Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimeve të shumta që zhvilloi në Tiranë, mori pjesë si panelist në Konferencën me temë “Të bashkuar në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm – Partneriteti për sukses”, në të cilin u diskutua për shumë dimensione të luftës për parandalimin e kësaj dukurie të përmasave globale. Në përbërje të panelit ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, si dhe princi i Jordanisë, Ghazi bin Muhammad. Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se Kosova është pjesë e kombeve euroatlantike, pjesë e koalicionit që e lufton ekstremizmin. Duke folur para ekspertëve të antiterrorizmit, përfaqësuesve të shumtë politikë e fetarë, ai tha se ideja e ekstremistëve është të përdorin rrjetet të ndryshme, rrjete të bamirësisë apo edhe rrjete tjera fetare dhe fatkeqësisht kanë rekrutuar njerëz brenda rrjeteve në secilin vend. “Kosova është e ndërgjegjshme sa i përket rrezikut të ekstremizmit. Ne si vend i vogël kemi pasur shkuarje në luftëra të huaja, por po ashtu ne kemi parandaluar udhëtimin e disa personave që të shkojnë atje. Problemet dhe lajmet që vijnë nga lufta atje i kanë bërë qytetarët të kuptojnë rrezikun” tha kryeministri Haradinaj. Para të pranishmëve, në këtë konferencë nga një fjalë e kanë mbajtur edhe kryeministri Edi Rama, princi i Jordanisë Ghazi bin Muhammad dhe kryeministri bullgar Boyko Borissov.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …