Zëvendësministri Dukolli vizitoi kompaninë “Sharrcem”

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, i cili njëherësh është edhe kryesues i Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, sot ka vizituar Fabrikën e Cimentos  “Sharrcem” në Han të Elezit. I shoqëruar nga anëtarët e Këshillit, ata u njohën nga afër me masat mbrojtëse dhe preventive që aplikohen në Sharrcem për sigurinë dhe shëndetin në punë. Zëvendësministri Dukolli tha se në kuadër të planit dyvjeçarë të punës dhe vizitave të planifikuara nëpër kompani të ndryshme, KNSSHP, jo rastësisht ka përzgjedhur Sharrcemin. “Siguria dhe shëndeti në punë është çështje që na preokupon të gjithëve. Në këto vizita ne po informohemi drejtpërdrejt nga punishtet me kushtet dhe ambientin e punës së punëtorëve, në veçanti me aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë”. Dukolli ka shtuar se kjo praktikë do të vazhdojë edhe në kompani tjera, jo vetëm sa për të skanuar gjendjen, por do të nxirren konkluzione përafërsisht të sakta, se si të veprohet tutje, qoftë edhe si shkëmbim përvojash, duke afirmuar shembujt e mirë të biznesit në aplikimin e masave preventive në mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në vendet e punës. Ndërkaq drejtori menaxhues në “Sharrcem”, Thomas Galvas, tha se menaxhmenti i kompanisë po bën maksimumin në fushën e sigurisë. Ai njoftoi zëvendësministrin Dukolli, se duke aplikuar praktikat më të mira të sigurisë dhe shëndetit në punë,  në “Sharrcem”, në dy vitet e fundit nuk është raportuar asnjë lëndim në punë. Galvas tha se menaxhmenti i kompanisë është i hapur për bashkëpunim dhe se komentet apo sugjerimet e ndryshme në fushën e sigurisë, janë të mirëseardhura. Në përfundim të vizitës, KNSSHP u  nda i kënaqur me punën dhe përkushtimin  e menaxhmentit të “Sharrcemit”, në ofrimin e një ambienti të mirë, ku siguria dhe shëndeti i punëtorëve, tashmë është bërë prioritet i kompanisë. Ditëve në vijim Këshilli do të vizitojë edhe industri tjera anembanë vendit, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …