Kryeparlamentari Veseli theksoi se Kosova është shpallur zyrtarisht si top reformatori në botë nga 185 shtete që janë në konkurrencë, duke lënë prapa shumicën e shteteve të rajonit për numrin e reformave që janë realizuar këto dy vitet e fundit. Në vazhdim të fjalës së tij, Veseli foli për përparësitë që kanë investitorët e huaj në Kosovë dhe avantazhet krahasuese të saj në raport me rajonin në thithjen e investimeve të huaja. Në këtë kontekst, Veseli potencoi pasuritë natyrore e nëntokësore të Kosovës, popullsinë e re dhe krahun e lirë të punës, si dhe pozicionin gjeografik të Kosovës në Ballkanin Perëndimor.
“Kosova ka të rinj të mirëarsimuar dhe të kualifikuar, ku shumë prej tyre flasin anglisht dhe gjermanisht. Prandaj, sektori i shërbimeve në përgjithësi mbetet motori i ekonomisë tonë. Vetëm në 10 vitet e fundit janë më shumë se 30 mijë të rinj që janë punësuar në sektorin e ICT dhe në sektorin e nënkontraktimeve të biznesit ‘outsource’”, tha kreu i Kuvendit. Ai shtoi gjithashtu se Kosova synon të jetë një vend tranzit për projekte të rëndësishme ndërkombëtare të ndërlidhjes në fushën e infrastrukturës së transportit dhe energjetikës. “Dua t’ju siguroj se dera ime është gjithnjë e hapur për ju dhe angazhimi im do jetë përherë maksimal për t’ju lehtësuar përpjekjet tuaja në realizimin e projekteve investuese me interes të dyanshëm të vendeve tona”, tha kryeparlamentari Veseli. Në hapje të Forumit Ekonomik Austri-Kosovën morën pjesë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që janë pjesë e delegacionit gjatë vizitës zyrtare në Austri.