leoni

Asllan Sefer Berisha (4.3.1965 - 4.6.1999)

Asllan Sefer Berisha (4.3.1965 – 4.6.1999)

 Dhuna milosheviqiane prej vitit 1989 i pati ngulur kthetrat e veta të mprehura nga qëndrimi diktatorial i kryekriminelit dhe u shtri në çdo pore e segment “, të jetës urbane e rurale të Kosovës: në polici, në shëndetësi, në informim, në arsim, në urbanizëm, në kulturë dhe sidomos në zhvillimin e mendimit politik për çka ndiqej, arrestohej e burgosej ajka e intelegjencies shqiptare, një pjesë e të cilës nuk u lima kurrë.

Por, kjo dhunë e shtuar policore ushtarake e paramilitare serbe në Kosovë, prodhonte edhe tubimet protestuese dhe njëherit permanencën për konstituimin e grupeve guximtare që kishin gatishmëri, vendosmëri e njohuri profesionale e të vihen në krye të organizimit të strukturave që kishin për t’i prirë rezistencës së armatosur që evuloi në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër aparatit shtetrrethues e okupator serboçetnik.

Kjo forcë konsiderohej si e vetme që mund t’u kundërvihej pushtetarëve xhandarmerikë, bandave të dehura e të shfrenuara kriminale-ndëshkimore të cilat pa kurrëfarë kontrolli lëviznin nëpër vendbanimet e Kosovës, duke përhapur frikë, tmerr e trishtim vetëm e vetëm që shqiptarët ta braktisin Kosovën. Një pjesë tjetër kishte për t’u asimiluar në frymën e planprogrameve që startuan me implikime të planifikuara ku depërtohej prej parashkollarëve nëpër çerdhe e nëpër foshnjore e deri në studime postuniversitare e punime të doktoratave në fushat e ndryshme të shkencave shoqërore, madje pa i kursyer edhe specializantët e shkencave natyrore. Si të këtillë veprimtarët politikë të asaj Kosove, serbë e shqiptarë, trumbetonin se Kosova nuk po humbka asgjë me ndryshimet kushtetuese që impononte Serbia nëpërmjet satelitëve të ngjyrave të ndryshme politike të mbuluar me programet e Lidhjes Socialiste të Popullit Punues dhe të Lidhjes së Komunistëve.

Për t’iu kundërvënë ndaj këtyre trumbetave dërdëllisëse forcohet Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Si rezultat i përpjekjeve të popullatës së shtypur me dhunë shekullore, doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës nën udhëheqjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari si opozitë e “Demokracisë” deklarative që operonte me “Oratorinë e butë” që zhvillohej të premteve gjatë konferencave për shtyp. Këtë kundërvënie e bëri plejada e djelmoshave të Drenicës e të Dukagjinit gjatë luftimeve të Marsit të vitit 1998 kur me heroizëm qëndroi Prekazi i Adem Jasharit e Gllogjani i Luan Haradinajt e kjo rezistencë u shtri edhe në Llapin e Zahir Pajazitit, në Shalën e Mehë Ukës, në Karadakun e Rexhep Malës e të Nuhi Berishës, në Nerodimen e Ahmet Kaçikut, në Pashtrikun e Remzi Ademajt, në Kosharen e Agim Ramadanit, në Kukësin e Halit Cokës, në Kavajën e Indrit Carrës, në Tiranën e Skerdilajd Llagamit, në Beratin e Astrit Sulit dhe në Tropojën e Tahir Sinanit e të Bilbil Breçanit.

Me të dëgjuar krismat dhe këngët për “kreshtat e Kosovës” që “kishin marrë ngjyrë të kuqe” sepse “Krushqit e Dardanit” veç ishin nisur për nuse, këtyre “Krushqëve të lirisë”, krahas mërgimtarëve tanë që braktisën luksi n e Perëndimit, iu bashkuan edhe studentët e Universitetit të Prishtinës, sot një pjesë e madhe dëshmorë të kombit, invalidë e veteranë të burgosur e të shtypur nga skamja dhe papunësia.

Kështu në këtë plejadë djelmoshash sot mbetën pa diploma universitare 1 student i Akademisë së Arteve, 15 studentë nga Fakulteti i Bujqësisë, 10 nga Fakulteti i Edukatës Fizike, 40 nga Fakulteti Ekonomik, 39 nga Fakulteti Juridik, 22 nga Fakulteti Filologjik, 24 nga Fakulteti Filozofik, 17 nga Fakulteti Teknik, Dega e Makinerisë, 25 të Degës së Teknologjisë, 20 të Degës së Elektroteknikës, 7 nga Fakulteti i Mjekësisë, 11 nga Fakulteti i Shkencave Natyrore, 75 studentë të shkollave të ndryshme të larta të Kosovës, e në krye të studentëve të rënë e që studionin në këto shkolla të larta u përjetësua edhe dëshmori i kombit Asllan Sefer Berisha i Rogovës së Hasit, i cili indeksin e studentit e këmbeu me armën e krahut vetëm e vetëm se e kuptoi se më parë duhet liria e pastaj të kërkohet dituria, prandaj edhe përjetësohet pas një rezistence 15 – orëshe në “Breg të Drinit”.

Dëshmori i kombit Asllan Berisha, i biri i Seferit dhe i nënës Lazime , bijë e Shehëve të Planejës së Hasit, i vëllai i Letafetit, Fahrisë, Sadberit dhe Lulzimit, bashkëshort i zonjës Bukurie nga Malësia e Vogël e Anadrinit, babë i Shabanit, Gentit e i Seferit, tashmë të tre të burrëruar, është i lindur më 4 mars të vitit 1965 në Rogovë të Hasit, buzë Drinit të Bardhë, jo larg “Urës së Fshajt” që dikur ndërtohej gjatë ditës e rrënohej gjatë natës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje ndërsa të mesmen në Teknikumin “Gani Qafdërbasha” të Prizrenit e në fund edhe në Rahovec në gjimnazin, që sot mban emrin “Xhelal Hajda-Toni” të cilin Asllani e kishte idol dhe komandant në shumë operacione.

Për të studiuar regjistrohet në Shkollën e Lartë Teknike, Dega e Elektroteknikës në Mitrovicë, së bashku me Mizahir Ismën e Rahovecit e Hysni Durakun e Krushës së Madhe, sot të tre dëshmorë të kombit. Në veprimtarinë patriotike kyçet prej vitit 1981 në grupin e Nuhi Muhadrit, Sokol Dobrunës e të Mentor Kaçit, kur edhe ishte nxënës i shkollës së mesme; më vonë i bashkohet grupit të Nesimi Elshanit dhe vepronte në shpërndarjen e të gjitha materialeve të natyrës organizative për demonstatat dhe protestat e kohës. Në organizimin e jetës në fshat ishte shumë aktiv; në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve e të Ngatërresave, në Kryesinë e Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Këshillin e Emergjencës, në Aksionin “Familja Ndihmon Familjen” dhe në format e tjera për çka bjen në fokus të organeve të ndjekjes e në krye të detyrave të parashtruara arrestohet por i shpëton dënimit ashtu si kolegu i tij i studimeve, Mizahir Isma.

Më 20 mars të vitit 1998 Asllani kyçet në grupin organizativ për themelimin e Shtabit Operativ Rajonal në Rogovë të Hasit me detyrë që të veprohet në logjistikë; shoqërim i individëve dhe grupeve që thyenin Pashtrikun për të bartur armatim dhe konsiderohet njëri ndër themeluesit e këtij grupi operativ prej të cilit u zhvillua “Batalioni 1000” i Hasit dhe në fund Brigada 126 e Zonës Operative të Pashtrikut. Ditët e fundmarsit për korridorin logjistik të Hasit ishin vendimtare, ndërsa në fund të prillit, jo larg Rogovës së Hasit, në aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë, te Krusha e Vogël kërset pushka e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që bëri jehonë të madhe anembanë Hasit e Anadrinit. Asllani është në krye të detyrës; pret e përcjell luftëtarë që lëviznin prej Kosove në Shqipëri e prej Shqipërie në Kosovë, por më 8 qershor e tronditi rënia heroike e Haxhi Hotit-Lleshit në “Qafë-Mullar” pasi që pas përjetësimit të Haxhiut Asllanit i ra një barrë edhe më e madhe sa në logjistikë aq edhe në operativë dhe detyra të tjera të veçanta.

Pas betejave në Bardhatin, Franjakë, Drinas e Kromnik, ditët e para të korrikut Asllanin e zënë duke thyer Pashtrikun për të satën herë në krye të hasjanëve të pathyeshëm, sepse luftimet e përmendura e patën lodhur logjistikën e Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut. Në këtë aspekt, Asllani bashkëvepron me Xhelal Hajdën – Tonin dhe arrin të shpërthejë kufirin me një sasi të madhe të armatimit, ndërsa pas riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Reti, e tërë Brigada 126 e Hasit është sa në “Majën e Zezë” të Pashtrikut, sa në “Majën e Zezë” të Zatriqit e në “Sukë të Cermjanit” vetëm e vetëm që luftëtarët e lirisë të kenë sa më shumë “Zjarr të Lirisë”, por më 29 janar të vitit 1999 kur në Rogovë bëhet masakra mbi popullatën civile e kur në mbrojtje ra Grupi i Agim Zenelit, Asllani zë të ngushtohet për këtë humbje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilën u mundua ta kthejë në forcë të re e në krenari.

Kur në krye të Zonës Operative të Pashtrikut vjen komandant Tahir Sinani prej Tropoje, Asllani gjendet në vijat e para dhe në frontet më të zjarrta të Hasit e të Anadrinit së bashku me shokët: Besimin, Fehmiun, Nexhmedinin, Shefkiun, Shefketin, Fitimin, Kapllanin, Shyqriun e Safetin. Pas Betejës së Mileskës më 27 e 28 maj të vitit 1999, më 4 qershor rrethohet fshati Rogovë ku vepronte Batalioni i Parë i Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut. Pas rrethimit të hekurt të fshatit, Asllan Berisha me një grup tenton për të shpërthyer rrethimin duke u angazhuar që ta hapë shtegun, por në këto përpjekje që fillojnë në orët e hershme të mëngjesit, kah ora 8,00 i përjetësohet kushëriri Besimi, ndërsa Asllani, i plagosur rëndë vazhdon rezistencën deri kah mesnata, por këto janë ditët kur Anadrini dhe Hasi ende përpëliteshin me hordhitë e egra që ruanin kufirin e mallkuar shqiptaro-shqiptar, prandaj edhe forcat serbe ishin shumë të përqendruara përreth fshatrave të Drinit të Bardhë.

Kështu dhe në një gjendje tejet të rëndë, arrin të tërhiqet deri në Breg të Drinit e këshillon Fitim Hotin që ta vazhdojë luftën dhe përjetësohet më 4 qershor me dëshirë që të pushojë aty ku e vendosi më vonë rapsodia popullore për dëshmorët e Rogovës së Hasit, aty kishte mbetur edhe Sylejman Brahimi i këngës “Krisi pushka në Breg të Drinit”.

Bashkëluftëtarët, shumica të plagosur arrijnë për ta tërhequr trupin e Asllanit dhe e mbulojnë me tokën e Kosovës, ndërsa më 25 qershor, pas ndërprerjes të aktiviteteve luftarake, organizohet ceremoniali i përcjelljes për rivarrimin e Asllan Berishës së bashku me dëshmorët e tjerë të Rogovës, pranë Haxhi Hotit e Besim Berishës, ashtu siç këndohen sot “Kopshtet e Dëshmorëve” në rapsoditë tona për luftëtarët e lirisë që ndoqën idealin e Adem Jasharit. (S. c.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …