Ministri Gashi: Objekti i Agjencisë së Arkivave do të rinovohet tërësisht, punët do të fillojnë këtë vit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Gjatë kësaj vizite ministri zhvilloi takim me Kryeshefin Ekzekutiv të ASHAK-së, Ramë Manaj, i cili e njoftoi ministrin me gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës në këtë institucion. Ministri Gashi tha se “kjo vizitë bëhet në kuadër të vizitave që jam duke i bërë edhe institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por edhe Komunave të Kosovës, për të parë nga afër gjendjen në të cilën zhvillojnë aktivitetet këto institucione”. Ministri premtoi mbështetje për Agjencinë e Arkivave të Kosovës për realizimin e një projekti i cili parasheh renovim në tërësi të objektit. “Ne kemi përfunduar një intervenim të vogël kemi vendos raftet e reja. Këtu zotohemi që Ministria e Kulturës dhe unë si ministër do të jemi në mbështetjeje të drejtorit, menaxhmentit, stafit por edhe për të filluar një investim të ri në këtë objekt, një investim të gjithanshëm duke përfshirë depot, objektin, sistemin kundër zjarrit pastaj aklimatizimin, aparatet për kontrollimin e lagështisë si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike për këtë institucion të rëndësisë së veçantë për vendin tonë. Është një projekt që e kemi tashmë të gatshëm”, dhe ai do të filloj të zbatohet së shpejti, ka thënë mes tjerash ministri. Tutje ministri Gashi duke folur për rëndësinë e madhe që kanë arkivat në Kosovë tha se “pasi që lënda arkivore ka rëndësi historike, kulturore, shkencore dhe ka cilësinë e monumentit të kulturës, ajo duhet të ruhet në mënyrë të përhershme. Andaj në përputhje me rëndësinë e madhe që kanë lënda arkivore, ky investim në këtë objekt është një prej prioriteteve të Ministrisë andaj edhe procedurat për investim në këtë objekt do të hapen brenda disa ditëve. Ai po ashtu tha se “jemi të interesuar të shohim nga afër gjendjen e objekteve të arkivave ndërkombëtare  nëpër gjashtë komunat e Kosovës në mënyrë që edhe atje të intervenojmë në të ardhmen. Kjo vizitë ka për qëllim zotimin tonë, përpjekjet tona për ta ndryshuar gjendjen për të mirë në këto objekte të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës dhe jemi jashtëzakonisht të interesuar që këtë projekt ta fillojmë sa më shpejt dhe sa më parë”, shtoi tutje Gashi. Po ashtu ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se bashkë me drejtorin u pajtuam që të iniciojmë ndryshim-plotësimin për Ligjin për Arkivat. Në anën tjetër, Kryeshefi Ekzekutiv, Ramë Manaj, u shpreh falënderues për vizitën por edhe për përkrahjen e Ministrisë dhe të ministrit për të investuar në përmirësim të kushteve dhe rrethanave të punës nëpër objektet e arkivave. “Në takim kemi bërë përpjekje që t’i prezantojmë gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës, gjendje e trashëguar fatkeqësisht jo të mirë, sfidat me të cilat ballafaqohemi. Kushtet janë shumë limituese dhe kanë të bëjnë me ambientet e pamjaftueshme, me mungesën e hapësirës dhe jo adekuate, me mungesën e teknologjisë dhe mungesën e kapaciteteve njerëzore deri te kapacitetet teknike për digjitalizim. Por duke pasur parasysh premtimin e ministrit, shpresojmë që gjendja në këtë agjenci të përmirësohet” tha Kryeshefi Manaj.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …