesë e ofensivës së gjerë Deçan-Carrabreg-Prejlep-Rastavicë-Beleg-deri në Llukë. Aty u kalitën më tej ushtarë të rinj e më pak të provuar, jo vetëm vendës. Te shkolla fillore Carrabreg-Deçan, ku luftonte edhe Faiku, i plagoset i vëllai, Isufi. Në vizitën që i bëri, Isufi e këshilloi që të shkojë në pozicion të caktuar dhe ta mbajë frontin. Dhe ashtu bëri. Me kushëririn, Besimin pozicionohet mu në mes të fshatit dhe lufton heroikisht kundër armikut të ardhur nga jug-lindja e fshatit, ana e kundërt e sulmit të deriatëhershëm armiqësor, në afërsi rreth 20 metrash, derisa shpenzon tërë municionin e disponueshëm, duke i shkaktuar armikut humbje të konsiderueshme, derisa bie bashkë me Besimin. Pas tërheqjes së njësive të para serbe, arrijnë forcat e tjera ushtarake serbe me armatim të rëndë e mjete motorike të blinduara. Andaj, Faiku bie heroikisht në mbrojtjen e pozicioneve, bashkë me kushëririn, Besimin, më 2.6.1998 në një betejë të ashpër kundër forcave armike serbe, të cilat synonin pushtimin e territoreve të Zonës së Dukagjinit. Qindra gëzhoja e plumba përreth tyre, dëshmojnë se aty u bë një qëndresë heroike për jetë a vdekje.

Trupi i Faikut, dëshmor, pushon në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan. Faiku la tre fëmijë: Drilonin, Jetëmirën e Doruntinën, të cilët po rritën e po krenohen me heroizmat e babait të tyre i cili ra duke ngritur veten në lartësitë e lavdisë për lirinë e tokën e bekuar të Kosovës. Rënia heroike e tij dhe e gjithë dëshmorëve të Kosovës, nderon Carrabregun, Kosovën e mbarë Shqiptarinë.

Figurën e Faikut e madhërojnë edhe Mirënjohjet e Gjeneratës së aktivistëve të viteve ’80-’90-të të komunës së Deçanit, SHPDUÇK-së, të QP – Minstria e Përkohshme të Mbrojtjes, të Komandës së ZOD, si dhe këngët e shkrimet për figurën e tij prej dëshmori. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …