Lidhja Shqiptare e Prizrenit

RKL: Lidhja shqiptare e Prizrenit e vitit 1878

Pas humbjes fatale të Perandorisë Osmane në frontin e Plevnës, në Bullgari, gjatë vjeshtës së vitit 1877, atdhetarët shqiptarë i kushtuan kujdes edhe fushatës së zgjedhjeve për parlamentin e dytë osman. Megjithëse zgjedhjet qenë indirekte dhe u zhvilluan nën diktatin e valinjve, nën trysninë që vinte nga poshtë dolën deputetë edhe disa personalitete atdhetare, ndër të cilat ishte edhe, Abdyl Frashëri.

Hapjen e Parlamentit në dhjetor të atij viti patriotët shqiptarë, sidomos anëtarët e Komitetit të Janinës, e shfrytëzuan për të organizuar në kryeqytetin perandorak një takim në shkallë kombëtare. Për këtë qëllim, përveç deputetëve të parlamentit, u thirrën në Stamboll edhe personalitete të njohura shqiptare që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë, që u mbajt më 18 dhjetor 1877, u miratua forumi i organizatës atdhetare revolucionare me emrin “Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ose siç u quajt shkurt Komiteti i Stambollit”. Kryetari i Komitetit u zgjodh Abdyl Frashëri. Megjithëse nuk dihet ende përbërja e plotë e këtij Komiteti, janë njohur tanimë si anëtarë të tij Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Basri Beadini,  Mustafa Nuri Vlora, Mane Tahiri,  Kadri Bajri e të tjerë

Në fillim të vitit 1878 situata në front u përmbys plotësisht. Pasi kaluan malet Ballkan, ushtritë ruse filluan të përparonin me shpejtësi në drejtim të jugut, pa ndeshur ndonjë rezistencë serioze nga ana e ushtrive osmane. Më 4 janar 1878 ato pushtuan Sofjen, më 18 janar Edrenenë dhe më 28 janar arritën në fshatin Shën-Stefan, në periferi të Stambollit. Nga paniku që pushtoi Perandorinë Osmane përfituan ushtritë serbe, të cilat marshuan pa vështirësi drejt vilajetit të Kosovës dhe, pasi morën Pirotin, Nishin, Kurshumlinë dhe Vranjën, në fund të janarit arritën në Gjilan. Po ashtu, ushtritë malazeze pushtuan më 10 janar Tivarin, më 19 janar Ulqinin dhe një javë më vonë dolën në brigjet e liqenit të Shkodrës e të lumit të Bunës.

Disfata e plotë e ushtrive osmane i shqetësoi të gjitha Fuqitë e Mëdha. Në mënyrë të veçantë ajo tronditi Britaninë e Madhe, e cila, për të penguar hyrjen e ushtrive ruse në Stamboll, dërgoi flotën e saj luftarake në detin Marmara. Në të njëjtën kohë, me nxitjen e saj, Porta e Lartë i kërkoi komandës ruse armëpushim. Duke parë se Anglia ishte e vendosur të mbronte me çdo kusht kryeqytetin osman, Rusia nënshkroi në Edrene, më 31 janar 1878, armëpushimin me Perandorinë Osmane dhe filloi bisedimet për të përfunduar Traktatin e Paqes me të.

Situata e re ndërkombëtare, që u krijua pas disfatës së plotë turke, në Plevne të Bullgarisë e detyroi Komitetin e Stambollit ta rishikonte programin e vet.

Programi i ri, i cili u përpunua në ditët e para të vitit 1878, përmbante ndryshime taktike e jo strategjike.

Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit nuk hoqën dorë nga synimi për formimin e shtetit kombëtar shqiptar

Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit nuk hoqën dorë nga synimi i tyre i mëparshëm, nga formimi i shtetit kombëtar shqiptar. Por tani para Shqipërisë qëndronte si detyrë e ngutshme ruajtja e tërësisë së saj tokësore. Përveç kësaj, ata mendonin se në kushtet e reja pavarësia kombëtare e Shqipërisë ishte e parealizueshme, pasi ajo nuk gëzonte asnjë mbështetje në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, tani që kishte filluar pushtimi i trojeve shqiptare nga ushtritë fqinje, rreziku i copëtimit të Shqipërisë ishte bërë shumë serioz. Në këtë gjendje të re shqiptarët u kthyen përsëri në programin e mëparshëm. Në vend të pavarësisë së plotë kombëtare, ata vendosën të kërkonin bashkimin e trojeve të tyre amtare në një vilajet autonom shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane.

Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit shpresonin se krijimi i një vilajeti të tillë do të gjente përkrahës në arenën ndërkombëtare, të paktën mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha që nuk e dëshironin shpartallimin e plotë të Perandorisë Osmane. Veç kësaj, për të mbrojtur tërësinë territoriale, shqiptarët do të luftonin të veçuar nga Perandoria Osmane, do të hynin në betejë kundër rrezikut sllav, grek, austriak ose italian në emër të interesave kombëtarë të Shqipërisë. Ata ishin të bindur se një luftë e tillë, si edhe formimi i vilajetit autonom shqiptar, do ta sanksiononte në plan ndërkombëtar ekzistencën e shqiptarëve si komb dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.  Projektin për formimin e saj e përgatiti qysh në fillim të vitit 1878, Pashko Vasa, që në atë kohë ishte këshilltar i valiut të Kosovës.

Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit shpresonin se me programin e tyre të ri, i cili e përjashtonte përkohësisht konfliktin e armatosur shqiptaro-turk, Porta e Lartë nuk do ta pengonte formimin e Lidhjes Shqiptare. Kjo liri veprimi kishte rëndësi të veçantë për ta, pasi u jepte atyre mundësi që ta shpejtonin formimin e lidhjes kombëtare dhe organizimin e forcave të saj të armatosura. Për këtë qëllim Komiteti i Stambollit ngarkoi një komision të posaçëm, të kryesuar nga Pashko Vasa, për të nxjerrë lejen përkatëse nga Porta e Lartë. Për një kohë të gjatë Stambolli nuk dha asnjë përgjigje.

Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Traktati i Shën Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80% të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik.  Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike.

Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, më shumë se  gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike

Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, më shumë se  gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj. Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja.

Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e pa pushtuara nga ushtritë ballkanike. Vetëm në Vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih, mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit, të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë.

Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht vetëm.

Tani që copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli në plan të parë detyra e mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Osmane jo vetëm që nuk e zgjidhte çështjen shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq atë e fatin e atdheut. Në rrethana të tilla ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Stambollit adaptoi, për aq kohë sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar, një platformë të re politike, e cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave kryesore: për të kundërshtuar me luftë të armatosur, në emër të kombësisë shqiptare, çdo vendim që do të merrnin Fuqitë e Mëdha, qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë Osmane, në dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe, në të njëjtën kohë, për të arritur bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm shqiptar, të pajisur me disa të drejta autonomiste, që mund të realizoheshin pa hyrë në konflikt me Perandorinë.

Përmbushja e këtyre objektivave bënte të nevojshëm formimin e një fronti të vetëm politik mbarëshqiptar dhe pranimin nga ana e këtij fronti të platformës politike të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i Stambollit.

Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha, ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit, përsëri nuk do t’i merrnin parasysh interesat kombëtare të Shqipërisë. Megjithatë, pezullimi i tij deri në thirrjen e kongresit të Berlinit u jepte në dorë patriotëve shqiptarë një kohë të çmueshme për ta organizuar më mirë qëndresën politike e ushtarake. Por, nga ana tjetër, leja që kishte kërkuar Komiteti i Stambollit për të formuar një lidhje shqiptare, ndeshi më në fund në kundërshtimin e Portës së Lartë. Në parim qeveria osmane nuk e shihte me sy të keq lëvizjen e protestës së popullsive të saj kundër Traktatit të Shën-Stefanit, por ajo nuk e pranonte në asnjë mënyrë që kjo lëvizje të zhvillohej e të organizohej ashtu siç e kuptonte Komiteti i Stambollit, si një lëvizje kombëtare shqiptare.

Ata e pranonin në parim edhe idenë e një vilajeti të bashkuar autonom shqiptar, të pajisur me një autonomi administrative e kulturore. Por, ndryshe nga elementët radikalë të Komitetit të Stambollit, këta nuk e shikonin vilajetin e bashkuar shqiptar si një hallkë, si një shkallë për të shkuar më tej drejt një shteti të bashkuar e të pavarur shqiptar. Përveç kësaj, të moderuarit nuk ishin gjithashtu të prirë për t’iu kundërvënë Portës së Lartë. Ata shpresonin se vilajeti shqiptar mund të krijohej me pëlqimin e vetë sulltanit, të cilin, besonin se do ta bindnin, pasi, sipas tyre, krijimi i këtij vilajeti ishte në interesin e vetë Perandorisë Osmane.

Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1878)

Platformën e vet politike Komiteti i Stambollit e ngriti gjatë pranverës edhe në arenën ndërkombëtare

Platformën e vet politike Komiteti i Stambollit e ngriti gjatë pranverës edhe në arenën ndërkombëtare. Qysh në muajin mars, kur përmbajtja e Traktatit të Shën-Stefanit ende nuk ishte shpallur, Pashko Vasa i paraqiti ambasadorit britanik, në Stamboll një promemorje në emër të popullit shqiptar, në të cilën lufta kundër copëtimit territorial të Shqipërisë lidhej organikisht me kërkesën për autonominë e saj administrative. Shqiptarët, shkruante ai, nuk mund të kënaqen me administratën e kalbur osmane. Ata janë të bindur se Porta e Lartë, as nuk dëshiron dhe as nuk është në gjendje t’u japë atyre një administratë më të mirë se atë që u ka dhënë deri sot. Shqiptarët, theksonte patrioti rilindës, janë të vendosur t’i këputin të gjitha lidhjet që i bashkojnë me Turqinë dhe nuk duhet të përjashtohen nga ajo e drejtë që kanë popujt sllavë të Ballkanit për të formuar shtete të pavarura ose autonome. Megjithatë, përfundonte Pashko Vasa, shqiptarët kërkojnë një administratë autonome që t’u përgjigjet më shumë nevojave dhe traditave të tyre. Një vend të veçantë në veprimtarinë politike që zhvilloi Komiteti i Stambollit gjatë pranverës së vitit 1878 zënë shkrimet e Abdyl Frashërit, të cilat ai i botoi në shtypin e huaj, brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane.  Shqetësimi që pushtoi shqiptarët për fatin e atdheut, u shpreh me një lumë protestash, që shpërthyen gjatë muajve prill e maj 1878 nga të katër anët e vendit kundër Traktatit të Shën-Stefanit.

Themelimi i Lidhjes së Prizrenit  më 10 qershor  të vitit 1878

Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit vepronte, si edhe më parë, në rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni e Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica, Ali Pashë Gucia e të tjerë. Lëvizja për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm gjatë gjysmës së dytë të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren. Nga viset shqiptare të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, nuk u caktua si delegat për në Prizren asnjë nga elementët sulltanistë.

E shqetësuar nga zhvillimi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Perandoria Osmane nuk e la fatin e politikës së saj në Shqipëri vetëm në duart e autoriteteve shtetërore të vilajeteve, por ndërhyri edhe vetë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Për këtë qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një trysni të fortë për t’i detyruar që t’i jepnin besëlidhjes karakterin e një organizate islamike ballkanike. Personalitetet shqiptare, që i rezistuan presionit të qeverisë osmane.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878,  në Prizren

Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë, njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri, pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Nga të dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte personalitete të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të monarkive fqinje ballkanike. Ndër personalitetet më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm ishin: Ali Pasjtë Gucia, Abdyl Frashëri, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra etj. Në Prizren kishin ardhur gjithashtu delegatë disa feudalë sllavë e sulltanistë nga viset e Bosnjë-Hercegovinës. Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas.

Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz Pashë Dibra.

Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë. Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar. Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës. Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Fjalimi i Abdyl Frashërit la përshtypje brenda dhe jashtë sallës.

Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve pro Turqisë ashtu  autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishëm në këtë tubim. Ata u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare. Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar. Akti më i rëndësishëm i tij ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje. me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit.

Po atë ditë Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.

Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar.

Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz pashë Dibra.

Krijimi i organeve të larta të Lidhjes së Prizrenit dhe pajisja e tyre me funksione pushtetore ishin një fitore tjetër që korrën forcat atdhetare, pasi me anën e tyre u hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një pushteti të veçuar nga ai i Perandorisë. Kjo fitore u përforcua me caktimin në krye të organeve të larta të personaliteteve që militonin në Komitetin e Stambollit, Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi, ose që u takonin qarqeve të moderuara, Iljaz pashë Dibra e Haxhi Shaban Prizreni. Për fitoren e plotë të krahut patriotik nuk mbetej tjetër hap, veçse pajisja e besëlidhjes me një statut ose kanun, siç quhej në atë kohë, të ndërtuar mbi platformën rilindëse.

Literatura:

Histori e Shqipërisë, Tiranë 1965, vëllimi II.

Historia e popullit shqiptar, botim i vitit 1968.

Historia e popullit shqiptar, botim i vitit 2007.

Historia e popullit shqiptar, Botim i vitit 2009.

Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane, Arkivi i Kosovës, Prishtinë 1978.

Lidhja e Prizrenit në dokumente angleze, Arkivi i Kosovës, Prishtinë 1978.

Kristo Dako, “Liga e Prizrenit e para lëvizje kombëtare”, Bukuresht, 1922.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …