Ejup Jakup Kryeziu u lind më 4 tetor të vitit 1972, në fshatin Pagarushë të komunës së Mlishevës. Ishe i biri i Jakupit dhe nënë Ajnishahes. Shkollën fillore e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyer. Më pas u regjistrua në Qendrën e Mesme Shkollore, në Malishevë, të cilën po ashtu e kreu me sukses meritor. Ejupi ka origjinë nga një familje bujare e liridashëse, me ndjenja patriotike e kombëtare. Qysh kur ishte nxënës i shkollës fillore, kishte qenë nën ndikim të veprës arsimore, edukative e atdhetare të mësuesit të popullit e atdhetarit të devotshëm, Vesel Pagarusha.
Ishte në mesin e nxënësve që refuzuan mësimin e gjuhës serbe për nxënësit shqiptarë. Ka qenë nxënës i klasës së tretë të shkollës së mesme, kur regjimi serb helmoi nxënësit shqiptarë në shkollat e mesme të Kosovës. Helmimet nuk e gjunjëzuan, por i dhanë zemër dhe ia shtuan urrejtjen kundër regjimit serb. Gjatë protestave dhe demonstratave të viteve 1989-1990 që organizoheshin në tërë Kosovën, Ejupi gjithmonë ishte në ballë të tyre, si brenda në shkollë, ashtu edhe jashtë saj. Në vitin 1991 e kreu shkollën e mesme dhe u regjistrua në Fakultetin Ekonomik në universitetin e Prishtinës.
Pasi regjimi i Milosheviqit kishte përzënë profesorët dhe studentet nga objektet shkollore Ejup Kryeziu bashkë me shokun e studimeve e më vonë edhe bashkëluftëtarin e veprimtarisë luftarake, Ibrahim Mazreku si dhe me shumë studentë të tjerë organizuan protesta përpara Fakultetit Ekonomik, në Prishtinë.
Ishte koha kur regjimi serb në mënyrë sistematike ushtronte presion dhe tortura fizike mbi popullatën shqiptare. Kështu ndodhi edhe në familjen e Ejupit, të cilën policia serbe e kishin gjithnjë në shënjestër me pretekst të kërkimit të armëve. Në vitin 1995, Ejupi detyrohet t’i ndërpresë studimet, të kthehet në shtëpi dhe të merret me punët e shtëpisë dhe familjes, pasi vëllai i tij ndiqej nga regjimi dhe detyrohet të largohet për në Shqipëri.
Me daljen publike të UÇK-së, më 28 nëntor të vitit 1997, Ejup Kryeziu bashkë me dy vëllezërit e tij, Ruzhdiun dhe Bekimin, në prill të vitit 1998, ngjeshin armët e lirisë dhe radhiten për krah me ushtarët e tjerë çlirimtarë. Ai, kyçet në radhët e UÇK-së dhe që në fillim tregohet mjaft i suksesshëm në çdo sulm mbi forcat armike e sidomos nëpër beteja. Ishte i dashur për shokët, detyrat i pranonte me përgjegjësi nga eprorët dhe i kryente me përpikëri.
Pas ofensivës së verës, në korrik të vitit 1998, që ndërmorën forcat ushtarake dhe policore të Serbisë në fshatrat e Malishevës, shtëpia e Ejup Kryeziut bëhet qendër e UÇK-së. Aty mblidheshin luftëtarë nga të gjitha anët e Kosovës, aty pushonin, ushqeheshin dhe nga aty prapë shpërndaheshin nëpër zona e tjera të luftës, të cilat ishin zgjeruar në shumë zona të vendit.
Në vjeshtë të vitit 1998, inkuadrohet në radhët e Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, të cilat asokohe i kishte ushtruar komandanti, Tahir Sinani, dhe zëvendësi i tij, Ajvaz Berisha, i cili më vonë emërohet Komandant i këtyre njësive. Në mesin e tyre përveç Ejup Kryeziut ishte edhe Ibrahim Mazreku, Hafir Kryeziu, Milaim Beha, Kujtim Krasniqi, Fatmir Maliqi, Xhavit Kelmendi, Vezir Kolshi, Adnan Muharremi dhe shumë luftëtarë të tjerë të lirisë, të cilët ishin ushtarë elitë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Duke qenë se kishte shkathtësi dhe aftësi luftarake Shtabi i Përgjithshëm e kishte emëruar Shef të Policisë Ushtarake. Ai në detyrën e re me përgjegjësi të lartë kishte kryer detyrat ushtarake. Me bashkëluftëtarët e tij ka marrë pjesë në shumë beteja kundër armikut: në Drenicë, në Dukagjin dhe përgjithësisht në Zonën Operative të Pashtrikut.
Në gjysmën e dytë të majit të vitit 1999, Ejup Kryeziu së bashku me Hafir Kryeziun, Milaim Behën, Kujtim Krasniqin e të tjerë u shkojnë në ndihmë formacioneve luftarake të Operacionit Shigjeta, që parashihte të krijonte një korridor të armatimit nga zona kufitare në drejtim të fronteve të luftës në zonat operative të Kosovës.
Duke folur për atë operacion, zëvendës-shefi i SHP të UÇK-së, kolonel, Dilaver Goxhai ka shkruar: “Për hapjen sa më të shpejt që të ishte e mundur të korridorit të furnizimit, me urdhër të Agim Çekut u hartua Plani i dytë operativ, i emërtuar “Shigjeta 2”, i hartuar nga Xhavit Sadriaj dhe Shpëtim Golemi. Ky plan u miratua nga Shefi i ShP të UÇK-së, Agim Çeku, dhe u ngarkua ta vinte në zbatim Komandanti i Zonës Operative të Pashtriku, Tahir Sinani, i cili komandën e zonës e kish vendosur në fshatin Nishor. Tahirit iu dërgua ai plan me katër luftëtarë, nën drejtimin e Ejup Kryeziut, të cilët gjatë kthimit për në Shtabin e Përgjithshëm në Divjakë, ranë në pritën e forcave serbe te vendi i quajtur, “Vreshtat e Senikut”, ku ra edhe dëshmori, Ejup Kryeziu dhe dy bashkëluftëtarë të tij. Operacioni zgjati dy javë”.
Atë ditë, më 2 qershor të vitit 1999, Ejup Kryeziu bashkë me Hafir Kryeziun, Milaim Behën dhe Kujtim Krasniqin ishin duke u kthyer nga Pagarusha në drejtim të Kleçkës. Gjatë kthimit në orët e natës, meqë ishin në njohuri se forcat serbe kishin minuar terrenin, katër luftëtarët e UÇK-së, tërë kujdes kishin ecur zig-zageve për të mos rënë në ndonjë fushë të minuar. Ata me sukses kishin depërtuar nëpër vreshtat e fshatit Senik, por ishin hetuar nga forcat serbe, të cilat pa paralajmërim kishin goditur në mesin e tyre. “Po në atë moment, të gjithë u lëshuam për tokë dhe morëm pozicion mbrojtje, thotë luftëtari Hafir Kryeziu, duke rrëfyer për pritën dhe sulmin e befasishëm të forcave serbe. Ata na kishin vënë shënjestër dhe pavarësisht rezistencës sonë, atë natë rreth orës 22. 00 ranë në altarin e atdheut: Ejup Kryeziu nga Pagarusha, Milaim Beha nga Carraleva dhe Kujtim Krasniqi nga Domaneku. Me plagë në këmbë dhe në trup me vështirësi të jashtëzakonshme, në kohën kur forcat serbe nuk e kishin ndalur sulmin, ishte tërhequr dhe kishte arritur të largohej, i vetmi i mbijetuar, luftëtari çlirimtar, Hafir Kryeziu.
Ejup Jakup Kryeziu ka lënë vëllezërit: Ruzhdiun, Hysenin e Bekimin, motrat: Zarifen, Hanifen dhe Florijen, bashkëshorten, Lumturije, bijtë: Leotrimin, Endritin dhe bijën, Leonorën.
Trupi i dëshmorit, Ejup Kryeziu pushon në përjetësi në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në fshatin Kleçkë. Fillimisht, më 12 qershor ai me bashkëluftëtarin e rënë më 2 qershor, Kujtim Krasniqi dhe luftëtarin nga Shala e Drenicës, Shaqir Hoxha i cili kishte rënë një muaj më parë, bashkëluftëtarët e tyre i kishin varrosur në Varrezat e dëshmorëve. Një ditë më vonë kishin varrosur edhe trupin e Milaim Behës, dëshmori i fundit i Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …