Reçica në Prizren flet për mundësi për trajnim dhe punësim për 500 punëkërkues

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ishte sot në Prizren ku mori pjesë në Konferencën për projektin, ”Stabiliteti Socio-Ekonomik i komuniteteve etnike pakicë dhe shumicë në Kosovë”, mbështetur nga MPMS dhe implementuar nga organizata gjermane “ASB” dhe Fondacioni PREDA Plus. Ministri tha se objektivat e këtij projekti janë krijimi i vendeve të reja të punës dhe gjenerimi i të hyrave për shumë familje. Ai shprehu zotimin e MPMS-së  për t’u përkushtuar me të gjithë potencialin që këto objektiva të arrihen në përpikëri. Ministri tha se sot është një ditë e veçantë sepse projekti për punësimin e një anëtari të familjeve që nuk kanë asnjë të punësuar i nisur në Prizren javë më parë, sot po sheh dritën e zbatimit. “E nisëm në Prizren takuam përfituesit e asistencës sociale për të dëgjuar hallet e tyre, ndërsa sot jemi kthyer prapë në Prizren me veprime konkrete duke iu ofruar 500 vetave trajnime, këshillime në biznes dhe nëngrante  për fillimin e mikro bizneseve dhe bizneseve të vogla, të cilat do të gjenerojnë të hyra të qëndrueshme për të gjithë përfituesit”, tha ministri. Reçica theksoi se papunësia është preokupimi kryesor i tij dhe MPMS-së dhe për këtë janë duke punuar me përkushtim shumë të lartë në përmirësimin e situatës. “Së bashku mund të bëjmë shumë, për të zvogëluar papunësinë, andaj ne nuk do të lëmë gurë pa lëvizur që qytetarët tanë të kenë një mirëqenie sociale që meritojnë dhe të jenë të barabartë me qytetarët e kombeve të zhvilluara”. Gjatë ditës së djeshme, MPMS dhe organizata gjermane “Arbeiter-Samariter-Bund (ASB)” nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi që ka për qëllim avancimin e përkrahjes së grupeve të ndryshme sociale, nëpërmjet implementimit të projektit Iniciativat për Dimension Social”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …