Ish-kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi më anë të një shkrimi në rrejtin social ka thënë se krijimi i një Grupi të Unitetit Kombëtar është domosdoshmëri duke parë gjithnjë e me shumë agresivitetin e politikës zyrtare serbe ndaj Kosovës dhe qytetarëve saj si dhe inferioritetin e liderëve tanë politikë ndaj kësaj fushate agresive të Beogradit.
“Mediet tona, edhe sot në prag të një takimi, vazhdojnë të shkruajnë e flasin për agresivitetin e politikës zyrtare serbe ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ata po kujdesen për një pozicion të ri të Serbisë në bisedimet e mundëshme në Bruksel. Gjuha që po flet Kryetari i Serbisë dhe vartësit e tij, si gjithëherë edhe sot, janë sinjale të qarta se nuk kanë hequr dorë nga politikat agresive ndaj Kosovës. Me qëllimin e vetë, “nëse s’mund ta marrin atin e huaj, se paku ta grabisin shalën”! Ndërsa krerët e shtetit tonë, vazhdojnë të kenë pozicione inferiore ndaj politikave agresive serbe. Këta flasin për kompromise para se t’ia nisin?! Ndërsa pala serbe nuk pranojnë as që ka kufi në mes Kosovës e Serbiusë. Krejt çështja është, a mund të normalizohen marrëdhëniet me vendin që nuk e pranon fajin për gjenocidin që ka kryer në Kosovë disa herë në shekullin XX?! Nuk e pranojnë as kufirin për të cilin kanë shkuar dhjetëra mijëra jetë njerëzish. Përkundrazi ajo ka arritur t’i shantazhoj krerët e vendit tonë përmes Gjykatës Speciale. E cila i rrin gjithë vendit si saç përvlues mbi kokë. Ata që e kanë krijuar ketë pozicion mjeran të vendit te viktimizuar, është në të mirë të tyre të zbresin nga maja e shtetit. Kosova nuk është as jetime dhe as pronë e asnjë individi! Kosova ka në dispozicion njerëz që dinë e duan ta mbrojnë me dinjitet shtetin e tyre. Në rrethana të tilla, krijimi i një Grupi të Unitetit Kombëtar është domosdoshmëri!”, ka shkruar Krasniqi.