Pjesëtarë të Njësisë së reagimit të shpejtë të Policisë nga qytete të ndryshme të Kosovës, i janë bashkëngjitur pjesëtarëve të FIT-it në bazën e Njësisë speciale ‘Belveder’, në Mitrovicë. Burime të KosovaPress-it brenda bazës ‘Belveder’ kanë bërë të ditur se pjesëtarë nga Prizreni kanë arritur tashmë në këtë bazë, ndërsa pritet ardhja e këtyre njësive edhe nga qytetet e tjera të Kosovës. Ata janë në pritje të një urdhri për të intervenuar në rast nevoje. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, dhe ministri i Arsimit i Serbisë, Mlladen Sharçeviq, aktualisht ndodhen në veri të Mitrovicës, por ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin i është ndaluar hyrja në Kosovë, ku sot serbët po festojnë ‘Vidovdanin’, ditën kur sipas kalendarit të tyre e humbën luftën në Kosovë dhe ikën drejt veriut.
Numër i vogël i serbëve po qëndrojnë në Gazimestan ku për çdo vit festojnë Betejën e Kosovës të cilën e konsiderojnë si fitore të tyre. Me flamuj të Serbisë në duar janë mbledhur në këtë vend ku në vitin 1389 ishte zhvilluar Beteja e Kosovës. Në Gazimestan ishte planifikuar të vinte edhe ministri i Mbrojtjes së Serbisë Aleksandër Vulin por atij iu ka ndaluar hyrja nga autoritetet e Kosovës.