Pas vërshimeve, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu viziton biznese, objekte banimi privat, rrugë në zonën rurale dhe urbane, evidentohen dëme të mëdha

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga anëtarë të task-forcës për menaxhimin dhe tejkalimin e fatkeqësisë së djeshme me ç’rast reshjet e shiut dhe breshëri shkaktuan shumë dëme, ka dal në terren për të vizituar biznese dhe objekte private banimi duke parë nga afër dëmet që kanë shkaktuar dje, reshjet e dendura të shiut dhe breshëri. Sasi e madhe e ujit ka depërtuar në bodrume të shtëpive, vendpunishte, salla fabrikash dhe biznese të tjera duke shkaktuar dëme si në materiale ashtu edhe në veglat e punës. Gjendja në përgjithësi është drejt stabilizimit pas përmirësimit të motit dhe veprimeve të menjëhershme të ekipeve emergjente nga autoritetet komunale. Në këto operacione terreni janë të angazhuara me të gjitha kapacitetet e tyre edhe kompanitë publike në Ferizaj. Rrugët si në fshatra edhe në qytet janë të pastruara nga gjësendet që kanë nxjerr reshjet e ditës së djeshme. Që nga pasditja e djeshme, po punohet pandërprerë edhe në hapjen e kanaleve kulluese dhe situata tashmë është nën kontrollin e plotë të autoriteteve komunale. Kryetari i Ferizajt u shpreh se një situatë e tillë me reshje kaq të dendura nuk mbahet mend kaherë në vendin tonë dhe dëmet e shkaktuara janë të mëdha sidomos në veprimtarinë e bizneseve, kulturat bujqësore si dhe objektet private të banimit. Ai ndër të tjera tha se të gjithë mekanizmat lokal të emergjencave janë aktivizuar që nga pasditja e djeshme dhe se vazhdimisht ka raportime nga qytetarët për dëmet e pësuara ku ekipet profesionale po zhvillojnë vizita duke vlerësuar dhe evidentuar kështu në kohë reale dëmet e shkaktuara nga stuhia e djeshme. Ditëve në vijim në bazë të raportimeve nga banorët e zonave të përmbytura dhe vizitave në terren do të hartohet një raport i evidentimit të saktë të dëmeve që ka shkaktuar stuhia e djeshme në territorin e Ferizajt. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu shpreh falënderim për punonjësit e ndërmarrjeve publike të angazhuar në operacionet e pastrimit të terrenit dhe hapjes së kanaleve kulluese, si dhe gjithë banorët e zonave të përmbytura për ndihmën që po i japin ekipeve në terren për kthimin e normalitetit pas stuhisë që shkaktoi shumë dëme materiale në familjet dhe bizneset ferizajase.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …