Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj dhe kryekuvendari, Kadri Veseli e kanë vlerësuar lartë figurën e Fadil Vokrrit në mbledhjen komemorative të organizuar për të. Haradinaj, tha se të gjithë janë prekur nga vdekja e Fadil Vokrrit dhe jo vetëm sportdashësit në të gjithë vendin. “Ndarjet nga një sportist i dallum i kanë dimensionet e veta, dhe normalisht ata të parët që preken janë sportistët, ai që bën përjashtim është Fadil Vokrri, sepse të gjitha u mërzitën për vdekjen e tij. Ai ishte një njeri shpirtëbardhë që i gezohej lajmeve të mira për të gjithë. Ai i ka mbijetuar një krenarie të sportit edhe në kohëra më të vështira. Ai u kthye për t’i dhënë përkrahjen sportit dhe në periudhën e re të shtetndërtimit. Falë tij Kosova u kthye në shtëpinë e futbollit”, u shpreh Haradinaj. Ndërsa kryekuvendari Veseli e ka cilësuar Vokrrin si sinonim të gëzimeve dhe lajmeve të mira për Kosovën. “Disa lajme që janë të rënda dhe jo lehtë të pranuieshme, i tillë ka qenë edhe i djeshmi se u nda nga jeta Fadil Vokrri. Ai ka qenë sinonim i gëzimeve tona, lajmeve të mira për Kosovën, sinomim për gjërat e bukura në vendin tonë”, ka thënë Veseli.
