leoni

Kërkohet rishikimi i bisedimeve

Dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, ka ngritur mëdyshje serioze nëse duhet të vazhdojnë edhe më tej bisedimet me Serbinë. Deputetë dhe analistë shprehen se është koha e fundit që Kosova ta ndryshojë kursin e bisedimeve, pasi që shumë prej marrëveshjeve të arritura nuk po zbatohen nga pala serbe. Kështu, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, pranon se duhet të rishikohen marrëveshjet e arritura. Sipas saj, “duhet kërkuar nga pala garantuese që të bëjë presion që marrëveshjet e arritura të respektohen”.


 


14. 11. 2015   ora 10.00


 


Mbrëmë gjatë natës në qendër të Parisit  janë kryer  7 sulme të koordinuara terroriste  që rezultuan  mbi 158 të vrarë nga mesi i popullatës civile.  Në sallën e koncerteve “Bataclan”, gjatë një koncerti u vranë 118 persona, të cilët fillimisht u morën peng dhe më pas u ekzekutuan nga tre pengmarrësit. Më pas forcat e policisë ndrynë në sallë duke ekzekutuar pengmarrësit, ndërsa liruan pengjet e mbetur.


  shtëna ka pasur edge brenda restorantit “Ptit Kambogj” në “Ry Bisha”, ku mbetën të vdekur 11 persona, ndërsa pak më vonë ndodhën dy shpërthime pranë stadiumit “Stade dë Fransë”, ku po zhvillohej ndeshja miqësore mes Francës dhe Gjermanisë. Policia franceze njoftoi se ka vënë në pranga 4 ekstremistë, të cilët dyshohet se kanë lidhje me sulmet e së premtes. Dëshmitarët thanë se pengmarrësit kanë pasur të veshur jelekë antiplumb dhe nuk ishin të maskuar. Sipas dëshmitarëve, ata qëlluan me armë automatike të tipit kallash, si dhe hodhën edhe granata. Sulmi në sallën e koncerteve ka zgjatur më shumë se 15 minuta.


 


Kryetari i Francës, Fransua Hollandë, i cili ishte duke parë ndeshjen miqësore Francë-Gjermani, ishte larguar për arsye sigurie nga stadiumi, ndërkohë që të gjithë tifozët e pranishëm janë bllokuar brenda stadiumit, për shkak se janë mbyllur dyert e tij. Pas qetësimit të situatës jashtë stadiumit, ata u lanë të dilnin jashtë tij. Dëshmitarët pranë stadiumit kanë thënë për gazetën “Liberation” se ka dëgjuar mbi 100 të shtëna, ndërkohë që agresori dyshohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes.


Të shtëna dhe shpërthime bombash janë dëgjuar edhe në galerinë e artit “Louvre”, si dhe në dy qendra tregtare. Ndërkaq, në Francë, presidenti Hollande ka thirrur një mbledhje të kabinetit të emergjencave duke startuar kështu të ashtuquajturin plan alfa të kuq, i vlefshëm në çdo rast kur ndodh ndonjë sulm terrorist në territorin francez.


Në konferencën e shkurtër për shtyp, presidenti Hollande u shpreh se “populli francez duhet të qëndrojë i bashkuar dhe i qetë, pavarësisht çfarë po ndodh”, ndërkohë që ka urdhëruar mbylljen e kufijve të Francës, për të shmangur ndonjë largim të mundshëm të terroristëve. Hollande ka shtuar se “janë duke u kryer të gjitha operacionet e nevojshme në këtë situatë, ndërsa forcat e policisë janë në kërkim të atentatorëve në Paris”.


 


Pas sulmit në qendër të Parisit kanë reaguar edhe disa nga autoritet botërore. Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka thënë se është e tronditur nga sulmet në Paris. “Jam e tronditur thellë nga lajmi dhe imazhet që vijnë tek ne nga Parisi”, ka thënë Merkeli, duke i cilësuar këto sulme si terroriste.


Edhe kryetari i Amerikës,  Barack Obama, ka reaguar nga shtëpia e Bardhë lidhur me  sulmet që ndodhen në Paris. “Ky nuk është vetëm një sulm ndaj Parisit apo Francës, por ndaj të gjitha vlerave të njerëzimit. Ne do të qëndrojmë përkrah Francës për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin. Ata që mendojnë se mund të terrorizojnë francezët gabohen”, ka thënë Obama. Reagime të ngjashme ka pasur edhe nga shumë autoritete të vendeve të ndryshme të botës.


 


Kryetarja Jahjaga, kryeministri Mustafa dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli i kanë shprehur ngushëllime popullit dhe Qeverisë së Francës. “E tronditur me sulmet terroriste në Paris dhe humbjen e shumë jetëve të pafajshme në këto sulme. E ndajmë dhembjen me Francën dhe qëndrojmë me popullin francez kundër terrorizmit”, ka shkruar në profilin e saj në “Facebook” presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.


Edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar për sulmet në Paris. Veseli u ka shprehur ngushëllime popullit francez.  Po ashtu, edhe kryeministri Isa Mustafa, nëpërmjet një deklarate, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për viktimat e sulmeve të së premtes mbrëma në Paris të Francës, duke dënuar fuqishëm përpjekjet për terrorizimin e popullit francez me akte mizore e terroriste, përmes të cilave po synohet të mbillet frika në krejt botën e civilizuar.


 


Pas sulmeve të tmerrshme në kryeqytetin francez ka reaguar edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili përmes një p;ostimi në internet ka  shprehur mbështetjen e tij për qeverinë franceze. Rama i cilëson sulmet e së premtes në qendër të Parisit “si një luftë e vërtetë!” Ai i ka dhënë mbështetje pa rezervë  qeverisë franceze në këto momente tmerri dhe pikëllimi.


 


Vendet perëndimore dhe ato të Gjirit Arab e kanë hedhur poshtë planin e Rusisë për paqe dhe reforma në Siri, duke thënë se nuk do t’i krijojë bazat për bisedimet në Vjenë këtë fundjavë. “Ne jemi të vetëdijshëm për propozimet ruse”, u tha të mërkurën vonë gazetarëve ambasadori britanik në selinë e Kombeve të Bashkuara duke shtuar se “plani prej tetë pikësht vetvetiu nuk është qendror në disuktimet e Vjenës, por Rusia është”.


Diplomatët e Rusisë kanë theksuar se plani paraqet “vizionin” dhe “idetë” e Moskës dhe se Rusia është e hapur për propozime alternative nga 20 vendet, që marrin pjesë në bisedimet paqësore më 14 nëntor, në përpjekjen më të rëndësishme ndërkombëtare deri tash, për ta përfunduar luftën katërvjeçare në Siri.


 Plani i Rusisë parasheh propozimin e kushtetutës së re të Sirisë, që do të votohej pas zgjedhjeve të parakohshme presidenciale.


 


Kuvendi Komunal i Komunës së Deçanit ka mbajtur të premten mbledhje të jashtëzakonshme, me ç’rast ka nxjerrë një deklaratë kundër formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. “Kuvendi i Komunës së Deçanit kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës tërheqjen e dy marrëveshjeve të fundit, asaj të formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe (Zajednica) dhe marrëveshjes për demarkacionin e kufirit Kosovë – Mali i Zi në formatin e tanishëm. Marrëveshja për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe cenon rendin kushtetues dhe shpreh thellimin e një etniteti juridik mbi bazën e ndarjes etnike.


 


Kuvendi i Komunës së Deçanit i bën thirrje Qeverisë së Kosovës ta tërheqë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit Kosovë – Mali i Z, ku cenohet territori i Republikës së Kosovës”, është thënë në deklaratën e Kuvendit Komunal të Komunës së Deçanit. Sipas kësaj deklarate, marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi cenon interesat e shumë lokaliteteve të Komunës së Deçanit, ku tradicionalisht kanë frytëzuar këto bjeshkë. “Fshatrat të cilave u cenohen këto interesa janë: Llukë e Epërme, Strellc, Lëbushë, Dubovik, Prapaqan, Gllogjan, Irzniq, Carrabreg, Drenoc etj. Duke i trajtuar shqetësimet e ngritura nga qytetarët, Kuvendi Komunal kërkon tërheqjen e këtyre marrëveshjeve në këtë format dhe rekomandon që për çështjet e ngritura të formohen komisione me konsensus me të gjerë, në mënyrë që këto marrëveshje të formësohen konform Kushtetutës dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është thënë në këtë deklaratë të Kuvendit Komunal të Deçanit. Kësaj seance nuk iu kanë bashkuar asamblistët e LDK-së dhe të PDK-së.


Deçani është komuna e tretë pas Hanit të Elezit dhe Malishevës, ku të zgjedhurit e popullit kërkojnë nga Qeveria të tërhiqet nga asociacioni dhe demarkacioni i padrejtë me Malin e Zi.


 

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …