leoni

Flet këngëtarja e Ansamblit Popullor, Hatixhe Lushi

Flet këngëtarja e Ansamblit Popullor, Hatixhe Lushi

(Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi)

“Shkumbini, ky si lumë i veçantë dhe unik i Shqipërisë. Gjithmonë jam frymëzuar dhe gjithmonë kam marrë forcë nga legjendat e tij. Shkumbini për mua mbetet frymëzim i pashtershëm. Interesante është se në çdo këngë të Librazhdit patjetër do të futet lumi i Shkumbinit, magjia e qytetit”

Është rritur mes magjisë së ujit të Shkumbinit dhe legjendave të tij. E lindur në Librazhd, këngëtarja e njohur, Hatixhe Lushi, fillimet e saj me këngën popullore i ka patur qëkur ishte gjashtë vjeçe. Ishte koha kur këndonte këngën “Në një arë, në një lëndinë”, në fillim brenda shtëpisë, e nxitur nga nëna e saj Bejaze Hysa, që ka pasur një zë shumë të bukur. Një këngëtare e mrekullueshme ajo, e cila e ka ushqyer me shumë dashuri për këngën, për  baladat, legjendat, të cilat kanë ardhur tek Hatixhja sikur të kenë ndodhur në ditët tona. Tashmë ajo figuron se ka qenë pjesëmarrëse në çdo festival folklorik të Gjirokastrës, ku veçon këngët  “Loti i kurbetit”, baladën “Ibrahim Keta i ri”, si edhe shumë këngë të tjera vaji, që sot janë pjesë e repertorit të kësaj këngëtareje të njohur popullore. Veçohet në premierën “Rituali i jetës”, kënga e vajit “Biri im” që i takon në fakt Malësisë së Madhe, por që ajo u dashurua me të.  Ndërsa ka një lidhje të hershme edhe me Ansamblin Popullor, qysh në vitin 1997, me të cilin ka bërë edhe një recital, e tashmë po përgatit një tjetër të ri, këtë herë me këngë të Nexhmije Pagarushës. Duke patur shumë sukses në këngët e vajit, Hatixhe Lushi cilësohet si zëri më i mirë i këtyre këngëve, e për këtë ajo është vlerësuar madje dhe nga vetë Nexhmije Pagarusha…

 Znj. Lushi, tashmë mbi 20 vjet si anëtare e TKOB-it, cila ka qenë kënga apo interpretimi juaj i fundit, ku keni interpretuar si soliste dhe si ka reaguar publiku?

 

Duke qenë pjesëtare e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, jam gjithmonë e angazhuar në koncertet, recitalet, përvjetorët dhe çdo aktivitet tjetër apo premierë të tij. Jo më larg se disa ditë më parë, interpretova “Vajtimi i Ajkunës”, që mendoj se ishte arritja ime më e madhe në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Në këtë vajtim isha soliste, Ajkuna isha unë. Ishte një orkestracion i shkëlqyer i Gert Drugës dhe grupi i vajzave që këndonin nga pas ishte një mrekulli. Gjatë gjithë kohës që unë interpretova Ajkunën, në sallë ishte një heshtje varri. Gjatë gjithë interpretimit në sallë nuk dëgjohej asnjë zhurmë, madje dukej sikur njerëzit nuk merrnin as frymë. Mund të them se edhe kori edhe orkestra, edhe salla, edhe kënga ishin në union. Pas përfundimit të vajtimit, duartrokitjet ishin të mëdha. U mrekullova. Suksesi u arrit. Nuk e besoja. Mbetet një nga ditët më të bukura të jetës time.

Përse po përgatiteni tashmë?

Dua të them se Ansambli është gjithmonë në krijimtari, gjithmonë në kërkim të së resë. Tani jemi duke përgatitur “Sokaku i të marrëve”, sërish realizuar nga Gerti Druga (drejtor artistik i Ansamblit),  i cili do të realizohet në kalanë e Gjirokastrës. Ne si grup vokal, në këtë pjesë kemi vendin tonë dhe kohën tonë të interpretimit. Dua të them se ne të gjithë në grupin vokal jemi solistë, pra që në çdo kohë sipas pjesëve mund të këndojmë me shumë profesionalizëm çdo këngë apo pjesë solo. Pra në çdo moment jemi edhe koristë edhe solistë.

 

Po muaji qershor çfarë përbën për ju?

Muaji qershor është muaji im, është ditëlindja ime. Pra, në 14 qershor mbush 60 vjeç dhe unë me këtë rast do të demonstroj një koncert recital në qytetin tim të lindjes, në qytetin e bukur të Librazhdit. Në këtë koncert, unë do të sjell tek spektatori librazhdas këngët më të bukura të repertorit tim në 45 vjet si këngëtare, plus edhe këngët e bukura që po ripunoj me Shkëlqim Brajën. Për shembull, këngën e bukur “Librazhdi im, o sa fort të dua”, e kënduar që në vitin 1978 nga një djalë i ri në atë kohë nga Librazhdi, por unë këtë këngë në recital do ta sjell në mënyrë të re, në një frymë të re, me një tekst të ri të ripunuar. Pra, kjo këngë besoj se do të jetë kënga më e bukur e koncertit që unë do realizoj. Kjo këngë do shoqërohet dhe nga grupi i valleve të brezave të Librazhdit që janë nga mosha 6 vjeç, deri në 20 vjeç. Pra, në Librazhd vazhdon tradita e këngëve dhe valleve, por sidomos e valleve që ne gjithmonë i kemi paraqitur denjësisht në Festivalet e Gjirokastrës.

Me kë po punoni për realizmin e këtij koncerti të veçantë në jetën tuaj artistike?

Unë po bashkëpunoj me drejtorin e Shtëpisë së Kulturës së Librazhdit, Arianit Leka, i cili sapo paraqita kërkesën edhe pse është kohë vere, ai mu përgjigj menjëherë për çdo lloj ndihme dhe bashkëpunimi. Madje theksoi se është nder për ne që të bëhet diçka e tillë në qytet. Por së pari dua të theksoj ndihmën e madhe të Kryetarit të Bashkisë të Librazhdit, Kastriot Gurra. Kryetarit unë i shkova në zyrë për këtë koncert  dhe ai dhe pse ishte jashtë çdo axhende, jashtë çdo lloj programi apo platforme të mëparshme, u shpreh se ne do të ndihmojmë në çdo hap të realizimit të koncertit. Ngela e mrekulluar nga pritja e tij. Madje shprehja e tij se “ju e nderoni qytetin, pasi keni kënduar që 6-vjeçe këtu”, më preku thellë. Këngëtari nga një fjalë e mirë preket, madje dhe loton. Kjo është ndjeshmëria e shpirtit të artistit. “Në Librazhd ke sallën në dispozicion, por edhe ne si Bashki na ke në dispozicion”, më tha ai. U mrekullova.

Si do ta titullosh këtë koncert recital?

Unë këtë recital do ta titulloj “Librazhdi im, sa fort të dua”. Në fakt, kjo ishte ideja e fillimit, por duke qenë se është shumë specifik në vitlindjen time mendova ta titulloj “Zëri i Luginës”. Ky titull është më afër, vendit, lumit, baladave që kam kënduar, pra lumi Shkumbin dhe Hatixhja tashmë janë një. Shkumbini i sa e sa ngjarjeve, Shkumbini si lumë i veçantë i Shqipërisë, me misteret e tij, me bukuritë e tij, me shpërthimet e tij mbetet unik. Gjithmonë jam frymëzuar nga ky lumë dhe gjithmonë kam marr forcë nga legjendat e tij. Shkumbini për mua mbetet frymëzim i pashtershëm.

Sa këngë do këndoni në këtë recital?

Unë në këtë koncert-recital do të këndoj 14 këngë. Janë këngët më të bukura të repertorit tim. Janë këngët që kam seleksionuar nga 200 që kam kënduar brenda dhe jashtë atdheut. Do jenë këngë popullore dhe balada që me të vërtetë  kanë lënë gjurmë jo vetëm tek spektatori, por dhe në historinë e këngëve popullore. apo baladave shqiptare. Të gjitha këngët do të jenë të trevës së Librazhdit. Kënga e parë do jetë “O bubullimë pas malit”. një këngë e sjell në mënyrën time e ripunuar mjeshtërisht nga Edmond Zhulali. Do të sjell edhe një këngë të Naim Gjoshës, që titullohet “Vaji i nuses”, të cilën nuk e kam kënduar asnjëherë në Librazhd dhe me këtë rast, mendoj që kësaj kënge t’i bëj një klip të thjeshtë të bukur nën drejtimin e Agim Fejzullait, i cili është pjesë e Shtëpisë së Kulturës. Ndaj e theksova se pjesë e folklorit tonë popullor janë dhe këngët e vajit, aq të rënda në fjalët që kanë, por aq të bukura, sepse dalin nga thellësia e shpirtit. Pra, në këtë koncert do të sjell disa gjëra specifike, të ripunuara, të përmirësuara duke ruajtur origjinalitetin, që i përshtaten Librazhdit, luginës së bukur. Pastaj kam këngën e bukur baladë “Mall”, të cilën si tekst dhe muzikë e kam realizuar vetë, dhe e ka orkestruar Klement Marku. Kjo është e veçantë që tregon se koncerti nuk do jetë vetëm daulle fillim dhe fund por do të jetë i kompletuar, i harmonizuar, pasi brenda do të ketë romancën, populloren, ninullën, baladën…

Mund të na thoni disa vargje të Ninullës?

Po.

Shkojnë zogjtë truma-trumë,

 

Djepi çunit plot me gjumë,

 

Aq sa ka Shkumbini ujë,

 

Ty t’u bëftë djepi gjumë”.

Interesante është se në çdo këngë të Librazhdit patjetër do të futet lumi i Shkumbinit. Ky lumë është magjia e qytetit. Pra, mund të them se krijimtaria popullore shqiptare është shumë e pasur dhe në rastin konkret të Librazhdit, lidhet me lumin që kalon pranë tij. Folklori shqiptar vjen në këtë zonë shumë bukur, pasi këngëtarët popullorë, poetët, shkrimtarët i këndojnë dashurisë, jetës, natyrës, bukurive të saj, lumturisë por dhe dhimbjes dhe tragjedive. Të gjitha këto tek ne janë lidhur me Shkumbinin. Pra, lumi nuk është përbri, por përbrenda Librazhdit.

 Ju, në pjesën dërrmuese të repertorit keni këngë popullore dhe balada?

 

Po, në këto dy gjini është fokusuar krijimtaria dhe rrugëtimi im. Por më vjen keq se jo të gjitha këngët e mia janë të inçizuara apo të filmuara. Janë me dhjetëra këngë që kanë humbur. Më kanë humbur shumë këngë qysh në moshën e vogël deri më sot. Nuk kam bërë klipe, pasi nuk kam pasur ndihmë, nuk kam pasur sponsorizime. Kam qenë e vetme në shumë nisma dhe jam munduar të bëj diçka ndryshe. Arti i vërtetë nuk bëhet vetëm. Duhet dhe reklamë, duhet dhe sponsorizim, duhet bashkëpunim me grupime të ndryshme. Ndaj me këtë rast falënderoj Kryetarin e Bashkisë Librazhd, Drejtorin Artistik të kësaj bashkie por sidomos Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, drejtorin artistik të saj. Ndaj në këtë përvjetor unë do sjell në qytetin tim këngët më të bukura të repertorit tim.

Kohët e fundit në Ansambël keni qenë shumë e aktivizuar, promovuar?

Shumë. Aktivizim i jashtëzakonshëm. Në këto vitet e fundit në Ansambël unë kam gjetur veten pasi kam kënduar solo, kam kënduar këngë që i përshtaten vokalit tim, kam kënduar në çdo premierë dhe më duket vetja shumë e re.

Ju, me sa kam parë në fotot që hidhni në Facebook, keni qenë dhe në Kosovë në një aktivitet?

Po, kam qenë në një aktivitet në Ferizaj, tek spektakli “Kosovarja këndon”. Më kanë bërë një nder të madh. Në Kosovë dinë të të vlerësojnë, dinë ta shprehin respektin. Por kohët e fundit kemi qenë edhe në Kroaci, në Maqedoni, Tetovë, Gostivar, Mal i Zi. Asambli është ftuar dhe ftohet kudo. Ka pjesë të bukura, që i mirëpresin. Dua të falënderoj dhe z. Gramoz Burban, që është përgjegjës i grupit vokal. Punon me mjeshtëri, përgjegjësi dhe është tepër korrekt. Ai punon shumë bukur me zërat. Ai e di zërin tim dhe m’i përshtat aq bukur materialin muzikor. Pra, kënga vjen tek zëri, përshtatet. Pra, më jep ato materiale që zëri im është në harmoni. Më mrekullon ky lloj bashkëpunimi.

 VLERËSIMI

Modeli në jetë, e madhja Nexhmije Pagarusha

Beson se çdo njeri ka një model në jetë. Modeli i Hatixhës në jetë mbetet këngëtarja e madhe Nexhmije Pagarusha. Jo vetëm model, poR Pagarusha është dhe mikesha e saj dhe ajo e vlerëson shumë. I kujtohet si sot që ditën e parë që Pagarusha kishte dëgjuar albumin e saj, ajo i bën një telefonatë dhe e fton të shkonte në Prishtinë në shtëpinë e saj. Nuk e besonte. E mori në telefon idhulli i saj. Gati sa nuk fluturonte. E mbajti frymën në Prishtinë. Kur trokiti në derë, zemra sa nuk po i çahej më dysh nga emocionet. Hapet dera. Përballë me idhullin e saj. E përqafon mes lotësh. Mes lotësh, i thotë me zë të mekur: “Shumë njerëz më thonë se zëri im ngjan me tuajin”. E madhja Pagarusha i thotë:  “Ti ke zërin tënd, gjithsecili ka zërin e vet dhe me zërin tënd unë sa herë mërzitem dëgjoj albumin tënd”. Kjo e bëri shumë të lumtur, krenare dhe plot besim për të ardhmen. Kishte marrë bekimin e një këngëtareje të madhe dhe me zemër të madhe. Takimi me Pagarushën mbetet për Hatixhen si një ylber mirësie….

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …