Ndërroi jetë prof. Muhamet Mehmeti

Pas një sëmundje të rëndë, në moshën 81-vjeçare ka ndërruar jetë Muhamet Ahmet Mehmeti. I ndjeri ishte profesor shumëvjeçar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, veprimtar në LPK dhe ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Mbledhja përkujtimore u mbajt dje  në amfiteatrin e Fakultetit Juridik, ndërsa varrimi i të ndjerit bëhet sot  në orën 12:00 në fshatin Zotaj, ish-Vojnoc të komunës së Shtimes.


 


23. 11. 2015  ora 6 dhe 8.00


 


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, ka bërë të ditur se Aleanca Veri-atlantike ka autorizuar komandantin e KFOR-it që ta bëjë lirimin e plotë të “Zonës së Sigurisë Ajrore,” – një zonë 25 kilometershe që shtrihet përgjatë kufijve administrativë të Kosovës dhe Serbisë, e vendosur nga misioni paqeruajtës në Kosovë.Në prani të komandantit të KFOR-it Gjeneral Major Guglielmo Luigi Miglietta dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Gjeneralit Dikoviq, i akuzuar për krime lufte kundër shqiptarëve, u nënshkrua marrëveshja mbi procedurat e përkohshme operative pas lirim  të plotë të Zonës së Sigurisë Ajrore. Ky vendim është marrë në përgjigje të konfirmimit të angazhimit të Republikës së Serbisë për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit dhe reflekton rekord pozitiv të bashkëpunimit në mes të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe brenda kuadrit të Komisionit të Përbashkët Implementues, thuhetnë njoftimin e NATO-s.


 


Ministri i MAShT-it, Arsim Bajrami dhe ai nga Maqedonia, Abdilaqim Ademi, kanë nënshkruar në Manastir “Programin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë”. Nënshkrimi i Programit është bërë në kuadër të Marrëveshjes për Bashkëpunim në fushën e arsimit dhe shkencës, e cila është nënshkruar në korrik të këtij viti në Vlorë, mes Kosovës dhe Maqedonisë, me synim përforcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve në këtë fushë. “Programi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë për periudhën 2015-2018 që e nënshkruam sot, është një instrument i rëndësishëm për të plotësuar detyrimet tona për realizimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në arsim dhe në shkencë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, të 2 korrikut 2015”, tha ministri Bajrami. Në ceremoninë e nënshkrimit të Programit, ishte prezent edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila po ashtu nënshkroi të njëjtën marrëveshje me ministrin Ademi.


 


 “Janë edhe 11 lokacione në rajonin e komunës së Mitrovicës, ku dyshohet se ndodhen trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, por ato nuk po gjurmohen, pasi që KFOR-i nuk po krijon siguri për t’i hulumtuar”, ka thënë Bajram Çerkini, kryetar i shoqatës për të pagjeturit “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë, dhe kryetar i Këshillit Koordinues i Asociacionit të Shoqatave të të Zhdukurve të Kosovës. Këto komente Qerkini i ka bërë gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Guglielmo Luigi Miglietta, derisa ky i fundit ka vizituar selinë e Shoqatës, i shoqëruar edhe nga përfaqësues të UNMIK-ut dhe të EULEX-it, me qëllim që të mësojë për vendet e dyshuara për varreza masive në rajonin e komunës së Mitrovicës. Gjenerali italian ka thënë se duhet punuar që përfundimisht të mbyllen rastet dhe ka premtuar se do ta ndihmojë procesin. “Kjo nuk do të thotë se ne dimë sigurt për varrezat masive dhe se kemi heshtur deri më tani për këto. Kam mësuar nga paraardhësit rreth çështjes së varrezave masive në këtë rajon, do të ishte shumë humane nëse mund të punojmë në mbylljen e këtyre rasteve”, tha gjenerali Miglietta. Në anën tjetër, Bajram Çerkini tha se serbët nuk kanë bërë asgjë në mënyrë të fshehur, por në mënyrë të hapur.


 


Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Driton Çaushi duke  e komentuar arrestimin e një qytetari  te “Kroi i Vitakut”, ka shkruar se Republika e Kosovës nuk negociohet. “Hazir Ferati, banor i lagjes ‘Kroi i Vitakut’ u arrestua dje nga strukturat paralele, tanimë të rehabilituara nën uniformën e Policisë së Kosovës. Arrestimi ndodhi vetëm sepse ai tentoi ta rindërtonte shtëpinë e vet të djegur nga forcat serbe gjatë luftës. Kjo është një pjesë e realitetit që pushteti Mustafa – Thaçi po lejon të jetësohet edhe në komunat e tjera të Kosovës, nën projektin hegjemonist të shtetit serb, ‘Zajednica’. Isa Mustafa thotë se marrëveshjet janë çështje e kryer. Hashim Thaçi thotë se asnjë pikë nuk largohet nga marrëveshjet. Nuk mund të krijojmë iluzione se me këtë dyshe në pushtet debati është i mundshëm. Nuk mund të pranohen ndryshime sipërfaqësore kur dihet se marrëveshjet janë të dëmshme në tërësinë e tyre. Marrëveshjet do të anulohen. Republika nuk negociohet”, ka deklaruar Çaushi.


 


Avokati i deputetes Donika Kadaj-Bujupi, Arianit Koci, ka shprehur optimizëm se në fillim të javës që po vjen, Gjykata e Apelit do ta shqyrtojë ankesën e mbrojtjes për lirimin e Kadaj-Bujupi nga paraburgimi. Ai ka thënë për “Epokën e re”, së lëndët që kanë të bëjnë me paraburgimet janë me prioritet për t’u trajtuar nga gjykata.  Në këtë kontekst, avokati Koci, ka vlerësuar se mbrojtja ka ofruar bazë të fort juridike që Gjykata e Apelit ta hedhë poshtë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila Donika Kadaj-Bujupit ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për shkak të veprimeve në Kuvendin e Kosovës. “Kam bazë të fort juridike për ankesë dhe besoj se e njëjta do të aprovohet. Nuk është bërë ekspertiza dhe kjo është e papranueshme. Së paku është dashur të bëhet një ekspertizë. Përndryshe edhe ftesa, e cila i është bërë nga Prokuroria ka qenë e kundërligjshme. Nuk i është dorëzuar asaj personalisht dhe për ftesën e dytë afati i paraqitjes ka qenë 24.11.2015. Arsyeja e urdhrit që të arrestohet para afatit për mua është e panjohur”, është shprehur Koci.


 


Në kohën kur situata politike dhe e sigurisë në Kosovë janë tensionuar deri në nivelin më të lartë Kryeministri, Mustafa dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, javën e ardhshme do të udhëtojnë për vizitë në Gjermani. Isa Mustafa do të vizitojë  dy prej landeve më të pasura por edhe më të goditura nga vala e refugjatëve nga Kosova në dimrin dhe pranverën e këtij viti, në Baden Wuerttemberg dhe në Bayern. Është parashikuar që Mustafa një ditë të qëndrojë në Shtuttgart dhe një ditë në Munih. Zëvendës-kryemnistri dhe Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi të martën, me 24 nëntor, do të qëndrojë në Berlin.


 


Deputetët e Dumës ruse përmes një deklarate kanë kundërshtuar përpjekjet e Malit të Zi për t’iu bashkuar NATO-s. Ata i kanë bërë të ditur Podgoricës zyrtare se në rast se Mali i Zi i bashkohet NATO-s, Rusia do t i ndalojë investimet dhe turizmin në këtë vend sllav, dikur republikë e ish-RSFJ-së.  Duke komentuar këtë qëndrim  të Parlamentit të Rusisë, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka deklaruar se nuk ka asgjë të re në qëndrimin zyrtar të Kremlinit, përderisa dihet se Rusia po mundohet ta zgjerojë ndikimin e vet strategjik në Ballkan dhe është kundër zgjerimit të NATO-s. Ne jemi shtet i pavarur dhe vetë marrim vendime për të ardhmen e vendit tonë. Ne e kemi zgjedhur rrugën tonë dhe ajo rrygë na çon në Evropë dhe në NATO, ka saktësuar Gjulanoviq.


 


Lajmi i heqjes së taksave për biznesin e vogël nga Qeveria shqiptare është pasqyruar në dhjetëra media greke dhe është komentuar në mënyrë të veçantë edhe si një rrezik për largimin e bizneseve vendase drejt Shqipërisë. Në fillim me një kryeartikull në faqen e parë të saj gazeta “Estia” i referohet në numrin e së premtes në mënyrë të hollësishme kësaj mase që sipas saj u jep një frymëmarrje mijëra bizneseve të vogla në vend. “Rama ka hequr taksat për rreth 86000 biznese të vogla me xhiro vjetore deri në 36000 euro të cilat do përfitojnë nga kjo ulje e rëndësishme taksash”, shkruan gazeta greke në artikullin me titull “Taksa zero në Shqipëri!” dhe me nentitull  “Rreziku i joshjes së bizneseve greke”.  “Estia” analizon edhe faktin se përveç kësaj reforme në ekonominë e shtetit fqinj, Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Rama, ulin nga 7,5% në 5% edhe tatimin mbi të ardhurat e biznesit të mesëm me xhiro vjetore nga 36.000 në 58.000 euro .Gazeta greke bën krahasimin me reformat e dhimbshme financiare që po kalon Greqia dhe rritjen nga 26 ne 29% të tatimit mbi të ardhurat që u vendos vetëm para dy muajsh nga Qeveria “Tsipras”, ndërsa edhe tatimi paraprak u rrit nga 80% në 100%.


 


Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli me ftesë të Forumit Ndërkombëtare të Halifaksit për Siguri, mori pjesë në punimet e Konferencës “Avancimi i sigurisë nga vizioni modern” që u mbajt në Halifaks të Kanadasë. Konferenca është mbajtur nga 20 derë më  22 nëntor 2015.Ministri  i FSK-së, Haki Demolli në Konferencën në Halifaks ka folur për Perspektivën aktuale të Kosovës në sfidat më të ngutshme të sigurisë. Forumi Ndërkombëtarë për Siguri në Halifaks është i njohur si një vend takim vjetor, i cili krijon hapësirë që vendimmarrësit të gjejnë bashkërisht zgjidhje për çështje të vështira. Tani  në kohën kur vendet demokratike po ballafaqohen me kërcënime, kjo kërkesë është bërë shumë urgjente, sepse asnjë vend veç e veç nuk mund të zgjidhë problemet, ashtu sikurse mund ta bëjnë së bashku liderët e mençur. Forumi Ndërkombëtarë për Siguri në Halifaks ngrit në nivel më të lartë bashkëpunimin strategjik midis  shteteve demokratike në botë. Pjesëmarrësit që mblidhen në Halifaks për çdo nëntor, prezantojnë më shumë se 60 shtete.


 

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …