Shemsi Ajvazi: Korelacioni i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me pavarësinë e Kosovës

Shemsi Ajvazi: Korelacioni i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me pavarësinë e Kosovës

(QËNDRIMI I HISTORIOGRAFISË MË TË RE RUSE)

Intervenimi i NATO-s kundër agresionit të Serbisë, më 1999 dhe sidomos shpallja e Pavarësisë së Kosovës, më 2008, ka zgjuar interesim të madh në qarqet shkencore të ndryshme ruse, si: të historianëve, të etnologëve, të specialistëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, të politologëve etj. Pasojë e këtij interesimi janë shkrimet e shumta shkencore nga lëmitë e ndryshme dhe nga aspekte të ndryshme, kushtuar Kosovës, në veçanti  dhe çështjes shqiptare, në përgjithësi.

Shumica e punimeve çështjen e Kosovës e trajtojnë si pjesë përbërëse të çështjes kombëtare shqiptare në suazat ballkanike. Në këtë aspekt shumica e këtyre shkrimeve ndërlidhën me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe e trajtojnë nga këndvështrime të ndryshme, jepen vlerësime të ndryshme, por askush nuk e mohon se Lidhja e Prizrenit si fundament i ideologjisë kombëtare shqiptare ka ndikuar në realizimin e Pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, pohohet me vlerësime të ndryshme, prej atyre reale dhe pozitive nga ana e historianëve te njohur rusë që bazohen në burime të llojllojshme, të cilët e paraqesin Lidhjen e Prizrenit si arkitekten dhe realizuesen e pavarësisë së Shqipërisë, më 1912, dhe po ashtu si motivuesen e Pavarësisësë Kosovës, gati një shekull më vonë, më 2008.

Në këtë pikëpamje, ka edhe shumë vlerësime negative për Lidhjen e Prizrenit si frymëzuese të idesë “megalomane të nacionalizmit shqiptar” për krijimin e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”, nga ana e pseudohistorianëve rusë dhe serbë, të cilët përdorin burime të rrejshme apo i shtrëmbërojë ato me qëllim të dezinformimit me prapavija politike dhe strategjike.

Në Rusi janë botuar me qindra artikuj të këtij lloji, madje edhe disa libra voluminoze e mos të flasim për artikujt analitikë të panumërt, por ata nuk kanë ndonjë vlerë serioze.

Me çështjen shqiptare qysh nga gjysma e shekullit XX janë marrë historianë seriozë, kompetentë dhe specialistë me famë shkencore, sikur  janë Grigorij Lvoviç Arsh, Irina Grigorievna Senkeviç, N.D. Smirnova, Anatolij Filimonoviç Miller etj., të cilët janë autorë të librit,”Historia e shkurtër e Shqipërisë”, Nauka, 1965 Moskë, 209 faqe. Pos këtij libri me vlerë, duhet përmendur doemos librin; “Historia e shkurtër e Shqipërisë. Prej kohërave te lashta deri me ditët e sotme”, Nauka, Moskë, 1992,. Ky libër ka dalë nën redakturën e historianit Grigorij Lvoviç Arsh (1925-2017).Autorë të këtij libri janë: G.L. Arsh, J.V. Ivanova, O.A. Kolpakova, N.D. Smirnova. Libri ka 512 faqe.

Ky libër ka një vlerë të jashtëzakonshme për historinë e popullit shqiptar dhe sidomos për demantimin dhe demaskimin e historianëve dezinformues serbo-rusë. Për të ilustruar, ja se si trajtohet në këtë libër periudha e Lidhjes së Prizrenit: “Me tre mars 1878 në vendin Shën Stefano, afër Stambollit, u nënshkrua marrëveshja paqësore, me të cilën përfundoi lufta ruso-turke me ngadhnimin e Rusisë. Porta u detyrua ta pranojë pavarësinë dhe autonominë e një numri të vendeve ballkanike, por Shqipëria nuk u përfshi në këtë numër. Nuk mund të thuhet se Rusia nuk interesohej për gjendjen e shqiptarëve, meqenëse në vitet 60 – 70 të shekullit XIX disa diplomatë dhe po ashtu disa shkencëtarë dhe publicistë në shkrimet e tyre mundoheshin të tërheqin vëmendjen e qeverisë dhe të opinionit shoqëror për fatin jo të lehtë të këtij populli të lashtë, i cili secilën herë më me vendosmëri  e vazhdoi rrugën kah liria dhe pavarësia….

Natyrisht marrëveshja e Shën Stefanos, shkaktoi reagime negative te shqiptarët. Mllefi i tyre u rrit edhe më tepër, kur nga viset e okupuara nga ushtria serbe dhe malazeze, filluan te arrijnë me mijëra refugjatë, të cilët u privuan nga kulmet  mbi kokë dhe idaretë e ekzistencës së tyre. Varfëria e bashkëkombasve dhe rreziku i ngritur mbi Shqiprinë për shpartallimin e saj,  i aktivizuan të gjithë patriotët ….Tani patriotët shqiptarë shihnin para vetes si detyrë kryesore, të pengojnë shkëputjen e

territoreve shqiptare nga ane e shteteve fqinje ballkanike. Për këtë qëllim parashihej të formohej, brenda suazave të Perendorisë Osmane, Vilajeti shqiptar autonom, në të cilin duhej të përfshihen të gjitha tokat e banuara me shumicë shqiptare…..

Në vitin 1878 brenda shqiptarëve dita-ditës përfitonte popullaritet ideja e krijimit të një organizate gjithëkombëtare – Lidhjës, e cila do të udhëheqte luftën për mbrojtjën e tërësisë territoriale kombëtare….”

Në këtë mënyrë shkruente historiani sovjetik dhe rus, ballkanisti dhe bizantologu i njohur, Grigorij Lvoviç Arsh, i cili konsiderohej specialist për historinë e Shqipërisë dhe njohës i thellë i gjuhës shqipe. Shfrytëzimi i burimeve te llojllojshme historike i jep punimeve të tij fundamentalitet në prezantimin e Shqipërisë dhe të marrëdhënieve ruso-shqiptare, që nga mesjeta deri te koha e re dhe ajo më e re.

Në këtë kontekst duhet ta kemi parasysh edhe historianin e ri rus, Pjotër Ahmedoviç Iskenderov – kandidat i shkencave të historisë, bashkëpunëtor i lartë i Institutit të sllavistikës pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë. Ky historian është jashtëzakonishte produktiv dhe është paraqitur me një numër te madh artikujsh, dedikuar historisë së Kosovës, si në revistat shkencore, apo ato analitike strategjike. Ai, po ashtu, është i pranishëm shpesh në programet e radiotelevizioneve ruse. Me këtë rast do ta ta përmendi në mënyrë te shkurtuar artikullin e tij të vlefshëm “Historia e Kosovës në shënjestër të diskutimit”, të botuar në revistën “Vaprosi istorii “ nr. 3, mars 2010.

Dhe, ja, se çka shkruan Iskenderov për Lidhjen e Prizrenit : “Në kulminacionin e Krizës lindore, në vitet 1875 – 1878, të cilat përfshijnë ngjarjet dramatike, sikur kryengritja ne Bosnje dhe Hercegovinë, lufta ruso-turke … Kosova e tregon veten për të parë herë me lëvizjen nacional-çlirimtare shqiptare. Në qytetin kosovar, Prizren, është formuar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila u paraqit si organizata e parë kombëtare shqiptare. Në qytetin e Kosovës, Prizren, është thirrë Lidhja Shqiptare e cila bëri bashkimin e parë nacional të shqiptarëve dhe që përcaktoi qëllimet politike. Atë, mund ta konsiderojmë qartazi si paraqitjen e parë të idesë «shqiptaro-madhe”,nën të cilën duhet kuptuar tendencat e bashkimit e të gjitha viseve te Ballkanit të banuara nga shqiptarët në një formacion shtetëror nacional.

Marrëveshja preliminare ruso-turke e Shën Stefanit, e nënshkruar ne fund të Krizës Lindore, jo vetëm që nuk e përmendte Shqipërinë dhe shqiptarët – për dallim nga përfaqësueset e tjera të Ballkanit, ata vetëm mund të llogaritnin në ndonjë autonomi administrative të kufizuar – por, parashihte dorëzimin e një serie të territoreve të banuara me shumicë shqiptare, shteteve fqinje – Bullgarisë, Serbisë dhe Malt të Zi. Përveç kësaj, sipas të dhënave burimore, shqiptarët gjatë kohës së aktiviteteve të luftës (1877 – 1878) dhe hyrjes së ushtrisë serbe në pjesën veri-lindore të Vilajetit të Kosovës, janë deportuar  gjithsej (cirka) 160 mijë shqiptarë që jetonin ne 640 vendbanime (punkte banuese). Këto të dhëna i ka kundërshtuar pala serbe.

Pastaj Iskenderov konstaton se kjo shkaktoi reaksione negative në radhët e lëvizjes nacionale shqiptare, e cila kishte marrë hov. Qe nga pranvera e vitit 1878 secilën herë më shumë, përhapej ideja e formimit të Lidhjes Shqiptare, e cila do të kishte për detyrë bashkimin e të gjitha tokave shqiptare dhe kundërshtimin e planeve të shteteve të mëdha dhe të shteteve ballkanike, të cilat donin t’i shkëputnin territoret e banuara me shqiptarë dhe t’i përvehtësonin.

Në këtë çështje mendimet e shqiptarëve përputheshin me interesat e qeverisë turke, e cila dëshironte të shfrytëzojë lëvizjen shqiptare për intereset e ruajtjes së tërësisë territoriale të Perandorisë Osmane dhe po ashtu inkorporohej shumë mirë në strategjinë e politikave të jashtme të disa shteteve të mëdha, në rend të parë, të Anglisë dhe të Austri-Hungarisë, të cilat insistonin në rishqyrtimin e Marrëveshjes së Shën Stefanit dhe që planifikonin ta shfrytëzonin pakënaqësinë e shqiptarëve si pikë mbështetje për të bërë presion mbi Rusinë.

Historianët shqiptarë, si Kristo Frashëri, nënvizojnë karakterin proturk e njërës nga kërkesat kryesore të delegatëve të Lidhjes së Prizrenit “vilajetit gjthëperfshirës të shqiptarëve, që parashihte ruajtjen e Turqisë Evropiane”. Por, disa hulumtues turq, ndër ta edhe Sylejman Kylçe, mendojnë se qëllimet dhe veprimet e Lidhjes së Prizrenit që nga fillimi ishin në kundërshtim me interesat dhe me vetë ekzistimin e Perendorisë Osmane.

Pastaj Iskenderov vazhdon të shkruajë më hollësisht për programin e Lidhjes së Prizrenit, duke e theksuar se pjesëmarrësit u dërguan memorandum special delegatëve të Kongresit të Berlinit dhe po ashtu qeverisë turke dhe përfaqësuesve diplomatikë të fuqive të mëdha ne Konstantinopol, në të cilin tërhoqën vëmendjen e Evropës në këtë gjendje. Përveç kësaj, në Berlin u dërgua delegacioni i autorizuar nga Lidhja Shqiptare në krye me Abdyl Frashërin. Por, aktivistëve të lëvizjes nacionale shqiptare nuk u shkoi përdore te marrin pjesë në punën e forumit evropian në nivel të barabartë me përfaqësuesit e fqinjëve ballkanikë, madje nuk munden as që të fusin në rend të ditës çështjen shqiptare.

Shtetet e mëdha, sipas Iskenderov-it, patën qëndrim negativ ndaj vetë faktit të ekzistimit të kombit shqiptar. Fraza “kombi shqiptar nuk ekziston “ i përkiste kryesuesit të Kongresit, kancelarit gjerman, Oto Bizmark. Shtetet evropiane i konsideronin territoret e banuara me shqiptarë vetëm si shprehje me kuptim gjeografik.

Iskenderov-i çështjen e Kosovës e konsideron si pjesë të pandashme të çështjes shqiptare dhe vetëm, edhe si një fazë te realizimit te projektit të Lidhjes së Prizrenit. Në një emision radioteleviziv deklaron, duke i kundërshtuar mendimet nënçmuese të gazetarëve për kombin shqiptar, dhe thotë shqiptarët janë një nder popujt kyçë të Ballkanit dhe ndër më të mëdhenjtë. Ata janë në ofensivë dhe është vështirë të ndalen në rrugën e tyre për të zënë vendin e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …