MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË TRYEZËN E RRUMBULLAKËT ME TEMË “PRIORITETET NË FUSHËN E ARSIMIT PARAUNIVERSITARʼʼ

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë “Prioritetet në fushën e Arsimit Parauniversitar”, të iniciuar nga MAShT dhe GIZ, si lider i fushatës “Për një Arsim më të Mirë në Kosovë” dhe të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Arsim. Kjo tryezë kishte për qëllim të sigurojë hapësirë për MAShT-in dhe partnerët mbështetës të fushatës që të shprehin shqetësimet dhe sugjerimet e duhura, se si mund të përmirësohet gjendja në arsim dhe po ashtu synon avokimin e fuqishëm në Kuvend dhe Qeverinë e Kosovës, që arsimi të bëhet prioriteti i parë në nivel vendi. Ministri Bytyqi me këtë rast ka theksuar se, vetëm angazhimi i përbashkët i të gjitha strukturave dhe i të gjithë aktorëve që kanë ndikim në arsim mund të krijojnë kushte për një arsim cilësor dhe edukim të mirëfilltë për të cilin ka nevojë vendi ynë. Ministri Bytyqi tha se Ministria e Arsimit së bashku me partnerët zhvillimorë është duke u angazhuar maksimalisht që të realizohet PSAK 2017/2021, ku në kuadër të kësaj strategjie janë të parapara ndryshimet që qojnë në atë për të cilën ka nevojë sistemi i arsimit në Kosovë. “Në diskutimet e MAShT-it me GIZ-in janë identifikuar prioritetet kryesore afatshkurtra të cilat mund të ndërmerren, në mënyrë që të fillojnë ndryshimet në sistemin arsimor. Janë identifikuar pesë prioritete kyçe, pavarësisht që PSAK 2017/2021 parasheh shtatë fusha kyçe. Por, për shkak të pamundësisë buxhetore duhet të fokusohemi në prioritetet kryesore të cilat do të ndikonin direkt në ndryshimin e cilësisë brenda sistemit arsimor në Kosovë”, është shprehur ministri Bytyqi. Si prioritet të parë, i cili parashihet edhe në kuadër të PSAK-ut, ministri Bytyqi tha se është licencimi i bazuar në performancë, ku në kuadër të kësaj  fushe nga shtatori i këtij viti do të fillojë matja e performancës së mësimdhënësve. Pjesë e prioritetit të parë është edhe trajnimi i mësimdhënësve, praktika njëvjeçare para se të nënshkruhet kontrata e përhershme e punës dhe ngritja të karrierë. Prioriteti i dytë, i cili po ashtu është nxjerrë nga PSAK-u, është hartimi i teksteve të reja sipas standardeve ndërkombëtare dhe në këtë drejtim ministri tha se, është bërë një hap pozitiv duke shpallur thirrje publike për hartuesit e teksteve shkollore për pjesën e parë, ndërsa pjesa e dytë do të shpallet në fund të korrikut, në mënyrë që deri në vitin shkollor 2019/2020 tekstet e reja shkollore për të gjitha nivelet të jenë të gatshme për përdorim. Ministri Bytyqi theksoi nevojën për buxhet shtesë sa i përket pagesës së recensentëve dhe ekspertëve deri në finalizimin e teksteve të reja. Prioritet i tretë konsiderohet çështja e gjithëpërfshirjes në edukimin parashkollor, përkatësisht rritjen e shkallës së përfshirjes në nivelin 0-5, si dhe vetëdijesimin e prindërve për rëndësinë e edukimit 0-2 vjeç. Prioriteti i katërt është sistemi i menaxhimit të shkollave, me ç’ rast u theksua se duhet të fuqizohet roli i prindërve. Prioriteti i pestë është planifikimi i integruar i Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017/2021, për të cilin, ministri Bytyqi tha se nuk ka mjete të mjaftueshme për realizim të plotë dhe se për këtë, sipas llogarive, nevojiten mbi 10 milion euro. Ndërsa, Boris Scharlovski (GIZ) ndër të tjera tha se, arsimi është një obligim për të gjithë dhe të gjithë duhet të punojnë me përkushtim. Sipas tij, askush nuk duhet të ndjejë veten anash këtij procesi. Ndërsa, theksoi se është shumë me rëndësi që të fokusohemi në zbatimin e PSAK 2017/2021. Në fund, pjesëmarrësit në diskutim u shprehën se MAShT do ta ketë mbështetjen e plotë për realizmin e PSAK-ut dhe politikave tjera arsimore me qëllim të përmirësimit të cilësisë në arsim.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …