Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës ku u prit nga kryetari i BIK-ut, myftiu Naim Tërnava dhe drejtues të tjerë të kësaj bashkësie fetare, të cilët i uroi për festën e Bajramit dhe nëpërmjet tyre, të gjithë besimtarët islamë në Kosovë. Kryetari Veseli tha se qytetarët tanë kanë qenë çdo herë solidarë dhe afër njëri-tjetrit, prandaj edhe janë shënuar suksese të mëdha, siç janë liria dhe pavarësia e vendit tonë. “Sot është një ditë e veçantë, është dita e Fitër Bajramit, dita e gëzimit dhe bashkimeve tona familjare, pas një muaji kur qytetarët tanë, vëllezërit tanë të besimit mysliman, treguan sakrificë dhe përkushtim, duke dëshmuar kështu se janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe në rrethana paqeje dhe lumturie”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Në këtë ditë, kreu i Kuvendit bëri thirrje për bashkim dhe solidaritet midis njëri-tjetrin. “Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të vizitojnë njëri-tjetrin, të respektojnë njëri-tjetrin dhe të ndihmojnë familjet që janë në nevojë, në mënyrë të veçantë, familjet e dëshmorëve, të cilët dhanë gjithçka nga vetja e tyre”, tha Veseli. Ai falenderoi myftiun Tërnava dhe nëpërmjet tij çdo imam anembanë Kosovës, të cilët po përçojnë mesazhin e paqes, të dashurisë dhe të respektit të ndërsjell.