Në bibliotekën e qytetit “Hajdin Berisha” në Suharekë, u mbajt Debat Publik lidhur me Planin Zhvillimor Komunal 2018-2026, ku në këtë debat po marrin pjesë qytetarë, përfaqësues biznesesh dhe zyrtarë komunal. I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës Bali Muharremaj dhe nënkryetarja Mihrije Suka, ku në fjalën e tij kryetari Muharremaj u shpreh se, komuna e Suharekës siç jeni të njoftuar është në proces të hartimit të Planit Zhvillimor Komunal. Ne kemi pasur një plan paraprak i cili ka qenë i punuar nga një ekip i gjerë planifikimi. Ai dokument ka qenë udhërrëfyes i zhvillimeve në proceset investuese në komunë. Meqenëse këtë vit i skadon afati, ne jemi të detyruar ta hartojmë një plan të ri duke e analizuar të kaluarën, studiuar gjendjen aktuale në teren dhe duke identifikuar nevojat, për t’i planifikuar zhvillimet e mëtejme të investimeve të komunës për 8 vitet e ardhshme. Procesi ka filluar vitin e kaluar por në këtë vit pritet të marr kahjen e duhur. Për të ardhur te një dokument sa më i qëndrueshëm dhe lehtë i zbatueshëm, pres nga ju një bashkëpunim të arsyeshëm ku në këto debate keni mundësi t’i shpalosni brengat e juaja konkrete rreth gjendjes në teren dhe t’i shohim mundësitë që të përfshihen si prioritete për investime afatshkurta dhe afatmesme të komunës. Ju lutem paraqitni problemet nëpër lagjet tuaja, nëpër fshatra dhe qytet dhe së bashku ta bëjmë më të mirën për komunën tonë, tha kryetari Muharremaj.