Autoritetet e larta të Kosovës janë shprehur të tronditur me sulmet terroriste në Paris

Kryetarja Jahjaga, kryeministri Mustafa dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli i kanë shprehur ngushëllime popullit dhe Qeverisë së Francës. “E tronditur me sulmet terroriste në Paris dhe humbjen e shumë jetëve të pafajshme në këto sulme. E ndajmë dhembjen me Francën dhe qëndrojmë me popullin francez kundër terrorizmit”, ka shkruar kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar për sulmet në Paris. Veseli u ka shprehur ngushëllime popullit francez.  Po ashtu, edhe kryeministri Isa Mustafa, nëpërmjet një deklarate, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për viktimat e sulmeve të së premtes mbrëma në Paris të Francës, duke dënuar fuqishëm përpjekjet për terrorizimin e popullit francez me akte mizore e terroriste, përmes të cilave po synohet të mbillet frika në krejt botën e civilizuar.


 


16. 11. 2015    ora 8.00


 


Ish-komandanti i NATO-s, admirali, Xhejms Stavridis, sulmeve të ISIS-it në Paris  iu ka përgjigjur me thirrje për NATO-n që t’i bashkohet luftës kundër Shtetit Islamik. “Mendoj se do t’ i shohim “çizmet” e NATO-s atje së shpejti”, ka thënë ai për BBC. Më herët, zëvendësministri i jashtëm rus, Sergej Rjabkov, ka thënë se shpreson se NATO-ja do t’i ndryshojë prioritetet pas këtyre sulmeve. Ndërkaq, sipas Zëvendës-këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Ben Rodes, Franca në koordinim me SHBA-në, do t’i intensifikojnë sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik.


 


Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, grupit më të madh në botë të vendeve myslimane – ka dënuar sulmet terroriste në Paris dhe ka shprehur “solidaritetin e palëkundur” të organizatës me Francën. Ijad Madani ka thënë se organizata kundërshton në mënyrë të vendosur çdo akt terrorist, që shkel të drejtën për jetë dhe minon vlerat e lirisë dhe barazisë, të promovuara vazhdimisht nga Franca. Edhe dijetarët sunitë të Ligës Botërore Myslimane, me seli në Mekë të Arabisë Saudite, kanë dënuar sulmet në Paris dhe ato në Liban, që kanë ndodhur të enjten dhe të premten.


 


Pas tragjedisë në kryeqytetin e Francës, në Paris, ku si pasojë e sulmeve serike terroriste mbetën të vrarë 129 persona, Policia franceze e ka pezulluar marrëveshjen “Schengen” për lëvizje të lirë në shtetet anëtare të BE-së, duke e marrë kontrollin e tërësishëm të kufijve me Italinë. Në anën tjetër, Policia e Gjermanisë në distriktin e Saarlandit ka filluar një kontroll më të rreptë nëpër pikat kontrolluese në kufirin me Francën, shkruan “Euronews”. Situata po vlerësohet dhe vazhdimisht po veprojmë në bazë të rrethanave”, ka thënë zëdhënësi i Policisë Federale për rajonin Saarlandit. Kryeministri i Bavarisë, Horst Shefër, ka thënë se kontrollet kufitare në këtë kohë janë më të nevojshme se asnjëherë.


 


Kufijtë e Europës janë në luftë të përditshme me krizën më të rëndë të emigracionit që pas Luftës së Dytë Botërore. Për muaj të tërë, Greqia është kritikuar ashpër, kryesisht nga Gjermania, për dështimin e identifikimit të mijëra refugjatëve që kalojnë përmes vendit, për të arritur në Europën Veriore dhe Perëndimore. Tensioni që ka mbërthyer unionin është i dukshëm, teksa krahu i vendeve lindore e kanë kundërshtuar vazhdimisht sistemin e detyruar të kuotave të azilantëve. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka qenë edhe jehona më e fortë e këtij qëndrimi kritik. Ai i ka akuzuar liderët perëndimorë se po mbjellin një politikë katastrofike dhe të rrezikshme si ekonomikisht dhe kërcënuese nga pranimi i refugjatëve sirianë. Pakistani dhe Afganistani janë vatra të ekstremizmit militant dhe të ardhurit nga këto vende nuk kanë qenë të pakët.


 


Kryekuvendari i Shqipërisë, Ilir Meta është duke qëndruar dje në Kosovë për një vizitë private, konkretisht në Gllogjan, në familjen e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Burime të Top Channel nga ky takim kanë konfirmuar se, kryeparlamentari i Shqipqërisë, Ilir Meta ka diskutuar me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, edhe lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë. Kryeparlamentari Meta, i shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka vizituar varrezat e dëshmorëve dhe ka vendosur lule pranë varreve të vëllezërve Haradinaj, të rënë në luftën çlirimtare të Kosovës.


 


Vetëvendosja ka reaguar ndaj deklaratës së Hashim Thaçit, i cili i ka vënë në dyshim nënshkrimet, të cilat janë mbledhur nga opozita për ta kundërshtuar Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Zëdhënësi i Lëvizjes, Frashër Krasniqi, ka thënë se Thaçi po i quan falsifikatorë qytetarët, sikurse Isa Mustafa, i cili, sipas tij, i quante injorantë. “Dështimin e vet diplomatik, Thaçi po mundohet ta fshehë me shpifje ndaj peticionit më të madh, që është realizuar ndonjëherë në Kosovë. Ai po i quan qytetarët falsifikatorë, sikur që Isa Mustafa i quante të padijshëm e injorantë. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, do të mund ta përdornin peticionin si argument për tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi. Është brengosëse se sa larg mund të shkojnë këta qeveritarë për t’i qëndruar besnikë Serbisë, shkruan Frashër Krasniqi.


 


Zyrtari i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se autoritet e Prishtinës nuk po e zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit e cila parasheh themelimin AKS-së.  Beogradi nuk pranon shfaqje të tilla dhe kërkon pa zvarritje zbatimin e asaj për të cilën ka marrëveshje.  “Serbia nuk do të heqë dorë nga ajo që është nënshkruar, dhe, nëse dikush e mendon këtë, mashtrohet. Nëse Gjykata Kushtetuese e Prishtinës është masë për Prishtinën, ajo për ne nuk është e tillë. Ne nuk jemi marrë vesh me Gjykatën Kushtetuese në Prishtinë, ne jemi marrë vesh me të zgjedhurit e përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Gjuriq për tanjug.


Kontrolloni gjithashtu

Arben Mustafa: Pesë propozimet e PDK-së për dalje nga kriza ekonomike

Arben Mustafa: Me Bedri Hamzën Kryeministër, pensionistët do të marrin 1000 euro më shumë brenda një viti

Koordinatori për Financa në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka deklaruar se në qeverinë …