Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen të dielën, më 24 qershor, në Bruksel, në kuadër të dialogut në nivelin e lartë politik. Në këtë takim do të diskutohet rreth marrëveshjeve që janë arritur deri më tani si dhe për hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve. Vuçiq ka konfirmuar se ka marrë ftesë për vazhdimin e dialogut me Kosovën. Ai ka shtuar se gjatë të dielës do të takohet me kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçi. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar në dy nivele, në atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga kryetarët e shteteve, si dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve e ministrave.
