Vdekja e papritur e futbollistit, Fadil Vokrri, ka nxjerrë në sipërfaqe një fenomen që herë- herë shafitet në Kosovë, por në raste të caktuar merr zjarr si flaka e kashtës, e cila ndizet përnjëherë, por shuhet shpejt dhe prapa lë një hi katran. Kështu ndodhi me rastin e vdekjes së Fadil Vokrrit, dikur futbollist që përfaqësonte“Partizanin ” e Beogradit.
Lajmet për shprehjen e “pikëllimit” me rastin e vdekjes së Vokrrit nga Serbia dhe veçmas nga klubi, Partizani” i Beogradit, disa jugo-medie kanë lënë në radhë të dytë keqardhjen e shprehur nga autoritetet e larta të vendit, edhe pse të gjithë këta si në kor, për një rast harruan 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u fokusuan për ta ngritur në piedestal futbollistin e ndjerë, të cilin nuk besojmë se kanë dashur aq shumë serbët, edhe pse, dorën në zemër, disa nga ata kanë reaguar me keqardhje, dashuri e sinqeritet, sepse “koha e Vokrrit” iu përkujton Jugosllavinë e Madhe, e cila u shkatërrua, iu përkujton epokën e bashkim vëllazërimit dhe të patriotizmit jugosllav me moton” “Shoku Tito ne të betohemi se nga rruga jote nuk largohemi!”, një moto që shpeshherë ngrehë krye në Kosovë, jo vetëm për nostalgji por edhe për mesazhe e porosi për ardhmërinë e vendit.(!)
Është edhe një fakt tjetër që duhet pranuar dhe që ka të bëjë me ngritjen në karrierën sportive të Fadil Vokrrit, ashtu si të Bekim Fehmiut, aktorit të njohur shqiptar, i cili nuk kishte luajtur asnjë film në gjuhën shqipe, dhe për këtë ishte shprehur i tradhtuar në ndërgjegje, para publikut të Tiranës, në vitin 1996.
Vokrri dhe Bekim Fehmiu nuk mund të krahasohen në segmente të tjera, por për fatin se i ka bërë të njohur ish-Jugosllavia, sidomos këta dy dhe kjo nuk do të thotë pak, për ata vetë, por nuk do të thotë shumë për Kosovën dhe historinë e saj tragjike nën Jugosllavinë e nën robërinë barbare serbe.
Andaj, kujtimin për humbjen e Fadil Vokrrit duhet ne vetë ta ndajmë me familjen e të afërmit e tij, sepse respekti në dukje i zyrtarëve serbë paragjykon kohën e tyre “të artë”, kur Kosova dhe shqiptarët nuk e kishin atë liri që proklamonte regjimi titist, ndërsa talenti i veçantë i ndonjë shqiptari i shërbente politikës zyrtare për të treguar “zemërgjerësi” për shqiptarët, të cilët sipas tyre kishin realizuar të drejtat e tyre historike nën regjimin e Beogradit. Këtë karrem të regjimit fatkeqësisht e kanë kafshuar shumë shqiptarë, të cilët dikur në kohën e tyre kishin menduar se gjithçka në botë mund të përmbyset, por jo edhe Jugosllavia.
Përpjekjet e disa gazetarëve për të na bindur se sporti e kultura nuk njohin kufi nacionalë, janë përpjekje të paqëndrueshme dhe papërgjegjshme dhe nuk korrespondojnë me realitetin faktik. Jo vetëm klasa politike në Serbi por edhe kultura, krijimtaria sporti, kanë qenë dhe kanë mbetur besnike të përpjekjeve të hegjemonizmit serb dhe idesë se “Serbia shtrihet prej Vjenës në Stamboll”.
Për të vlerësuar drejt lidhur me “dashurinë” që kanë serbët për shqiptarët e Kosovës, duhet nganjëherë të përkujtojmë edhe intelektualët e moderuar, ish anëtarë të LKJ-së si Fehmi Agani, Latif Berisha, Bajram Kelmendi, Agim Hajrizi, Bardhyl Çaushi, e shumë të tjerë, të cilët regjimi i Milosheviqit nuk i kurseu, por i vrau dhe i zhduku mizorisht.
Mënyra si ka shpëtuar Fadil Vokrri është e një natyre tjetër. Po të kishte qenë gjatë luftës në Kosovë, kudi çka mund të kishte ndodhur me të.
Por nuk duhet harruar edhe faktin se megjithatë edhe regjimi kriminal i Milosheviqit, kishte kursyer disa nga më besnikët e vëllazërim-bashkimit si: Azem Vllasin, Veton Surroin, Baton Haxhiu, Enver Petrovcin, Sinan Hasanin, madje edhe Fadil Hoxhën, Mahmut Bakallin dhe mjaft të tjerë.
Ja si është paraqitur në disa medie, vdekja e Fadil Vokrrit dhe sipas tyre respekti që ka treguar një pjesë e autoriteteve sportive të Serbisë
Ish-klubi i Fadil Vokrrit, Partizani nga Beogradi e ka kujtuar legjendën e Kosovës.
Partizani i Beogradit ka përkujtuar Fadil Vokrrin në ditën e vdekjes së tij.
Klubi serb ka publikuar një postim në uebfaqen zyrtare duke kujtuar periudhën e suksesshme të Vokrrit si futbollist i ekipit të Partizanit, përcjell “lajmi.net”. Ata e kanë shoqëruar postimin me një fotografi të Vokrrit nga koha kur ishte anëtar i ekipit.
Në varrezat e qytetit të Prishtinës i jepet lamtumira e fundit legjendës së futbollit, Fadil Vokrri Dikur ai u bë shkak qe flamuri i Kosoves të ngrihet lart, e të dielën figura e Fadil Vokrrit u ngre në qiell nga parashutistet, për t’ia dhene atij lamtumiren e fundit.
Fadil Vokrri u varros në Arberi, te varrezat e qytetit, në Prishtine, pasi kishte vdekur një ditë më parë për shkak të një sulmi në zemër.
Më lot në sy të gjithë luteshin për Vokrrin. (Zëri)
Legjenda e futbollit të Kosovës dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka vdekur sot në moshën 57-vjeçare. Vokrri ka vdekur si pasojë e një sulmi në zemër. Sulmi në zemër ndaj Vokrrit ka ndodhur rreth orës 9:30 të mëngjesit derisa po bënte fitnes. Avdush Bajgora ka thënë për KTV se në emergjencë, Vokrri ka shkuar pa shenja jete. “Ne vetëm e kemi konfirmuar vdekjen”, ka thënë ai.
Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë…
Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola.
Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.
Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.
Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA. (Koha Ditore)
Ylli i futbollit kosovar Fadil Vokrri ka vdekur pas një sulmi në zemër.
Lajm tronditës për futbollin kosovar. Ka ndërruar jetë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në moshën 57-vjeçare. Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express person i afërt me Vokrrin. “Besohet të ketë qenë sulm në zemër, por jemi duke pritur raportin mjekësor…”.
Gazeta Express i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë miqve e dashamirëve të futbollit.
Në ceremoninë mortore për kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili vdiq dje, në Prishtinë kanë ardhur zyrtarë të lartë të futbollit të Serbisë dhe nga ish-klubi ku luajti Vokrri – Partizani i Beogradit. KALLXO.com merr vesh se në Prishtinë për t’i dhënë lamtumirën e fundit kanë ardhur ish-kryetari i Federatës Serbe të Futbollit, Tomisllav Karaxhiq dhe kryetari i klubit Partizani, Millorad Vuçeviq.
Mediumi ka siguruar fotografi të veturave me të cilat kanë ardhur nga Beogradi zyrtarët e futbollit serb.
Për sigurinë e këtyre zyrtarëve të lartë po përkujdeset Policia e Kosovës.
Në homazhet e zhvilluara në hollin e Kuvendit të Kosovës sot është parë edhe zyrtari i FIFA-s, Zvonimir Boban. (Portali Ekspress)