Nën patronatin e ministrit të
Diasporës, Valon Murati sot në mjediset e ‘Vila Gërmia’ u mbajt takimi i parë i
grupeve punuese për zbatimin e Marrëveshjes së nënshkruar midis Republikës së
Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për mësimin shqip në diasporë. Në fjalën e tij
hyrëse, ministri Murati foli për rolin e pazëvendësueshëm që ka pasur diaspora
për popullin shqiptar. Duke evokuar shembuj nga shtete të tilla si Suedia, ai
shprehu përkushtimin për zbatimin e marrëveshjeve, duke zbatuar metodologji të
reja. “Ne si ministri në bashkëpunim edhe me Republikën e Shqipërisë, duhet të
angazhohemi të fusim metodologji të reja në arsim, planprogram të detajuar të
veprimit në mënyrë që marrëveshjet tona të mos mbesin vetëm në letër”, tha
ministri, Murati. Më pas, ministrja e Arsimit të Republikës së Shqipërisë,
Lindita Nikolli theksoi se institucionet shqiptare kanë formuar grupe punuese për
adresimin e çështjeve të parapara në marrëveshjet e nënshkruara. “Unifikimi i
arsimit të të dy vendeve tashmë është bërë realitet dhe kjo duhet të përhapet në
diasporë. Tani e tutje do të jemi bashkëpunues në përpunimin e mësimit për fëmijët
tanë në çdo vend të botës”, theksoi ministrja, Lindita Nikolla.