Diskutohet zgjerimi i shërbimit të edukimit për nëna dhe fëmijë

Gjatë ditës së premte, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, përfaqësuesit nga UNICEF, drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Ferizaj, Besnik Berisha, drejtorin e QKMF-së në Ferizaj, Asllan Bajrami, përfaqësuesen nga sindikata e punëtorëve shëndetësor, Tevide Imeri, infermieren Kefsere Vata si dhe punonjës tjerë shëndetësor kanë zhvilluar vizitën shtëpiake në familjen Haliti në fshatin Manastirc për të parë nga afër implementimin e projektit të edukimit shëndetësor përkatësisht të kujdesit për nëna dhe fëmijë, që po implementohet nga QKMF. Me këtë rast, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu ka vlerësuar këtë shërbim ndaj qytetarëve si tejet të rëndësishëm në rritjen e kujdesit ndaj të porsalindurve si dhe falënderoi ministrin Ismaili për vullnetin e tij që ky shërbim të avancohet dhe fuqizohet edhe më tej. Theks të veçantë, kryetari Aliu vendosi mbi zgjerimin e këtij shërbimi në mënyrë që në numër sa më të madh të ofrohet ndaj nënave dhe fëmijëve. Në anën tjetër, edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili në vizitën që i bëri kësaj familje me kushte jo të mira ekonomike u zotua se ky projekt por edhe modeli i kujdesit shtetëror ndaj nënave dhe të porsalindurve është prioritet dhe rrugë që po ndjek Ministria e Shëndetësisë në ofrimin e shërbimeve të edukimit për nëna dhe fëmijë. Komuna e Ferizajt është ndër komunat kryesore në vend dhe më të suksesshmet ku po implementohet dhe ka evoluar ky projekt. Aktualisht 4 qendrat e mjekësisë familjare në Ferizaj ofrojnë këtë shërbim me staf të posaçëm profesional që mbulojnë gjithë territorin e Ferizajt. Ofrimi i këtij shërbimi përfshin vizitat sistematike në familjet me të porsalindur, edukimi i nënave për gjidhënie, mirëmbajtja e fëmijëve, ushqyeshmëria, përcjellja e tyre nga mosha 0 deri në 3 vjeç si dhe një varg rekomandimesh profesionale që dalin nga ky projekt.

Kontrolloni gjithashtu

Për shkak të punimeve me 22 dhe 23 prill bllokohen rrugët “Xhevat Kasapi” dhe “Muharrem Dina”

Komuna e Rahovecit përmes një postimi në faqen zyrtare të saj në facebook, njofton qytetarët …