Kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian ka kërkuar nga vartësitë e tij që t’i trajtojnë me prioritet rekomandimet e dala nga Raporti i vendit në raport me zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane. Ai tha se ndonëse nuk është e lidhur drejtpërdrejt, kjo agjendë ndikon edhe në liberalizimin e vizave. “Tema e takimit është zbatimi i agjendës së reformave evropiane dhe jemi në prag të vendimeve të rëndësishme siç është lëvizja e lirë. Implementimi i shpejtë dhe efikas i obligimeve që dalin nga kontrata jonë. Të trajtohen me prioritet të shtuar të gjitha rekomandimet e dala nga raporti i vendit. Agjenda evropiane është interes strategjik i yni, është qëllim në vete si i tillë, por ndërlidhet edhe me liberalizimin e vizave dhe e rritë presionin mbi qeverinë që të fokusohemi në zbatim”, shtoi Haradinaj.
Ndërsa ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se duke pasë parasysh që ka kaluar pjesa e parë e vitit, duhet të fokusohen në përmbushjen e obligimeve të dala nga ERA. “Është koha e fundit që të fokusohemi në përmbushjen e obligimeve që dalin nga ERA. Është me të vërtetë qershori është shumë e rëndësishme që obligimet që kemi marrë përsipër, jo vetëm nga ERA, të tregojmë që kemi vullnetin dhe përkushtimin në rezultatet që çojnë përpara në procesin integrues”, ka theksuar ajo.